Drita brenda llambës është Besimi kurse llamba simbolizon veprat

Drita brenda llambës është Besimi kurse llamba simbolizon veprat

Drita e besimit duhet të vërehet mbi individin dhe mbi veprat e një personi që ka besuar.

Besimi, i cili ka ngelur vetëm në gjuhë dhe që nuk ka reflektuar në veprat tona nuk mund të jetë shpëtim për ne. Imani (besimi), që sipas kuptimit të fjalorit do të thotë “të besosh pa u hamendur fare”, “të lidhesh në mënyrë të fuqishme dhe të sinqertë”, apo “të pranosh të Vërtetën Absolute dhe ta aprovosh atë”. Dijetarët Islam në mënyrë të tërthortë e kanë shpjeguar në këtë mënyrë: “Të besosh pa asnjë hamendje dhe pa asnjë dyshim, dhe të dëshmosh ekzistimin e Allah'ut dhe njëshit të Tij, se Muhammedi (s.a.s.) është i Dërguari i Allah'ut dhe gjithçka që përcjell përmes shpalljes Hyjnore tek njerëzit është e vërteta sublime”.

Vepra është gjendja kur besimi reflektohet në jetën praktike të besimtarit. Kështu që esencat që do të derdhen në praktik janë përkrahësit e gjërave që besohen në teori. Andaj dhe një teori që nuk përkrahet me praktikë, apo një besim që nuk mbështetet në praktikë, teorikisht është e pamundur që të qëndroj në këmbë. Njeriu që të hapet në thellësitë e pakufizuara të zemrës dhe të fluturoj drejt besimit të vërtetë duhet të siguroj tërësinë besim-vepër (iman-amel). Për këtë arsye, njeriu e ka patjetër të jetoj në vijën (istikame) e besimit dhe besimin e tij ta mbështes me vepra.

Besimi dhe veprat duhet të mbështesin njëra-tjetrën

Në shumë ajete Kur'anore, besimi dhe veprat e sinqerta (amel-u salihin) janë përmendur njëra pas tjetrës dhe me këmbëngulje besimtarët janë inkurajuar që ta zhvillojnë veten e tyre nga aspekti shpirtëror dhe material, duke punuar vepra të sinqerta. Nëse besimin do t'ia ngjasonim një llambe prej qelqi, drita brenda llambës është besimi, kurse llamba simbolizon veprat.

Për këtë shkak, që drita e besimit në zemër të ndriçoj pa u fikur fare dhe dal ngadalë të rris fuqinë e saj, janë të nevojshme vepra të sinqerta. Në fakt, zemra ashtu siç dhe përshkruhet në hadithet të transmetuara nga i Dërguari i Allah'ut s.a.s., “Ngaqë ndërron në çdo moment, është quajtur zemër”, (Musned, 4,408). Siç mund ta kuptojmë prej këtu del se orientimi i një zemre plot me besim është e lidhur drejt për drejt me veprat e sinqerta.

Veprat e mira personin e mbrojnë dhe bëhen shkaktarë për perfeksionimin e tij. Njeriu, edhe nëse i beson të gjitha parimeve (hakikateve) fetare njëjtë sikur që i beson se 2*2 bëjnë 4, përderisa gjërat në të cilët beson nuk zënë vend në zemrën e tij, atëherë nuk është e mundshme që të arrij besimin e vërtetë (iman-ul hakikat). Sepse kjo ka të bëj vetëm me aspektin teorik. Kurse strehimi i besimit brenda në zemrën e njeriu është e lidhur ngushtë dhe fuqishëm me veprat. Nuk mund të njihet mirë Krijuesi i Gjithësisë vetëm me besimin teorik.

Sado që personi të mendoj se teorikisht është duke besuar, është e pamundur që besimi të cilin ai e posedon të zhvillohet edhe më tej. Zhvillimi i besimit të njeriu varet nga veprat e tij.

Për këtë të vërtetë ka folur edhe filozofi i njohur Emanuel Kant në veprën e tij “Kritika e Mendjes së Pastër”, ku thotë se “Zoti nuk mund të njihet me mendje teorike, por vetëm me mendje praktike”. Prej këtu mund të kuptojmë se njerëzit që janë të privuar nga veprat, edhe sikur të kenë lexuar me mijëra libra është e pamundur që bota e ndjenjave të këtyre njerëzve të zhvillohet. Ngaqë për t'i zhvilluar ndjenjat e një personi është e nevojshme që ai person të bëj vepra të drejta (amel-i mustakim). Ndoshta njeriu ia ka pranuar vetes se teorikisht është duke besuar; mirëpo njeriu vështirësinë e besimit mund ta ndjej vetëm përmes veprave.

“Zemrën e kam të pastër!”

Ashtu siç theksuam edhe më sipër, veprat e sinqerta janë të ngjashme me fakultetet që zhvillojnë dhe mbrojnë besimin e njeriut. Fjalët e llojit, “Unë besoj në Zot. Zemrën e kam të pastër”, që ditët e sodit përdoren shumë, nënkuptojnë se besimi është burgosur në ndërgjegjen e njeriut që është një botëkuptim jo i drejtë. Sepse, një person që thotë me fjalë se i beson Zotit, këtë duhet ta dëshmoj me vepra dhe t'i sjell në vend të gjitha obligimet që i takojnë, t'i kryej në kohë të cilat shërbejnë si provë që vërtetojnë ekzistimin e besimit tek ai. Si përfundim, besimi dhe vepra janë dy pjesë të pandara nga njëra-tjetra. Njeriu, brenda një tërësie besimi dhe vepre do ta zhvilloj anën shpirtërore të tij, duke e kuptuar arsyen dhe synimin e krijimit, do t'i njoh gjërat pas perdes të sendeve dhe do të merr rrugën drejt majave të xhenetit që është edhe kuptimi i vërtetë i të qenit rob i Zotit.

Please publish modules in offcanvas position.