Çfarë dimë për variantin e ri të koronavirusit

Çfarë dimë për variantin e ri të koronavirusit

Pak ditë pasi ka nisur vaksinimi kundër koronavirusit Sars-CoV-2, një variant i ri i tij, edhe më përhapës, ka shkaktuar alarm.

Mbretëria e Bashkuar, ku edhe është zbuluar varianti i ri, ka vendosur masa të ashpra izolimi dhe ka lëshuar urdhra për qëndrim në shtëpi, ndërsa shumë vende të tjera i kanë ndaluar fluturimet prej atje.

“Kur virusi e ndryshon metodën e sulmit, ne duhet ta ndryshojmë metodën e mbrojtjes”, ka thënë kryeministri britanik, Boris Johnson.

Varianti i ri është zbuluar për herë të parë në shtator. Në nëntor, rreth një e katërta e rasteve në Londër kanë qenë të këtij varianti; në mes të dhjetorit, afro dy të tretat.

Johnson ka thënë se varianti i ri mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm. Ai ka paralajmëruar se kjo mund ta rrisë për 0.4 vlerën R – një e dhënë që tregon nëse epidemia rritet ose zvogëlohet.

Varianti i ri mund të gjendet në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, përveç Irlandës së Veriut, por është më i përqendruar në Londër dhe në Anglinë Lindore.

Të dhënat nga Nextstrain – një projekt që monitoron kodet gjenetike të mostrave virale në të gjithë botën – sugjerojnë se rastet e variantit të ri të koronavirusit kanë arritur edhe në Danimarkë dhe në Australi nga Mbretëria e Bashkuar. Holanda ka raportuar gjithashtu raste të tilla.

ÇFARË DIMË PËR VARIANTIN E RI?

Të gjitha viruset dhe koronaviruset bëjnë mutacione gjatë gjithë kohës.

Koronavirusi që është zbuluar për herë të parë në Vuhan të Kinës, nuk është i njëjti që qarkullon në të gjithë botën.

Mutacioni D614G është shfaqur në Evropë në muajin shkurt dhe është bërë forma mbizotëruese e virusit.

Një tjetër variant, i quajtur A222V, është përhapur po ashtu në Evropë dhe është lidhur me pushimet verore të njerëzve në Spanjë.

Në një raport të publikuar të dielën, grupi këshillimor i Qeverisë britanike ka thënë se ka “besim të moderuar” se varianti i ri përhapet më shpejt se variantet e tjera.

Ekspertët, megjithatë, kanë thënë se të dhënat janë paraprake dhe se bazohen në modelim.

“Edhe pse rezultatet varen nga cilësia dhe sasia e të dhënave, ky duket të jetë një variant i rëndësishëm, bazuar në të dhëna gjenetike. Është potencialisht më i transmetueshëm, por ne nuk e dimë sa dhe nuk kemi siguri absolute”, ka thënë dr Muge Cevik, nga grupi këshillimor.

Profesori i virologjisë në Kolegjin Mbretëror të Londrës, Stuart Neil, thotë për gazetën Guardian se “të dhënat e grumbulluara deri më tani, bëjnë të kuptojnë se varianti është më infektues”. Por, sipas tij, nuk ka konfirmim në laborator.