Rritet besimi midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë në vitin 2020

Është fakt se është përforcuar besimi midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, tha ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë në fillim të qershorit në intervistën për gazetën “Etnos”, ndërsa me siguri kjo deklaratë e Nikos Dendias mund të jetë karakteristika kryesore për marrëdhëniet midis dy vendeve në vitin 2020. 

Pandemia nuk i ndërpreu lidhjet dhe marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, mbase paraqiste pengesë në disa fusha të caktuara, por nga ana tjetër ishte arsye për komunikimin më intensiv lidhur me përballjen me koronavirusin dhe pasojat e krizës shëndetësore.

Vitin e kaluar, analizon korrespondentja e MIA-s nga Athina, e shënoi vizita e parë e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut në Athinë, komunikimi më intensiv për bashkëpunim, veçanërisht në energjetikë, kanali i hapur i komunikimit midis ministrave të Shëndetësisë të të dyja vendeve por edhe shprehja e vazhdueshme e mbështetjes nga pala greke për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.

“Njolla e zezë” e vetme në marrëdhëniet midis dy vendeve është turizmi i ndërprerë dhe pamundësia shtetasit tanë ta vizitojnë Greqinë, duke e pasur parasysh atë se kufijtë toksorë janë të mbyllur që nga mesi i marsit, që kur është në fuqi edhe vendimi për ndalesë për hyrjen e shtetasve prej vendeve të treta.

Në mediat në Greqi rrallë ekzistojnë analiza ose komente, ndërsa vendimi midis dy vendeve e hapi kanalin e komunikimit midis Shkupit dhe Athinës, diçka që u dëshmua edhe gjatë pandemisë.

Bashkëpunimi dhe komunikimi vazhdoi në nivelin më të lartë.

Në periudhën kur pandemia në Greqi u shua pak, shkurt para fillimit të valës së dytë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut e pranoi ftesën për pjesëmarrje në konferencën e “tryezës së 24-t të rrumbullakët me Qeverinë greke” të organizuar nga “Ekonomist” më 16 dhe 17 shtator dhe qëndroi në Athinë në shoqërim të zëvendëskryetarit të Qeverisë të obliguar për Çështje Ekonomike dhe për Koordinimin e Resorëve Ekonomikë dhe Investimeve Fatmir Bytyqi, zëvendëskryetarit të obliguar për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministrit të Punëve të Jashtme Bujar Osmani.

Pas pauzës mbase 20-vjeçare, një kryetar Qeverie i Maqedonisë së Veriut e vizitoi Athinën dhe realizoi një sërë takimesh si me kreun shtetëror grek si dhe me biznesmenë grekë.

Zëdhënësi i atëhershëm i Qeverisë greke, Stelios Pecas, një ditë para vizitës së Zaevit theksoi se “është shumë e rëndësishme që ekziston mundësia për bisedime”, pas zgjedhjeve tek ne.

Zaev përveç që mori pjesë në konferencën në Athinë u prit nga presidentja e Greqisë, Katerina Sakelaropulu dhe mbajti takim pune me kryeministrin grek Kirjakos Micotakis, ndërsa u takua edhe me liderin e SYRIZË-s, Aleksis Cipras.

Nga ana tjetër, Dimitrov dhe Osmani të cilët ishin pjesë e delegacionit qeveritar, realizuan takime me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikos Dendias dhe shefin alternativ të diplomacisë greke, Miltiadis Varviciotis.

Gjatë vizitës Zaev dhe Micotakis janë dakorduar gjatë dimrit, varësisht nga rrjedha e pandemisë, të mbahet në Athinë seanca e dytë ndërqeveritare, por edhe të nënshkruhet marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë, ndërsa kanë biseduar edhe për mundësitë për bashkëpunim më të madh në më shumë sfera.

Micotakis në këtë takim ka propozuar, me iniciativë të Greqisë nëse është e mundur, vendi të sigurojë vaksina kundër Kovid-19 edhe për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Kryeministri atëherë në intervistën për MIA-m zbuloi se kryeministri grek ka shprehur dëshirë për ta vizituar Shkupin pasi ka kujtime të bukura dhe “dëshiron të përkujtohet në vitet e atëhershme 1999-2000 kur ka qenë përgjegjësi kryesor i Bankës kombëtare të Greqisë për blerjen e Stopanska Bankës”.

E hapur ishte mundësia që takimi i radhës i Zaevit dhe Micotakisit të jetë në kuadër të „Thessaloniki Summit“, në nëntor, por për shkak të pandemisë samiti i Selanikut u mbajt në mënyrë digjitale, ndërsa Zaev dhe Micotakis dërguan video mesazh në të cilin Zaev tha se si vende mike potencialet për zhvillimin e aktiviteteve investuese dhe bashkëpunimi ekonomik vlerësojmë se duhet të kenë trend rritës ndërsa Micotakis shprehu mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

SH_1e456.jpg

NJË SËRË TAKIMESH DHE BISEDIMESH PËR BASHKËPUNIMIN ENERGJETIK

Energjetika dhe mundësitë për bashkëpunim dhe lidhja në këtë sferë, ishin në fokusin e vizitës njëditore të punës në Selanik të zëvendëskryetarit të Qeverisë të obliguar për Çështje Ekonomike, Koordinimin e Resorëve ekonomikë dhe Investimeve, Fatmir Bytyqi, të zëvendëskryetarit të Qeverisë për Luftë Kundër Korrupsionit, Lupço Nikollovski dhe të ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe pjesëmarrjen në tryezë të rrumbullaktë “Siguria rajonale energjetike dhe bashkëpunimi” së bashku me sekretarin shtetëror të SHBA-së, Majk Pompeo dhe ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Eenergjetikës së Greqisë, Kostis Haxidakis.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se ishte mundësi e shkëlqyer që të shkëmbehen përvojat në pjesën e energjetikës, potencialet për bashkëpunim dhe të bisedohet për aktivitetet e ardhshme në drejtim të përmirësimit të lidhjes energjetike dhe theksoi se “Greqia dhe Maqedonia e Veriut janë shembull i mirë për ndërtimin e marrëdhënieve të ndërsjella, bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik”.

Për lidhjen energjetike të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe për bashkëpunimin energjetik përmes videokonferencës nga mesi i nëntorit Bytyqi bisedoi edhe me zëvendës-shefin e diplomacisë greke Kostas Frankojanis.

Në takim morën pjesë edhe ministrat e Ekonomisë dhe Mjedisit Jetësor të Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi dhe Naser Nuredini, sekretarja e përgjithshme në Ministrinë e Eenergjisë në ministrinë kompetente greke, si edhe përfaqësues të lartë të Operatorit kombëtar për gaz natyror të Greqisë dhe nga “Helenik petroleum”.

Për “Helenik petroleum” dhe shpresën se do të gjendet zgjidhje, midis tjerash foli edhe ministri Nuredini gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin Energjetik për Evropën Juglindore që u mbajt në shtator në Selanik, kur tha se marrëdhëniet energjetike me Greqinë janë të shkëlqyera dhe shfaqi shpresë për zhvillimin e tyre shtesë si shpresë për gjetjen e zgjidhjes së kontestit me kompaninë greke.

PANDEMIA E INTENSIFIKOI KOMUNIKIMIN: FILIPÇE DHE KIKILJAS U TAKUAN NË ATHINË, DIMITROV DHE DENDIAS ORGANIZUAN KONFERENCË RAJONALE

Rrethanat me pandeminë hapën edhe kanale të reja të kontaktit, veçanërisht midis ministrave të Shëndetësisë të të dyja vendeve.

Vetëm 11 ditë pas përfundimit të karantinës së parë në Greqi, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në Athinë realizoi takim me homologun e tij grek Vasilis Kikiljas.

Dy ministrat shkëmbyen përvoja për qasjen në shërim dhe parandalimin e përhapjes së koronavirusit si edhe sfidat gjatë pandemisë.

Komunikimi i Filipçes dhe Kikiljas vazhdoi dhe vazhdon lidhur me përballjen me pandeminë ashtu edhe lidhur me mundësinë Greqia të furnizojë vaksina për Maqedoninë e Veriut.

Për çështjet lidhur me Kovid-19, biseduan edhe shefi i diplomacisë Nikos Dendias dhe ministri i atëhershme i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, në fillim të pandemisë ndërsa në fund të valës së parë organizuan videokonferencë të përbashkët rajonale për kthimin sa më të shpejtë në normalitet.

Gjatë këtij takimi me shefat e diplomacive të Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Sllovenisë, Shqipërisë, Serbisë, Bosnjë he Hercegovinës, Kosovës si dhe përfaqësues të BE-së u sollën dhjetë konkluza që kanë të bëjnë me partneritetin strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, për sektorin shëndetësor dhe turistik, për transportin, bashkëpunimin rajonal, si edhe për respektimin e të drejtave individuale, liritë, mediat e pavarura dhe luftën me përhapjen e dezinformatave, ndërsa paralelisht e përshëndetën edhe vendimin e Unionit për paketën e ndihmës për rajonin për përballjen me pandeminë.

GREQIA U AKTIVIZUA PAS VETOS FRANCEZE POR JO EDHE PAS ASAJ BULLGARE

Shkurt pas bllokadës franceze për datë përfillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, diplomacia greke u aktivizua me nisma për mbështetjen dhe promovimin e perspektivës evropiane të Shkupit dhe Tiranës, nisma të cilat filluan në fund të vitit 2019, ndërsa vazhduan në fillim të vitit 2020.

Organizoi konferencë ministrore “Nga Selaniku në Zagreb” për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor, në të cilën mori pjesë Ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, dhe i gjithë qëllimi ishte të bëhej e qartë se e ardhmja evropiane e rajonit është një përparësi, jo vetëm për vetë vendet por edhe për vendet e tjera të Ballkanit që janë tashmë anëtare të BE-së.

Pecas më pas komentoi se ishte shumë pozitive që konferenca erdhi në një kohë kur dukej se “pala franceze, e cila kishte kundërshtime të rëndësishme për këtë temë, tani është më e hapur për kompromis”.

Në Samitin e BE-së në mars, Maqedonia e Veriut mori dritë jeshile, diçka që u prit me reagime pozitive nga Greqia.

Vendimin e BE-së e përshëndetën ish-kryeministri grek dhe kryetar i Internacionales socialiste, Jorgos Papandreu dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Jorgos Katrugalos.

Përgëzimet për Zaev, si për vendimin për të filluar negociatat e pranimit me BE-në ashtu edhe për anëtarësimin në NATO, erdhën nga udhëheqësi i SYRIZA-s, Aleksis Cipras, ndërsa për anëtarësimin në NATO, nuk ngeci as reagimi pozitiv nga Ministria e Jashtme Greke.

Aktivitetet diplomatike të Athinës, të cilat ishin mjaft intensive për veton franceze, nuk u përsëritën, të paktën jo publikisht, kur Bullgaria vendosi ta bllokojë Maqedoninë e Veriut.

Ish-zëdhënësi qeveritar Stelios Pecas, duke iu përgjigjur pyetjes së korrespondentes së MIA-s nga Athina, për atë se cili është qëndrimi i Greqisë për pozitën e Sofjes lidhur me rrugën e vendit tonë drejt BE-së, tha se askush nuk mund të parandalojë një vend anëtar të BE-së të ngrisë çështje të veta në procesin inkuadrues.

Mesazhet të cilat vijnë nga Athina gjatë periudhës së kaluar janë se mbetet e pandryshuar mbështetja greke për perspektivën evropiane të vendit tonë dhe mbarë rajonit.

Pozicioni i Sofjes nuk duket të ndikojë në pozicionin e qëndrueshëm të Greqisë mbi të ardhmen evropiane të rajonit, pasi burimet e Ministrisë së Jashtme Greke komentuan se pozicioni i tyre ishte i qartë, dmth se ata mbështesnin perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bazuar në përmbushjen e kushteve të përcaktuara dhe shtojnë se kjo është diçka që ata vazhdimisht e theksojnë.

MEMORANDUMET ME MAQEDONINË E VERIUT TË DORËZUARA NË PARLAMENTIN GREK, POR THUAJSE KATËR MUAJ MË VONË AKOMA NUK JANË VOTUAR

Para vizitës dyditore të punës të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut në Greqi dhe takimet e kreut shtetëror grek, në Parlament u sollën tre marrëveshjet, gjegjësisht Memorandumi për përshpejtimin e procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE; Memorandumi për formimin e Komitetit koordinues për bashkëpunim ekonomik dhe Marrëveshja teknike për mbikëqyrjen e FIR Shkup që dalin nga Marrëveshja e Prespës, megjithatë duket se procedura për ratifikim është ngrirë pas reagimeve me Greqinë.

Qëndrimi zyrtar i Qeverisë greke është se marrëveshjet do të sillen me votim, megjithatë pa u saktësuar se kur do të ishin në rend dite, ndërsa kryetari i Parlamentit në një rast sqaroi se ratifikimet nuk janë urgjente.

THUAJSE DHJETË MUAJ QYTETARËT E MAQEDONISË SË VERIUT NUK MUND TË UDHËTOJNË NË GREQI

Pika e vetme negative, mund të thuhet, në marrëdhëniet midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut gjatë vitit të kaluar është ajo që fqinji jugor i mbajti kufijtë mbyllur për turistët e vendit tonë, për shkak të vendimit, të imponuar nga pandemia, të Qeverisë greke nga mesi i marsit të mbyllen kufijtë tokësorë dhe të ndalohet hyrja e shtetasve të vendeve të treta.

Ky vendim është duke u shtyrë në vazhdimësi ndërsa sipas vendimit të fundit, të publikuar dje, kufijtë mbeten të mbyllur deri më 21 janar.

Viti i Ri sjell një sërë sfidash në marrëdhëniet midis dy vendeve, përveç ritshmërive këtë verë qytetarët e vendit tonë të kënaqen në ndonjërin prej plazheve greke, 2021 mund të jetë vit i mbajtjes së seancës së dytë ndërqeveritare, ratifikimit të memorandumeve në Parlamentin grek dhe mbështetjes më të madhe praktike të Athinës për Shkupin.

Viti fillon në mënyrë dinamike, me nënshkrimin gjatë javës së ardhshme në Athinë të tre memorandumeve për bashkëpunim midis dy vendeve.