BE-Ja Me Largimin E Britanisë Ka Humbur Mbështetësin Më Të Madh Ekonomik

BE-Ja Me Largimin E Britanisë Ka Humbur Mbështetësin Më Të Madh Ekonomik

BASHKIMI EVROPIAN MBETET NJË PROJEKT MADHOR ME SHENJA BINDËSE TË PAJTIMIT NË MES POPUJVE

Historiku i Bashkimit Evropian, nisi më 9 maj të vitit 1950, me projektin për pajtimin franko - gjerman. Faktori më i rëndësishëm që ndikoi në mbisundimin e votave për ndarje të Britanisë së Madhe, nga BE-ja është frika për të mos e humbur identitetin. Kur të lexohet historia e BE-së, muaji qershor i vitit 2016 do të mbahet mend si një periudhë shumë e rëndësishme. Kjo periudhë mund të thuhet se është një nga periudhat më të rëndësishme të shekullit 21, pas Marrëveshjes së Lisbonës. Bashkimi Evropian mbetet një projekt madhor me shenja bindëse të pajtimit në mes popujve, projekt shumë i rëndësishëm, për përforcimin e paqes evropiane edhe atë pas shumë luftërave. Konsolidimi i demokracisë, ekonomisë së tregut në Evropën Qendrore e Juglindore si dhe integrimin e saj, politik, ekonomik dhe shoqëror drejt BE-së.

Partitë politike në Maqedoni edhe para BREXIT, nuk ishin bindëse për integrimin e shtetit në BE. Retorika politike nuk ishte e mbështetur në projekte për të përshpejtuar procesin integrues. Tani, shumë pak mund t’i besohet këtyre elitave partiake politike se po punojnë në stabilitetin institucional si kusht për përafrimin e Maqedonisë në BE.

BRITANIKËT GJITHMONË KANË QENË PËR NJË INTEGRIM, POR ME STATUS TË VEÇANTË NË BE

Si e vlerësoni vendimin e Britanisë së Madhe që doli nga referendumi për largimin nga BE-ja?

ISLAM JUSUFI 5ddbbVendimi i Britanisë së Madhe për tu larguar nga BE-ja, ka marrë vendin si një nga zhvillimet më të rëndësishme në tërë historinë e BE-së. Kur të lexohet historia e BE-së, muaji qershor i vitit 2016 do të mësohet si një periudhë shumë e rëndësishme. Kjo periudhë mund të thuhet se është një nga shënimet më të rëndësishme të shekullit 21, pas Marrëveshjes së Lisbonës. Përveç Grenlandës, e cila nuk ka statusin e një shteti të plotë, ndarja e Britanisë së Madhe do të shënohet si ndarja e parë në historinë e BE-së.

Çfarë ndikimi do të ketë një vendimi i tillë për BE-në?

Vendimi për ndarje e Britanisë së Madhe, ishte një vendim i papritur për BE-në. Ky vendim ishte një vendim surprizë edhe për ata që votuan për ndarje nga BE-ja. Këtë mund ta kuptojmë nga deklaratat që u dhanë nga përkrahësit e fushatës BREXIT. Me këtë vendim BE-ja humbi një anëtar shumë të rëndësishëm të saj. Me këtë vendim BE-ja humbi ekonominë e 7-të më të madhe në botë. Kështu që kjo do të ndikoj edhe rolin e saj në plan global. Britania e Madhe është gjithashtu edhe ekonomia e 2-të më e madhe në Evropë. Ky është një vendim i keq edhe për BE-në në përgjithësi, dhe për banorët e saj. Banorët e BE-së nën ombrellën e lëvizjes së lirë kishin mundësinë që të gjejnë punë në Britaninë e Madhe, me një çmim simbolik kishin mundësinë të studiojnë në universitetet më të mira të Britanisë së Madhe. Edhe pse u deklarua se vendimi për dalje nga BE-ja nuk do të ndikoj aspak në ndonjë nga proceset e lartpërmendura, me shumë mundësi do të ketë efektet e saja. Në këtë aspekt për banorët e BE-së, muaji i mjaltit në Britaninë e Madhe ka përfunduar.

Sipas jush çfarë janë faktorët që ndikuan në sjelljen e vendimit për ndarjen e Britanisë së Madhe nga BE-ja?

Faktori më i rëndësishëm që ndikoi në mbisundimin e votave për largim të Britanisë së Madhe nga BE-ja, është frika për të mos e humbur identitetin. Britania e Madhe me historinë dhe me ndikimin karakteristik që e ka në botë është një shtet që posedon një identitet ekskluziv. Shkrirja e Britanisë së Madhe, brenda BE-së filloi që t'i frikësoj ata. Ata gjithmonë kanë qenë në kundërshtim për një integrim të thellë në BE. Për shembull, Britania e Madhe, iu mundësoi banorëve të BE-së lëvizje të lirë, mirëpo nuk u kyç në Zonën Schengen, e cila kishte si qëllim largimin e kontrollit në pikat kufitare të shteteve të BE-së; ata nuk u kyçën as edhe në eurozonë, gjegjësisht nuk ndryshuan monedhën e tyre, por vazhduan që ta përdorin Paundin. Në këtë kontekst, Britania e Madhe gjithmonë ka qenë një shtet që ka kundërshtuar disa procese të BE-së, dhe gjithmonë ka preferuar që të ngelet jashtë saj. Mirëpo, banorët e Britanisë së Madhe, ishin të vetëdijshëm se vetëm duke i neglizhuar proceset e BE-së nuk do të munden ta mbrojnë veten e tyre, dhe se proceset e BE-së dal ngadalë filluan të ndikojnë në sovranitetin dhe identitetin e tyre karakteristike, gjë e cila çoi në rritjen e votave për dalje nga BE-ja.

Si do të ndikoj kjo në mbrojtjen e tërësisë brenda BE-së?

Është e pamundshme që BE-ja si një tërësi të mos ndikohet nga një proces i tillë. Kjo ishte një sulm ndaj fuqisë së butë të BE-së. BE-ja kishte një përkrahje të madhe nga Britania e Madhe edhe si shtet, por edhe nga vetë qytetarët e saj. Populli i Britanisë së Madhe është i arsimuar dhe i pasur. Humbja e një shtylle të tillë, për BE-në është një humbje e madhe. Në të njëjtën kohë, dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja mund të rris pakënaqësinë në shtetet e tjera anëtare të BE-së, gjë që mund të sjell në shkëputje të reja të shteteve anëtare në Evropë.

Sa është reale pretendimi i copëtimit të BE-së?

BE-ja është një strukturë mbi të cilën është menduar thellë e mirë, andaj mundësia e një copëtimi të shpejtë i BE-së është i pamundur. Copëtimi i BE-së vetëm mund ta çoj mbrapa në kohët e luftërave të parë dhe të dytë botëror. Të vetëdijshëm për një gjë të tillë ajo do të shtoj përpjekjet për të qëndruar bashkë dhe për ta përforcuar edhe më së shumti lidhjen mes shteteve anëtare të BE-së. Mirëpo, BE-ja i ka dy sfida përpara të cilët duhet t'i zgjedh; e para ka të bëj me bindjen e banorëve të shteteve anëtare të BE-së, se BE-ja nuk dëmton identitetin shteteve të tyre, por në të kundërtën ajo ua shton vlerën atyre dhe e dyta është se BE-ja duhet t'i jap më shumë rëndësi lirisë së shprehjes; duke i pranuar kritikat dhe duke mos i përkrahur vetëm shtetet që e përkrahin BE-në, por duhet t'i përkrah dhe t'i dëgjoj edhe organizatat dhe individët që janë kritikë ndaj tyre.

Shkurtimisht, BE-ja duhet të jetë më shumë demokratike. Në të kundërtën mund të shfaqet frika e humbjes së identitetit tek popullata të shteteve anëtare të BE-së, gjë që do të rriste pakënaqësinë e tyre.

Çfarë ndikimi ka largimi i Brtinaisë në vendin tonë dhe shtete të tjera të Ballkanit?

Vendimi i Britanisë së Madhe për të dal nga BE-ja do të ndikoj edhe në zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit. Shtetet e Ballkanit do ta humbin përkrahjen e një shteti, siç është Britania e Madhe, që i jepte shumë rëndësi zgjerimit brenda në BE Kjo gjë mund të ndikoj në anëtarësimin e Maqedonisë dhe shteteve të tjera të Ballkanit, dhe me shumë mundësi do të ndikoj. Mirëpo, nëse BE-ja e menaxhon këtë situatë me zgjuarsi, mund ta bëj të kundërtën, duke i dhënë më shumë rëndësi zgjerimit të BE-së. Kështu që përshpejton procesin e integrimit të shteteve të Ballkanit, duke i dhënë BE-së anëtarë të rinj.