Fundi I Demokracisë Në Turqi

Fundi I Demokracisë Në Turqi

QEVERIA MERR NË KONTROLL GAZETËN MË TË MADHE NË VEND, “ZAMAN”

Ngjarjet e fundit në Turqi, na bënë të mendojmë se vallë edhe Turqia është duke shkuar drejt rrugës apo gjurmëve të ngjashme me ato të Pranverës Arabe. Për ta kuptuar mirë atë që po ndodh në Turqi, është e domosdoshme të sqarohet fenomeni i mendimit të shteteve të Lindjes së Mesme dhe të atyre që ndajnë të njëjtën kufi me ta, rasti i së cilës është edhe Turqia.

Turqia ka një pozitë shumë të volitshme gjeopolitike, e cila jo vetëm që i bashkon dy kontinente, por gjithashtu bashkon dy lloje të mentaliteteve njerëzore, dy lloje të kulturave dhe traditave. Njëri është mentaliteti Evropian, në të cilën dominon mendimi dhe shprehja e lirë, gjegjësisht sistemi i demokracisë, kurse në kontinentin e Azisë dominon mendimi autokrat, ku popuj mbijetesën e tyre e shohin përmes një lideri autokrat, gjegjësisht përmes sistemit diktatorial. Turqia gjendet në rrjedhën e këtyre dy mentaliteteve, e cila herë pas here anon kah mendimi aziatik, apo kah ajo që ndryshe quhet sistem autokrat.

Ngjarjet e fundit po e ndajnë shtetin në dy pjesë, në atë siç i quajnë analistët turk “nëse mendon si unë je miku im, nëse jo atëherë je armiku im”, e cila sipas shumë statistikave në Turqi janë diku 50% me 50%. Kjo ka sjell që Turqia çdo ditë e më shumë të marr një dimension të mendimit autokratik. Këtë e dëshmoi edhe rasti i fundit me konfiskimin e gazetës më të madhe opozitare në Turqi, gazeta “Zaman”. Mirëpo, edhe pse konfiskimi i gazetës Zaman bëri bujë të madhe në botë, nuk ishte e para dhe e vetmja që e pësoi këtë fat. Në fakt para gazetës Zaman, u konfiskuan dhe u tërhoqën prej rrjeteve satelitore edhe shumë kanale të tjera televizive si dhe u mbyllën disa gazeta që ishin kritikuese ndaj politikave të qeverisë turke.

Si filloi ndryshimi në AKP

Qeveria e AKP në Turqi, për herë të parë erdhi në pushtet  në vitin 2002. Premtimi më i madh i kësaj qeverie ishte “se do të vijojnë një politikë me tre “J-ja”, Yolsuzkuk që do të thotë kundër korrupsionit, Yoksulluk që do të thotë kundër varfërisë dhe Yasak që do të thotë kundër shprehjes dhe mendimit të lirë. Kjo politikë e AKP-së vazhdoi deri në vitet 2008, vit ky kur kjo strukturë dal ngadalë filloi të ndryshoj politikat e tij pro-evropiane, duke u shndërruar në atë autokrate. Me fillimin e Pranverës Arabe, dhe sidomos pas shpërthimit të luftës qytetare në Siri, luftë kjo nga e cila kjo garniturë shpresonte të përfitojë respektivisht  të jetë faktorë në rrëzimin e liderit diktatorial, Bashar Esad, dhe në vend të tij të vij opozita siriane të cilën e përkrah edhe AKP-ja. Ky ndryshim pritej të ndodh shpejtë, ashtu që lideri i atëhershëm i kësaj partie Erdogan thoshte se për disa ditë xhumanë do ta falim në Damask.

Si dhe pse filluan protestat dhe kryengritjet që morën emrin “Pranvera Arabe”

Në vazhdën e “Pranverës Arabe”, e cila më vonë u shndërrua në një Dimër Arab, që u shkaktua si pasojë e revoltës së qytetarëve në këto shtete, si rezultat i sistemit autokratik, gjegjësisht të udhëheqjes diktatoriale nga ana e liderëve autokrat të shteteve në Lindjen e Mesme. Pakënaqësia që  shkaktoi ky sistem tek një pjesë e popullit në ato shtete arabe, apo shtypja që e përjetonin ata ngaqë e shprehnin pakënaqësinë e tyre, për mënyrën se si udhëhiqej shteti etj . Tentimi i tyre për të formuar një bllok opozitar ishte e papranueshme për liderët e këtyre shteteve të cilët nuk mund të pranonin asnjë mendim opozitar dhe që “kolltukun” e kishin uzurpuar duke e vlerësuar atë si pronë të tyre. Guximi i një pjese të madhe me mendim opozitar për ta ngre zërin kundër sistemit autokrat dhe diktatorial, organizimi i protestave të një pas njëshme që nuk kishin të ndaluar nga njëra anë, si dhe frika e liderëve të këtyre shteteve për ta humbur “kolltukun” solli deri në luftëra qytetare, nga e cila pësuan me miliona familje kurse pasojat ende janë të freskëta.

Gjithçka doli nga kontrolli pas hetimit të korrupsionit më 17-25 dhjetor të vitit 2013

Pas aksionit policor për hetim të korrupsionit dhe larje parash që ndodhi më 17-25 dhjetor të vitit 2013, gjithçka ndryshoi në politikën dhe mënyrën e udhëheqjes të partisë në krye të qeverisë. Tani më kjo parti duke i harruar të gjitha premtimet demokratike që i kishte bërë elektoratit të tij, filloi të merr një qëndrim më autoritare duke u mbështetur në fatin e vetëm të një personi apo lideri. Turqia për dy vjet u shndërrua në një vend kaotik,  duke e ndërruar tërë sistemin  udhëheqës dhe të gjitha kuadrot në Ministrinë e Brendshme dhe në Institucionet e Drejtësisë.

Hetimi kishte të bëj me atë se si një 30 vjeçar iranian me pasaportë turke, Reza Zerrab ishte duke i korruptuar disa ministra dhe drejtori në Turqi, edhe atë  në bashkëpunim me disa djem të ministrave të qeverisë së AKP. Pas plot dy muajve, respektivisht në muajin shkurt të vitit 2014 iraniani u lirua nga burgu dhe u shpall i pafajshëm. Mirëpo, i njëjti person me kërkesë të prokurorisë federale të SHBA-ve, u arrestua  më 21 Mars të vitit 2016 në Miami nën akuzën për larje parash dhe shkelje të embargos ndaj Iranit. Kjo ishte pika kthyese për Turqinë. Frika që kishte prekur  udhëheqësit e partisë për të mos e humbur “kolltukun”, gjegjësisht për të mos u ballafaquar me drejtësinë, i shtyu ata që të japim një varg vendimesh antidemokratike. E gjithë struktura e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë u ndryshua brenda një nate, duke instaluar njerëz të afërt me partinë në qeveri. Gjatë kësaj periudhe disa media opozitare u mbyllën dhe disa të tjerë u morën nën kontroll të qeverisë. U arrestuan shumë biznesmenë kurse ndërmarrjet e tyre u vunë nën administrim të shtetit  e cila në një farë mënyre kishte uzurpuar pronën private.. Këto ndërmarrje me nga 10 mijë apo 14 mijë punëtorë gjenden para falimentimit.

Konfiskimi i gazetës më të madhe në Turqi, ZAMAN, paralajmëron ditë edhe më të errëta për Turqinë

Pas bastisjes dhe marrjes nën kontroll nga shteti të gazetës më të madhe kritike ndaj politikave qeverisësë “Zaman”, policia me dhunë nxori gazetarët nga zyrat e tyre ndërsa protestuesve dhe mbështetësve u është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe topa uji. Ky veprim i Erdoganit u cilësua si përpjekje për të heshtur zërin e fundit kritik dhe si fundi i demokracisë në Turqi. Se do të uzurpohej gazeta e përditshme më e shitur në Turqi “ZAMAN” fillimisht e bëri të ditur fenomeni i rrjetit social Twitter, Fuat Avni, i cili para 24 orëve në një postim në rrjetin social Twitter shkroi se “Erdogan ka urdhëruar uzurpimin e gazetës opozitare edhe atë me çdo kusht”.

  • Abdulhamit Bilixhi, ish-kryeredaktor i gazetës “Zaman”:

“Fatkeqësisht është bërë e zakonshme në tre apo katër vitet e fundit, që çdo kush që flet kundër kësaj qeverie të përballet me gjykatën, burgim apo kontroll të tillë nga qeveria. Kjo është një periudhë e errët për shtetin tonë, për demokracinë dhe për lirinë e shprehjes. Por mendoj se kjo periudhë do të marrë fund. Nuk mund te jetë e qëndrueshme, nuk mund të vazhdojë kështu”.

  • Sevgi Akarçesme, ish-kryeredaktor i gazetës “Today's Zaman”:

“Ky është fund i lirisë së mediave në Turqi. Mediet gjithmonë ishin nën presion, por asnjëherë nuk ka qenë aq publike sikur tani. Uzuprimi dhe administrimi i gazetës nga shteti është kundër kushtetuese, veçanërisht nëse nuk ka bazë për diçka të tillë”.

  • Emre Soncan, gazetar i “Today's Zaman”,

Në rrjetin social Twitter ka shkruar se “Qeveria turke ka konfiskuar njërin prej zërave të fundit kritikë… Fundi i demokracisë”.

  • John Kirby, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit:

“U bëjmë thirrje autoriteteve turke që të sigurojnë se veprimet e tyre afirmojnë vlerat universale demokratike, të mishëruara në kushtetutën e tyre, përfshirë lirinë e fjalës dhe veçanërisht lirinë e shtypit”.

  • Johannes Hahn, komisioneri për zgjerim në BE:

“Zhvillimet e fundit ndaj gazetës “Zaman” dëmtojnë progresin e shënuar në të gjitha fushat e tjera”.

Policia turke në protesta përdori gaz lotsjellës dhe topa të ujit

Protesta bbfc5Policia turke përdori gaz lotsjellës dhe topa të ujit me qëllim që t’i shpërndajë disa mijëra protestues të cilët u mblodhën para hapësirave të gazetës “Zaman” në Stamboll për t’i dhënë mbështetje stafit të gazetarëve.

Demonstruesit brohorisnin “Shtypi i lirë nuk mund të heshtet”. Disa qindra demonstrues u munduan ta ndalin policinë të hyrje të ndërtesë së gazetës.

Shoqata Botërore e Gazetave dhe Botuesve të Lajmeve, WAN-IFRA letër Erdoganit: Kthejani “Zaman” pronarëve

Shoqata Botërore e Gazetave dhe Botuesve të Lajmeve, përmes një letre dërguar Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i ka bërë thirrje këtij të fundit që t’ua kthejë gazetën “Zaman” botuesve të saj. Shoqata Botërore e Gazetave dhe Botuesve të Lajmeve, WAN-IFRA, e cila numëron rreth 18 mijë gazeta dhe televizione, 15 mijë portale dhe 3 mijë kompani të mëdha mediale në 120 vende të botës. Kjo shoqatë  në letrën dërguar Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan thekson se me sekuestrimin e të përditshmes “Zaman”, qeveria turke ka shkelur hapur marrëveshjet ndërkombëtare. Letra, e cila mban firmën e Presidentit të Shoqatës Botërore të Gazetave dhe Botuesve të Lajmeve, Tomas Brunegård dhe Presidentit të Forumit Ndërkombëtar të Editorëve, Marcelo Rech nënvizon faktin se pas sekuestrimit të së përditshmes “Zaman” fshihen qëllime politike. Sipas tyre, sekuestrimi i gazetës është shkelje e pikës 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

Reagim nga kryetari i SHGM-së, Shoqatë të Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani

Interviste me kryetarin e Shoqates se Gazetareve ne Maqedoni SHGM Naser Selmani 3a76dMe shqetësim ndoqëm zhvillimet e fundit në Turqi, ku me një vendim kontradiktor të gjykatës janë sekuestruar asetet e gazetës Zaman.

Veprimet e fundit të autoriteteve turke paraqesin ndërhyrje serioze në lirinë e medieve duke cenuar pluralizmin e medieve, të drejtat dhe liritë e gazetarëve.

Dyshojmë se qeveria turke po përdor gjyqësorin për persekutimin e gazetarëve dhe të medieve për të disiplinuar dhe heshtur zërat kritik.

Shprehim solidaritetin me kolegët e Zamanit dhe ftojmë autoritetet turke të ndërpresin të gjitha format e presionit dhe frikësimit ndaj tyre.

Demokracia nuk mund të frymojë në një vend ku autoritetet me vendime arbitrare persekutojnë mediet dhe kufizojnë zërat kritikë në publik.

Në një vend ku ndalohet kritika, stimulohet abuzimi me pushtetin dhe cenohen të drejtat dhe liritë e njeriut nuk mund të ketë demokraci..