Popullata E Moshuar Vështirëson Sistemin E Pensionimit

Popullata E Moshuar Vështirëson Sistemin E Pensionimit

Largimi i të rinjve nga vendi, dukshëm ndikon në uljen e numrit të popullatës së aftë për punë dhe kjo ndikon në rritjen e numrit të të moshuarve.

Për pensionet dhe sigurimin shëndetësor për këtë vit në arkën e Fondit Pensional janë planifikuar mjete në vlerë prej 947 milionë euro, prej të cilave 423 milionë do të transferohen nga buxheti shtetëror, që në krahasim me vitin e kaluar kjo është shumë më e madhe. Në vitin 2015 buxhetit të Fondit Pensional iu transferuan 387 milionë euro, që do të thotë se është rritur për 36 milionë euro. Vetëm për pensionet këtë vit duhet të ndahen 794 milionë euro. Mirëpo, nga tatimet dhe të ardhurat sociale që vijnë nga fuqia punëtore në vend mund të arkëtohen vetëm 371 milionë euro, kurse pjesa tjetër, 423 milionë euro transferohet nga buxheti shtetëror, një zbrazëtirë kjo që duhet të mbushet nga buxheti i shtetit. Mirëpo, kjo zbrazëtirë që është në rritje e sipër, deri kur do të mundet të mbulohet nga buxheti i shteti është një çështje shumë delikate. Shumë shtete kanë përjetuar kriza të ndryshme ekonomike për shkak të një zbrazëtire të tillë në sistemin e pensionimit dhe të sigurimit invalidor.

Burimi kryesor i problemit është ulja e natalitetit, ku si pasojë e kësaj vjen deri te rritja e numrit të popullatës së moshuar dhe me këtë rritet numri i pensionistëve, por zvogëlohet numri i fuqisë punëtore. Rritja e numrit të të moshuarve gjithashtu ndikon në mënyrë negative edhe në kërkesën për konsumim, gjë e cila ndikon në rritjen e papunësisë në vend. Kështu që të rinjtë të papunë nuk mund t'i japin përkrahje fondit për pensionim dhe kjo sjell deri në formimin e zbrazëtirës në arkën shtetërore.

Plakja e popullatës ndikon në rritjen e numrit të pensionistëve

Shtetet që duan të rriten në fushën e ekonomisë dhe që duan të arrijnë një dinamizëm në të gjitha fushat, gjithmonë si qëllim kanë që numri i të rinjve të jetë më madh se i të moshuarve. Shtetet me popullatë të re ofrojnë edhe punë kualitative, gjë që i shndërron këto shtete në një qendër interesi për investitorët ndërkombëtarë. Kohët e fundit perëndimi është duke punuar vazhdimisht me qëllim që të gjej zgjidhje për popullatën e cila po plaket. Një ndër rajonet që përballet me të njëjtën fat është edhe Ballkani. Sidomos, si pasoj e luftërave të viteve të 90-ta, tensionet mes shteteve dhe krizat ekonomike kanë sjell në migrimin e një mase të madhe të popullatës në Ballkan, e cila ka ndikuar në mënyrë negative në gjendjen demografike të këtij rajoni. Sipas të dhënave që i shpalli Banka Botërore, shtetet që më së shumti përballen me migrimin në rajonin e Ballkanit janë:

Maqedonia, Shqipëria, Serbia, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina si dhe Mali i Zi. Përsëri sipas të dhënave të njëjta 1/4 (4,9 milion) e popullatës nga këto gjashtë shtete gjenden jashtë vendit të tyre. Përderisa në vitet e 90-ta vetëm 13% e popullatës nga këto shtete kanë migruar, në vitin 2013 ky numër ka arritur deri në 25%. Migrimet në vitet e 90-ta janë bërë për shkak të luftërave, kurse në 20 vitet e fundit migrimet bëhen për shkak të gjendjes ekonomike. Sipas entit statistikor të BE-së, Maqedonia merr pjesë në vendet me më shumë banorë që shkojnë në migrim. Ndërmjet viteve 1998-2011, nga Maqedonia kanë migruar gjithsej 230 mijë persona.

Ilija Acev, sociolog: Migrimi patjetër të ndalohet

Specialistët që hulumtojnë çështjen e migrimit bëjnë të ditur se patjetër duhet të ndërmerren masa për pengimin e këtij trendi tek popullata jonë. Sociologu Ilija Acev, i cili bëri një vlerësim të shkurtër për këtë fenomen që tani ka marrë përmasa shumë të mëdha në vendin tonë, tha se “çështja e migrimit në mesin e popullatës tani më është shndërruar në një gjë të zakonshme. Ai bëri të ditur se arsyeja për migrimin e popullatës vjen si pasoj e pakënaqësisë nga kushtet që i posedojnë në vend, duke shtuar se në një gjendje të këtillë është vështirë për ta ndalur këtë fenomen. “Për të parandaluar migrimin në vend fillimisht duhet të rritet standardi i jetës, ngaqë ky fenomen në vend më së shumti praktikohet nga popullata me moshë të re, gjë e cila e ul numrin e të rinjve, kurse rrit numrin e të moshuarve. Kjo gjë më vonë ndikon në mënyrë negative edhe tek fuqia punëtore në vend”.

Mr.Agron Salihi bb3a0

Mr. Agron Salihi, demograf në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve

Trendi i migrimit në vend do të vazhdoj edhe më tutje

Sipas demografit Agron Salihi, një ndër strukturat më të rëndësishme të popullsisë, si për procesin e zhvillimit demografik, po ashtu edhe për nga implikimet socio-ekonomike, është struktura e popullsisë sipas moshës.

Ai gjithashtu bëri të ditur se rritja e numrit të pensionistëve dhe të kësaj grupmoshe në vendin tonë vjen si rezultat i uljes së shtimit natyrorë të popullsisë, rënien e lindshmërisë dhe migrimeve të shumta, që janë shumë evidente në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë.

“Po ashtu rol të rëndësishëm në zvogëlimin e natalitetit dhe rritjen e grupmoshës mbi 60 vjet, janë edhe martesat e vonshme respektivisht mbi moshën 30 vjeçare e cila ndikon shumë në rritjen e popullsisë së re, por tek ne numri i lindjeve vazhdon të mbetet i ulët një apo dy fëmijë ”, theksoi ai.

Agron Salihi gjithashtu shtoi se ky trend në vendin tonë do të vazhdoj edhe më gjatë për arsye se ende ka ikje masive të popullatës që ia mësyn migrimit. “Duke mos pasur asnjë perspektivë që të qëndrojë në vendlindje, pasi shteti duhet që të merr masa të krijimit të vendeve të reja të punës, kushte më të mira jetësore, pra këto janë politikat e gabuara ekonomike që kanë shkaktuar zhvillimin jo të barabartë në tërë territorin e vendit, e cila kryekëput është si rezultat i rritjes së kësaj grupmoshe”, nënvizoi ai.

Në Maqedoni për çdo pensionist punojnë nga dy persona

Si rezultat i pikave që i përmendëm më lartë numri i të rinjve dhe të fuqisë punëtore çdo ditë e më tepër ulet, kurse me rritjen e numrit të popullatës së moshuar rritet edhe numri i pensionistëve. Nëse do ta shohim më me kujdes tabelën e shpallur në këtë lajm do të vërejmë se shpejtësia e rritjes të numrit të pensionistëve është më e madhe se sa numri i fuqisë punëtore. Fakti që fuqia punëtore në vend çdo ditë e më shumë po zvogëlohet, ndikon në pensionet dhe pagat e pensionistëve. Mirëpo, si ndodh kjo? Përgjigja e kësaj mund të merret përmes një përqindjeje të dhënë nga ana e specialistëve. Në bazë kjo ndodh me anë të kontributeve që i merren të punësuarve të regjistruar. Kontributet që jepen nga ana e të punësuarve shkojnë tek pensionistët. Specialistët bëjnë të ditur se për të paguar pagën e një pensionisti ka nevojë për katër të punësuar të regjistruar. Që do të thotë se gjendja më ideale për t'i mbuluar harxhimet e fondit që shkojnë për tek pensionistët mund të ndodh me anë të kontributeve të minimum katër të punësuarve të regjistruar për një pensionist. Mirëpo në vendin tonë siç mund të vëreni edhe në tabelë, në vitin 1991 për një pensionistë kanë kontribuar 3 të punësuar, kurse në vitin 2013 për një pensionist kontribuojnë 1.83 persona. Kështu me zvogëlimin e shumës që vijnë nga kontributet e të punësuarve të regjistruar nuk mund të sigurohen financat e nevojshme për pensionistët. Ashtu që zbrazëtira që vjen si pasojë e mungesës së të ardhurave në fond mbulohet me transfer të parave nga buxheti shtetëror. Sipas një vlerësimi të fundit, për të mbuluar këtë zbrazëtirë për vitin 2016 do të transferohen 423 milion euro nga buxheti i shtetit.

Izet Zeqiri 79c0f

 

Izet Zeqiri: Jo të rritet PAga e pensionistëve, por të rritet numri i të punësuarve

Specialistët bëjnë të ditur se qeveria nuk duhet të rris pagën e pensionistëve, por duhet të rris numrin e të punësuarve të regjistruar, të cilët do të paguajnë kontributet e tyre. Zeqiri nënvizoi se qeveria duhet të ketë kujdes me hapat që i bën në çështjen e pagave të pensionistëve dhe se çështja e pensionimit nuk duhet të bëhet material politik. “Shteti çdo ditë hyn në borxh për 1.8 milion euro dhe nëse vazhdon ky trend do të vështirësoj funksionin e ekonomisë së vendit. Andaj kjo është një çështje shumë vitale që kërkon zgjidhje të shpejtë dhe hapa të kujdesshme”, bëri të ditur ai.

tabela caafb