Marrëveshja e Ohrit edhe pas 14 viteve nuk po gjen zbatim të plotë, sidomos në pjesën e përfaqësimit të etniteteve në administratën shtetërore

Marrëveshja e Ohrit edhe pas 14 viteve nuk po gjen zbatim të plotë, sidomos në pjesën e përfaqësimit të etniteteve në administratën shtetërore

Më 13 Gusht bëhen 14 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni dhe hapi një faqe të re të historisë.

Por edhe pse bëhen 14 vite, Marrëveshja e Ohrit akoma nuk është zbatuar në tërësi sidomos në pjesën e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në administratën shtetërore, përdorimin e gjuhës dhe simboleve kombëtare në nivel shtetëror, decentralizimi fiskal, të ruhet karakteri shumë etnik i shtetit, ndarja territorial dhe një sërë çështjesh tjera të cilat kishin qenë tabu temë. Akoma nuk është bërë një analizë e detajuar në lidhje me zbatimin në praktikë, kurse qeveria e Maqedonisë nuk i është rekur punës me seriozitet që të bëjë implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila në fakt pas konfliktit të vitit 2001 ka shërbyer si një bazë prej ku fillonin të gjitha zhvillimet në vend.

Musa XhaferiPërgjegjësia për mos implementimin e marrëveshjes në fjalë bie edhe me liderët politik shqiptar të cilët që nga vitit 2002, kanë udhëhequr me Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, përmes të cilës duhet të bëhet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore. Këtë e ka pranuar edhe vetë Musa Xhaferi, zëvendës kryeministër për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, i cili në raportin e publikuar më herët ka pohuar se “ Mungon balanca gjatë punësimeve sipas Marrëveshjes së Ohrit, por në të njëjtën kohë shënohet përparim në fushën e arsimit për sa u përket kuadrove shqiptare”. “Nuk do të doja të jepja kualifikime për përmbajtjen e analizës, sepse materiali së pari duhet të sublimohet që të mund të jepen vlerësime të qëndrueshme. Përshtypja e parë, bie fjala, është se përfaqësimi i drejtë nuk është i balancuar gjatë sistemimit të të punësuarve sipas MO-së. Në disa institucione ka përfaqësim optimal, por në disa të tjera shënohet ngecje serioze. Ka institucione ku përqindja e të punësuarve është 12.19 dhe ka të tjera ku përqindja është 25 për qind. Problem përbën edhe çështja se në cilat institucione do të bëhen punësimet, në ato shtetërore apo në ato publike”, ka bërë të ditur Musa Xhaferri.

Në anën tjetër një vend të rëndësishëm në Marrëveshjen e Ohrit zinte Ligji për pushtet lokal. “Ndryshimi i këtij ligji në asnjë aspekt nuk do të jetë më i pavolitshëm për njësitë e pushtetit lokal dhe autonominë e tyre, në krahasim me propozim-ligjin e propozuar nga qeveria e Republikës së Maqedonisë në mars të vitit 2001. Ligji do të përfshijë kompetencat lidhur me çështjet e përmendura në pjesën 3. 1. Të marrëveshjes kornizë, si dhe kompetencat plotësuese të pavarura të njësive të pushtetit lokal dhe do të jetë në përputhje në pjesën 6.6. Të marrëveshjes kornizë” thuhet në dokumentin e MO.

Izet ZeqiriLigjin për financim të pushtetit lokal insiston në faktin që të sigurohet se njësitë e pushtetit lokal kanë resurse të mjaftueshme për kryerjen e detyrave të tyre, sipas ligjit të ndryshuar për pushtetin lokal. Në vitin 2005, komunat fituan kompetenca që të menaxhojnë me të hyrat vetanake.

Edhe përkundër faktit se Marrëveshja e Ohrit, si një pako komplekse për ri komponimin politiko-juridik të sistemit juridiko-kushtetues të vendit, në përbërjen e vet nuk ka ndonjë segment ekonomik (si aneks ekonomik, p.sh.) përmes së cilit do të rregulloheshe drejtshmëria dhe neutraliteti ekonomik, megjithatë përmes zgjidhjeve politike në mënyrë të zhdrejtë ndikohet edhe në raportet ekonomike pikërisht përmes decentralizimit fiskal. Nga aspekti i financave publike, funksioni i stabilitetit, si edhe gjithkund, tërësisht është i rezervuar për pushtetin qendror, përderisa funksioni i shpërndarjes vetëm për pjesën e kompetencave të mbrojtjes sociale është siguruar për pushtetin lokal (përmes bllok donacioneve më tepër si dekoncentrim se sa si decentralizim!) dhe funksioni alokativ që po ashtu me përmasa të kufizuara vetëm për të mirat dhe shërbimet publike të rëndësishme për bashkësitë lokale. Në fakt decentralizimi i kompetencave dhe funksioneve nuk është proporcionalisht i përcjell me decentralizimin fiskal.

Struktura ekzistuese e të ardhurave të komunave përbëhet prej:

a) të ardhurat vetanake:
-tatimet lokale (tatimi në pasuri, tatimi në trashëgimi dhe peshqesh, tatimi në qarkullim i patundshmërive dhe tatimeve tjera të përcaktuara);
-taksat lokale (komunale, administrative dhe të tjera); kompensime lokale (për rregullimin e tokës ndërtimore, për rregullimin e planeve hapësinore dhe urbanistike, për veprimtari të caktuara komunale, etj);
-të ardhurat nga pronësia (prej qerasë, interesave,shitjes së pasurisë, etj) dhe të ardhurat nga donacionet, sanksionet në para, vetë kontribute, huat-deri në nivelin e miratuar prej pushtetit qendror, dhe të ardhura tjera

b) të ardhurat prej tatimit personal në të ardhura si tatim i përbashkët-vetëm të ardhura të caktuara që janë pjesë e tatimit personal të përgjithshëm, edhe atë:
-3% prej tatimit personal në të ardhura nga pagat e personave fizik të arkëtuar në vitin vijues në territorin e komunës ku detyruesit e kanë vendbanimin ose vendqëndrimin, dhe 100% të tatimit personal në të ardhura të arkëtuar prej personave fizik të regjistruar dhe që kryejnë veprimtari në territorin e komunës.

c) dotacione të buxhetit qendror (të Republikës) dhe të fondeve, si:
-dotacion të përgjithshëm në lartësi prej 3% të të ardhurave të përgjithshme të arkëtuara në vitin paraprak nga TVSH-ja, që shërben për financimin e të gjitha kompetencave të komunës pa përcaktim paraprak të destinacionit.

Dr.prof. Izet Zeqiri, thotë se komunat nuk kanë kapacitet për të investuar në projekte kapitale pa mos pasur ndihmën e pushtetit qendror. Mjetet të cilat u kthehen komunave nga TVSH-ja janë minimale, kurse në disa fusha tjera pushteti lokal nuk ka kompetenca financiare. Shkaqet kryesore për problemin me decentralizimin fiskal, në pika të shkurta mund të përmblidhen në mënyrën vijuese:

-Komunat nuk kanë mjete të mjaftueshme për të financuar kompetencat të cilat janë transferuar; mjetet të cilat janë shpërndarë komunave nëpërmjet dotacioneve synuese dhe bllok, nuk shpërndahen në mënyrë efikase dhe në mënyrët të barabartë, dhe pushteti qendror vështirë jep të drejtën (e cila nuk i takon më) të vendos për prioritetet dhe shpenzimet. Por komunat nuk përfitojnë mjete nga drejtoria e të hyrave publike, nga dënimet që i shqipton gjykata dhe policia, nga dënimet e inspektorateve të tregut dhe punës, nga sigurimet tjera. Me këtë decentralizim fiskal, komunat mbeten larg standardit evropian.


Ixhet MemetiIxhet Memeti: Edhe pse kanë kaluar 14 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, ende flasim vetëm për përpjekje të realizimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

INSTITUCIONET NUK E PËRFILLIN RAPORTIN E AVOKATIT TË POPULLIT

Vlen të theksoj se shumë brengosës është numri i të punësuarve në Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, ka diku rreth 1766 të punësuar, të cilët janë shndërruar në kategori sociale. Në Raportin e fundit kërkoj që në mënyrë urgjente të bëhet sistemimi i tyre në institucionet e shtetit. Problem nuk janë ligjet, por ata që i realizojnë ligjet.

Jo rastësisht, mosdiskriminimi dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat paraqesin fondament të Marrëveshjes së Ohrit dhe vlerë themelore të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Mendoj se këto janë kushtet pa të cilat jo që nuk mund të kemi, por as që mund të flasim për shoqëri të integruar dhe funksionale. Për fat të keq, koha dëshmon se realizimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat ecë me shumë vështirësi dhe dobësi.

Në thelb realizimi i këtij parimi nuk nënkupton vetëm rritje të numrit të etniteteve në sektorin publik, por shumë më tepër se kaq. Ky duhet të jetë një proces kualitativ dhe i besueshëm i cili do ta ndryshojë realisht perceptimin dhe ndjenjën e të gjitha etniteteve për institucionet publike. Pra, qëllimi i fundit i realizimit të tij është që të gjithë qytetarët, si dhe nëpunësit publikë t’i ndjejnë institucionet se janë të tyre.

Avokati i Popullit, duke filluar nga viti 2007, zbaton hulumtime vjetore të cilat i pasqyrojnë gjendjet që kanë të bëjnë me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Sigurisht se qasja dhe metodologjia e punës për zbatimin e këtyre raporteve, prej viti në vit po shënon progres. Të dhënat statistikore të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat pasqyrojnë gjendjen, për të cilën nuk mund të themi se janë të kënaqshme, si në aspektin e përfaqësimit horizontal ashtu edhe atij vertikal. Nga viti 2007 deri në vitin 2014 janë zbatuar tetë raporte të veçanta. Nëse në mënyrë krahasuese i analizojmë këto raporte vijmë në përfundim se ka rritje të lehtë të numrit të përfaqësimit të gjitha etniteteve, por edhe se mungon vullneti politik për realizim cilësor të këtij parimi.

Punësimi i shqiptarëve, si dhe etniteteve tjera jo-maqedonase nuk realizohet në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit

Përderisa në vitin 2007 kemi grumbulluar të dhëna për 59.629 punësime, në vitin 2014 për 108.848, pra ne kërkuam informatë nga 1077 institucione publike, ndërsa përgjigje morëm nga 1062 prej tyre.

Së këtejmi, në vitin 2007 Raporti pasqyron se përqindja e të punësuarve të përkatësisë etnike maqedonase ka qenë 83.72% në vitin 2014 ajo ka rënë në 74.8%, tek etniteti shqiptar nga 10.78% është rritur në 18.6%, tek etniteti turk nga 1.09% në 1.9%, tek etniteti rom nga 0.68% në 1.4% e kështu me radhë.

Vlerësoj se edhe pse vërehet rritje numerike sa i përket kuantitetit, kualiteti apo përfaqësimi në nivel vertikal është shumë i dobët. Unë rregullisht në raportet e mia kam kritikuar dhe do të vazhdojë të kritikojë së pari qasjen ndaj realizimit të këtij parimi, si dhe mungesën e vullnetit politik apo inatet etnike për realizimin e plotë të përfaqësimit. Mënyra e punësimeve grupore, pa analizë të mirëfilltë për nevojën e kuadrove të caktuara, si pasojë ka rritjen pro-formë dhe asgjë tjetër. Gjë që është në kundërshtim me frymën e këtij fondamenti kornizë.

Shpallja e konkurseve grupore nuk është në dobi të shoqërisë, por u ka shërbyer dhe u shërben partive politike të rekrutojnë pjesëtarë të tyre duke lënë anash nevojën dhe kualitetin për shoqërinë. Mendoj se kjo ka sjellë që sot të kemi administratë të dobët, të politizuar dhe të mbingarkuar.

Vlen të theksoj se shumë brengosës është numri i të punësuarve në Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, ka diku rreth 1766 të punësuar, të cilët janë shndërruar në kategori sociale. Në Raportin e fundit kërkoj që në mënyrë urgjente të bëhet sistemimi i tyre në institucionet e shtetit.

Zbatimi i Ligjeve ngec si rezultat i mungesës së vullnetit politik, madje edhe inateve te aktorëve të politikës

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, dhe shpalljes së amendamenteve Kushtetuese gjatë periudhës së viteve 2002-2004, u miratua një numër i madh ligjesh të cilët drejtpërsëdrejti kishin për qëllim normimin e sistemit juridik konform ndryshimeve kushtetuese. Pakoja e këtyre ligjeve harmonizohej nga të gjitha partitë parlamentare përmes bisedave, gjithnjë duke e pasur parasysh Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

Si nevojë e decentralizimit të pushtetit u miratua pakoja e ligjeve që kishin të bëjnë me pushtetin lokal. Pakoja tjetër kishte të bënte me mbrojtjen nga majorizimi, pra mosdiskriminimi dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat. U miratuan një sërë ligjesh të cilët parashihnin mundësinë e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në sektorë të ndryshëm të administratës publike. Po ashtu vlen të theksohet edhe Ligji për Avokatin e Popullit, i cili e avancon mandatin dhe kompetencat e tij.

Sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe në procedurat gjyqësore edhe pse ajo u rregullua në vitin 2002, nuk mund të flasim për përdorim të mirëfilltë të gjuhës shqipe në këto procedura. Arsyeja nuk është Ligji, por mosrespektimi i tij nga ana e atyre që duhet ta respektojnë. Mendoj se problem kryesor, siç thash, është moskrijimi i kushteve dhe mospasja e vullnetit për realizimin e tyre. Pra, kemi të bëjmë me kategori subjektive. Problem nuk janë ligjet por ata që i realizojnë ligjet.

Me rëndësi të jashtëzakonshme ishte pakoja e ligjeve për të cilët u parashikua votimi i dyfishtë apo i ashtuquajturi Sistem i Badenterit. Votimi i dyfishtë paraqet garanci për mbrojtjen nga majorizimi, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Pastaj, ligje nga sfera e arsimit, gjuhës, simboleve, etj. Përderisa, në një kohë relativisht të shkurtër, sistemi juridik u harmonizua me amendamentet kushtetuese të cilat ishin rrjedhojë e Marrëveshjes së Ohrit, realizimi i tyre u përball me probleme të mëdha. Konsideroj se për shkak të inateve, madje edhe etnike shumë pak iu dha rëndësi ndarjes së mjeteve dhe krijimit të kushteve për realizimin efektiv të ligjeve që kanë të bëjnë me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Viteve të fundit jo që nuk u ndan mjetet e nevojshme për realizimin e ligjeve që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Ohrit, por kam përshtypjen se shkohet edhe një hap më mbrapa, për fat të keq miratohen ligje të cilët janë në kundërshtim me shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit, si në sferën e decentralizimit, gjuhës, simboleve. Shembull më të freskët e kemi propozim-Ligjin për Avokatin e Popullit, me të cilin propozohet të mos ketë seksion për monitorimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, propozim i cili drejtpërdrejtë ka të bëjë me përcaktimet e Kushtetutës së Republikës të Maqedonisë.

Edhe pse e drejta e arsimit fillor dhe të mesëm është e garantuar, shteti nuk krijon kushte që këtë të drejtë ta realizojnë fëmijët, posaçërisht fëmijët e etniteteve jo shumicë

Sa i përket ndarjes së buxhetit në mënyrë proporcionale për të gjitha rajonet dhe fushat shoqërore, si dhe përfshirjes së të gjitha etniteteve në çdo sferë si: kulturë, arsim etj., dallimet janë evidente. Vetëm nëse i bëhet një vështrim buxhetit dhe shpërndarjes së tij, nuk është e vështirë të vërehen këto dallime, të cilat i vënë në pozitë të pabarabartë si rajonet ashtu edhe etnitetet. Këtë mund ta vëreni edhe në arsimin e lartë, sepse nëse i krahasoni mjetet që u ndahen universiteteve në Republikën e Maqedonisë do te vëreni se ka dallime të mëdha. Lidhur me kushtet dhe mundësitë e arsimimit në gjuhën amtare, po ashtu vërehen dallime të cilat e shtojnë pakënaqësinë si të nxënësve ashtu edhe të arsimtarëve. Kemi nxënës të cilët nuk kanë kushte elementare për të vijuar mësimin, posaçërisht të etniteteve jo shumicë, si dhe të tjerë të cilët i kanë kushtet e nevojshme. Mendoj se politikat arsimore me seriozitet shumë më të madh duhet t’i analizojnë me qëllim të avancimit dhe krijimit të kushteve reale për zbatim kualitativ të tyre.

Administrata në vend që ta rris cilësinë, ajo nga viti në vit humb në kualitet dhe profesionalizëm

Raportet e Avokatit të Popullit, pasqyrojnë atë se administrata humb nga kualiteti në llogari të kuantitetit e që është akoma më e keqe ajo partizohet.

Përpjekjet për reformim dhe profesionalizim të administratës publike nuk japin efekte. Ky proces nuk ecë në këmbë të shëndosha. Punësimet në administratë janë shndërruar në një garë matematikore se cila parti do të ketë më shumë të punësuar. Përderisa nuk ndërpriten punësimet grupore dhe me ndikime nuk mund të flasim e jo më të kemi administratë kompetente dhe profesionale.

Gjykata Supreme nuk i respekton parimet e Marrëveshjes se Ohrit, duke lëne shqiptarët me vetëm 9 %, kurse bashkësitë tjera etnike zero

Ne për çdo vit bëjmë monitorimin e zbatimit të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, përmes grumbullimit të të dhënave nga organet ndaj të cilave veprojmë me kompetencë. Monitorimi dhe implementimi i këtij parimi është me rëndësi thelbësore për zhvillimin e shoqërisë dhe për qytetarë të barabartë, pavarësisht se cilës bashkësi i përkasin. Nëse bëjmë krahasimin e të dhënave, të periudhës kohore nga viti 2007 deri në vitin 2014, do të vërejmë se ka një rritje të lehtë kuantitative, përkatësisht progres iluzor sa i përket implementimit të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Megjithatë, perceptimi ynë është se progresi iluzionist nuk është cilësor dhe real, si dhe se një numër i madh i institucioneve nuk e ka arritur nivelin e nevojshëm të zbatimit të këtij parimi.

Me këtë rast, do ta marr si shembull Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë, ku nuk ka të punësuar asnjë përfaqësues të bashkësisë turke, rome dhe boshnjake, ndërsa raporti midis të punësuarve maqedonas dhe shqiptarë është 85.7 për qind kundrejt 9.1 për qind. Situatë të ngjashme konstatuam edhe vitin e kaluar në Këshillin e Prokurorëve Publikë, tek Gjykata Administrative e Republikës së Maqedonisë, gjykatat e apelit, Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë, Shërbimin për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta. Zbatim jo konsekuent të këtij parimi ka për shembull edhe në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë, në Ministrinë e Financave, pastaj në institucionet ndëshkuese-korrektuese dhe në shëndetin publik, fondet, ndërmarrjet publike, qendrat për punë sociale e kështu me radhë. Së këtejmi, rezulton edhe konkluzioni se me të vërtetë është i madh numri i institucioneve të cilat nuk e zbatojnë këtë parim.

Pikërisht për këtë, Avokati i Popullit edhe në Raportin e fundit për ndjekjen e zbatimit të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat për vitin 2014, përsëri rekomandoi përfaqësim të drejtë dhe adekuat të këtij parimi kushtetues sepse vetëm me sigurimin e raportit midis numrit të të punësuarve dhe përfaqësimit të pjesëtarëve të gjitha bashkësive, realisht mund të kontribuojë në drejtim të ndërtimit të besimit shumë etnik, tolerancës dhe eliminimit të diskriminimit mbi bazë të përkatësisë etnike.

Gjykata Supreme nuk i respekton parimet e Marrëveshjes se Ohrit, duke lëne shqiptarët me vetëm 9 %, kurse bashkësitë tjera etnike zero

Nga fillimi i këtij viti Zyra e Avokatit të Popullit ka vepruar për gjithsej pesë lëndë, të cilat kishin të bënin me mosrespektimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Një lëndë është hapur me iniciativë personale dhe e njëjta ka të bëjë me Galerinë Nacionale të Maqedonisë, ku është konstatuar se gjatë punësimit nuk respektohet parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Është dhënë rekomandim dhe është pranuar përgjigjja se ky institucion në të ardhmen do ta zgjidh këtë problem. Ky është një shembull i mirë i bashkëpunimit, për dallim të Gjykatës Kushtetuese të cilën e përmenda si institucion i cili nuk e respekton këtë parim. Gjithashtu, zhvilluam procedurë për mosrespektimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në këtë institucion dhe u ballafaquam me mosbashkëpunim, me çka Avokati i Popullit u pengua të zbatojë inspektim kualitativ. Edhe në këtë rast është përdorur njëri nga instrumentet të cilët Avokati i Popullit i ka në dispozicion (dihet se ai nuk ka instrumente të detyrimit për zbatimin e konstatimeve të tij), përkatësisht është dhënë rekomandim adresuar Gjykatës Kushtetuese për nevojën e respektimit të këtij parimi kushtetues.