Në Maqedoni Kultura E Debatit Pothuajse Nuk Ekziston Fare

Në Maqedoni Kultura E Debatit Pothuajse Nuk Ekziston Fare

Mungesa e kulturës së debatit mbetet ende një çështje mjaft komplekse në shoqërinë tonë, madje një çështje mjaft komplekse dhe pa zgjidhje thotë gazetari, komunikollogu Hamit Hajrullahu.

Ai thotë se ende në TV  liderët apo figurat politike nuk mund të zhvillojnë një debat të qytetëruar apo më mirë të themi një debat ku në radhë të parë në shprehje do të vijë kultura e të folurit, të qëndruarit, e komunikimit me opinionin. Pra janë këta elemente thelbësore që e përcaktojnë një debat. Ai i është përgjigjur pyetjeve të revistës Zaman në lidhje me këtë temë.

Shumica e shteteve që pohojnë se janë shtete demokratike nuk kanë kulturën debati mes oponentëve politike, siç është shembulli në SHBA-të dhe në shtetet e tjera të zhvilluara. Ç'është arsyeja e mos ekzistimit të një kulture të tillë debati dhe çfarë duhet të jenë rregullat për një debat politik të shëndoshë dhe të paanshëm? (Shembulli i debatit politik në SHBA është shembull i mirë)

Është fakt i pamohueshëm, se në vendet e dala nga sistemi komunist dhe të cilat edhe sot e kësaj dite, nuk mund të adaptohen në rregullat e qeverisjes së demokracisë dhe llogaridhënies, mungon debati në mes vetë elitave politike (drejtuesve kryesorë të saj). Po ashtu është e vërtetë se tek politikanët këtu në Maqedoni, qofshin ata të bllokut shqiptarë apo atij maqedonas, ka një mungesë totale të kulturës së debatit. Fitohet përshtypja se të gjithë dinë të flasin, por fatkeqësisht askush nuk di të dëgjojë, kështu që edhe në ato debate që zhvillohen në nivele më të ultë të përfaqësimit partiak, fitohet përshtypja sikur je në ndonjë treg apo bëhet fjalë për biseda që zhvillohen në serialet latino amerikane ku aktorët qortohen duke bërtitur të gjithë në të njëjtën kohë dhe askush, askënd nuk e dëgjon, ndërkohë që moderatorët marrin fjalën vetëm për të paralajmëruar bllokun e reklamave. Se cilat do të mund të ishin rregullat për të pasur debat të shëndoshë dhe të paanshëm, është shumë vështirë të thuhet, pasi kultura e debatit dhe mirësjellja nuk është një program kompjuterik të cilin e instalon dhe fillon të funksionojë, por është një gjë që zhvillohet bashkë me rritën e njeriut, që nga fëmijëria e deri në fund të jetës.

Çfarë reflektimi do të kishte prania e një kulture debati tek shoqëria jonë, dhe çfarë ndikimi do të kishte në atmosferën politike dhe në mënyrën e udhëheqjes?

Sikur të kishte kulturë debati në shoqërinë tonë, me siguri nuk do të kishte hendeqe kaq të thella ndarëse në mes, jo vetëm taborëve të ndryshme politike, por mbi të gjitha në mes vetë popullatës (elektoratit), të cilët sigurisht që duke marrë shembull figurat publike, në radhë të parë ato politike edhe vet e aplikojnë një lloj të tillë të “debatit”, ku gjithmonë “unë kam të drejtë”, pa marrë parasysh se sa ka njohuri dhe aq me keq, sa është i vetëdijshëm për atë që flet.

Deri vonë ka pasur debate politike në kanale të ndryshme të vendit dhe përnjëherë janë ndërprerë. Vallë, ndërpritja e debateve politike kanë të bëjnë me atë se kanalet televizive në vend janë prapavija politike kështu që edhe politikanët druhen nga ajo se edhe pyetjet që do të parashtrohen do të jenë selektive apo ka të bëj me ndonjë situatë tjetër?

Nuk besoj se debatet politike do të ndërpriten, ndoshta vetëm do të ndryshojnë pak formën. Sa i përket frikës së politikanëve nga pyetjet e palakmueshme, mendoj se kjo nuk qëndron, pasi edhe deri më tani jemi dëshmitarë të asaj se ata thuajse asnjëherë nuk japin përgjigje koncize për pyetjen që iu parashtrohet, por flasin gjithmonë për atë që dëshirojnë, pa marrë parasysh se ka të bëjë ose jo me temën që diskutohet.

A mund të jetë debati shkak që votuesit e pa përcaktuar të votojnë njërin nga kandidatet ?

Debati në këtë mënyrë siç zhvillohet tani, nuk ka kurrfarë ndikimi në përcaktimin e të pa përcaktuarve, pasi realisht për momentin, debati nuk ekziston, por bëhet fjalë vetëm për grindje verbale dhe akuza të ndërsjella në mes aktorëve politik. Sikur të kishte debat të mirëfilltë..., ndoshta, por duhet ta kemi të qartë një gjë, nuk mund në një shoqëri të kulturuar të kemi politikanë të pakulturuar!

Ne aspektin psikologjik sa rendësi ka kultura dhe sjellja gjatë debatit kur akuzat dhe kundër akuzat ne mes kandidateve janë te ashpra?

Një gjë e tillë ka rëndësi mjaft të madhe, veçanërisht tek aktivistët dhe simpatizantët e një subjekti të caktuar, pasi ata janë të prirë që të imitojnë sjelljet dhe veprimet e liderit dhe drejtuesve të tjerë të subjektit ku aderojnë. Kështu, sa herë që retorika e drejtuesve fiton në ashpërsi, rriten edhe tensionet dhe thellohen hendeqet në mes kampeve të ndryshme partiake.

A mendoni se metoda e debatit politik të shembullit amerikan do të ishte një metodë më e sofistikuar? Siç e dini në SHBA pyetjet që u parashtrohen liderëve politik janë të natyrës së njëjtë dhe kanë kohë të caktuar, ku prezantuesi nuk përzihet fare dhe në vend që debati të zhvillohet në hapësirat e kanaleve televizive, debatet zhvillohen në Universitete dhe në hapësirat e shoqatave joqeveritare?

Mendoj se një krahasim i këtillë është i krejtësisht i pavend. Është njëjtë sikurse të krahasohet transporti publik në një qytet amerikan me atë këtu tek ne!!!
Pikë së pari këtu nuk besoj se ka moderatorë të cilët do të kishin mundur që të mbanin tërë debatin në kornizat e paracaktuara. E dyta tek politikanët këtu, pa marrë parasysh pozitën (përjashtim mund të bëjnë shumë pak raste), ndërhyrja në fjalë bashkëbiseduesit, akuzat e pa baza dhe të flasësh për atë që dëshiron dhe jo për atë që pyetesh, shihet si vlerë dhe jo dobësi. E treta, por jo më pak e rëndësishmja është se sikur debatet të organizoheshin në ambiente jashtë studiove televizive, por në praninë e publikut, për dallim nga publiku amerikan që e ka shumë të rëndësishme duartrokitjen për favoritin e tij, këtu do ishte e kundërta, sa të fuqishme do ishin vërshëllimat dhe britmat ndaj kundërshtarit. Fatkeqësisht, jemi shumë larg, debatit të mirëfilltë.

Please publish modules in offcanvas position.