Në SHBA Çelësi Për Fitore Është Debati Në Tv, Kurse Në Vendet Me Demokraci Të Brishtë Fitore Konsiderohet Mungesa E Debatit

Në SHBA Çelësi Për Fitore Është Debati Në Tv, Kurse Në Vendet Me Demokraci Të Brishtë Fitore Konsiderohet Mungesa E Debatit

Debatet televizive ndërmjet kandidatëve për kryetar shteti ose në mes liderëve të partive politike më të mëdha në vend shihen si thelbësore dhe vendimtare që përcaktojnë fituesin. 

Në shumë shtete deri më tani është konstatuar se ballafaqimi direkt në mes kandidatëve shihet si e vetmja rrugë për të bindur opinionin se cili është më i miri. Në vendet e zhvilluara demokratike ku në garë janë dy kandidatë ose dy lider të partive  gjithçka vendoset brenda 90 minutave respektivisht nga ballafaqimi direkt në mes tyre. Sipas disa të dhënave një gabim ose një deklaratë e papërgjegjshme mund të çojë në humbjen e zgjedhjeve edhe përkundër faktit se sondazhet kanë favorizuar atë. Pra, në debat qytetarët kanë mundësi të shikojnë se cili nga kandidatët është më bindës, më i aftë dhe kujt mund t’i besojnë ata. Fatkeqësisht në Maqedoni, deri më tani nuk është zhvilluar asnjë debat televiziv ndërmjet kandidatëve për kryetar shteti ose liderëve të partive politike nga ku qytetarët do të mund të kuptonin  se cili nga këta është i aftë për të drejtuar vendin. Ikja nga debati tek ne shihet si zgjidhja më e mirë nga vetë liderët dhe kandidatët. Akuzat e pabaza para debatit bëhen me qëllim që t’i shmangen ballafaqimit të drejtpërdrejtë.

Kultura e debatit parazgjedhorë në SHBA-të Nga Kenedi dhe Nikson, deri te Klinton dhe Trump

Debati presidencial mes Hillary Klinton dhe Donald Trump më i shikuar në historinë televizive.

Debati presidencial në mes Hillary Klinton dhe Donald Trump, është shikuar nga 84 milionë njerëz në televizionet amerikane, duke thyer rekordin e vendosur 36 vjet më parë që ishte debati mes Jimmy Carter dhe Ronald Reaganit, në vitin 1980, i cili kishte tërhequr 80.6 milionë shikues, duke mbajtur kështu rekordin për 36 vite.

Faktikisht, këto shifra janë marrë vetëm nga shikueshmëria në 11 kanale televizive amerikane çka do të thotë se shifrat reale mund të jenë akoma më të larta. Po ashtu, debati ka tërhequr vëmendje botërore, pasi është shikuar edhe on-line nga një numër i madh i njerëzve.

Kandidati Presidencial nga radhët e demokratëve, Hillary Clinton, dhe rivali i saj republikan, Donald Trump realizuan tre debate të ashpra, për të cilët votuesit amerikan do të japin vendimin e tyre finale në zgjedhjet e 8 Nëntorit.

Gara retorike që për herë të parë u shfaqën në ekranet televizive të SHBA-ve në vitin 1960, në skenën e politikës moderne amerikane sollën momente dhe citate të paharruara. Ja një pamje nga momentet më të rëndësishme në më shumë se pesë dekada.

1960

  • Debatin e parë presidencial televiziv në SHBA-të e përcjellën mbi 70 milion shikues. Në këtë debat presidencial morën pjesë dy kandidatët për president, nga njëra anë kandidati republikan Riçard Nikson dhe nga ana tjetër kandidati demokrat, Xhon F. Kenedi. Nikson ishte në shërim me qëndrim në spital dhe nën-kapakun e syve i kishte të fryrë ngaqë kishte refuzuar që t'i bëjnë makijazh para se të dilte në ekranet televizive. Ndryshe nga Nikson, Kenedi në këtë debat shkëlqente dhe kishte një qëndrim më karizmatik. Premtimet e Kenedit dhe qëndrimi që tregoi në këtë debat bëri që të del fitues nga zgjedhjet.

1976

  • Në debatin e parë presidenciale para ekraneve televizive, i cili u zhvillua pas 16 vjetëve pas atij të 60-ve, kandidati demokrat Xhimi Karter u ballafaqua me kandidatin republikan dhe kryetarin jo të zgjedhur aktual, Xherald Ford. Karter ishte favoriti i debatit dhe i fitoj zgjedhjet. Në këtë debat Ford kishte thënë se nuk ekziston dominim sovjetik në Evropën Lindore, dhe përderisa unë jam në udhëheqësi asnjëherë nuk ka me pas dominim”.

1980

  • Karter u shfaq vetëm në debatin e dytë kundër republikanit Ronald Regan, sepse të parin e kishte bojkotuar për shkak të pjesëmarrjes në debat të një kandidati të tretë, Xhon Anderson. Presidenti Karter e fajësoi Reganin, se është duke planifikuar uljen e numrit të mjeteve për mbrojtje shëndetësore për të moshuarit. Regan ndërkohë u ankua se Karter, është duke i lakuar qëndrimet e tij dhe pas shumë pyetjeve të parashtruar tha: “Ja përsëri e bëri të njëjtën” dhe buzëqeshi, gjë që bëri publikun të qeshte dhe kjo fjali u bë shumë popullore në SHBA. Regan doli fitimtar në zgjedhjet presidenciale. Këtë debat televiziv e përcollën 80,6 milion shikues, që fitoi nocionin si debati më i shikuar në historinë e SHBA-ve dhe që vazhdoi si e tillë deri në debatin e parë  mes Hillary Clinton dhe Donald Trump të cilën e përcollën mbi 84 milionë njerëz. Debatin mes Regan dhe Karter e shikuan afër 80,6 milionë njerëz. Fitues i zgjedhjeve presidenciale doli kandidati republikan Reonald Regan përballë kandidatit demokrat, Xhimi Karter.

1984

  • Regan, tani më 73 vjeçar, me sukses arriti që ta bëj pjesë të debatit punën, moshën dhe përvojën duke i parashtruar kundër kandidatit të tij, Valter Mondejl (56), pyetjen në debatin e dytë presidencial për moshën e tij. Kurse, Valter Mondejl në retorike ia ktheu: “Dua që të ta bëj me dije se unë nuk do ta marr moshën si temën e kësaj kampanje. Nuk do ta eksploatoj për qëllime politike  rininë dhe papërvojën të kundërshtarit tim”. Regan u rizgjedh si president i SHBA-ve.

1988

  • Në debatin e dytë presidencial, në të cilën morën pjesë kandidati republikan president Xhorxh H.V. Bush dhe kundër kandidati i tij nga radhët e demokratëve, Majkëll Dukakis, ku kandidati republikan në një pyetje të hapur drejt guvernatorit të krahinës Masaçusets, për atë se a do të ishte përpjekur për ta sjell dënimin me vdekje për një person që do t'ia kishte përdhunuar dhe do t'ia kishte vrarë gruan e tij. Pyetja ishte bërë me qëllim që të prezantohej ana njerëzore e një kandidati që njihej me nofkën, “Njeriu akull”. Përgjigja e tij e me shumë vështirësi të një pyetjeje shumë emocionale dha një efekt të kundërt. Bush u rizgjedh si president i SHBA-ve.

1992

  • Në të tre debate të këtij viti, për herë të parë të tre kandidatet – Bush, demokrati Bill Klinton dhe kandidati i pavarur Ros Pero – e ndanin platformën e njëjtë. Klinton doli si fitues i zgjedhjeve.

1996

  • Në debatin e dytë mes republikanit Bob Doll dhe Bill Klinton, Doll pranoi një pyetje nga një student universitarë i cili e kishte pyetur për atë se a nuk e konsideron veten si shumë të moshuar si një person në moshë 73 vjeçar për t'i kuptuar nevojat e të rinjve. Ai u përgjigj se në moshën e tij janë shumë domethënëse intelekti dhe përvoja që nënkupton se ka përparësi në zgjuarsi. Klinton ia ktheu: “Vetëm mund të them se nuk mendoj që senatori Doll është shumë i moshuar për tu bërë president. Unë më shumë dyshoj në plakjen e ideve të tij”. Klinton ishte rizgjedhur për president.

2000

  • Zvpresidenti All Gor dhe rivali i tij republikani, Xhorxh Bush morën pjesë në tre debate. Bush në këtë debat pranoi të ketë bërë gabime duke shtuar se ai më shumë njihet me atë se sakatoj nga një apo dy rrokje në fjali. Në ballafaqimin e parë, Gor shtroi kritika negative për pëshpërimat e zëshme të Bush gjatë fjalimit në debate. Guvernatori i Teksas dhe djali i Xhorxh H.V. Bush fitoi në këto zgjedhje.

2004

  • Debati i fundit mes Xhorxh Bush dhe senatori Xhon Keri, nga radhët e demokratëve votuesve iu shfaq si një kontrast i ashpër në stilin e kandidatëve, ku Bush përqendrohej në argumente të thjeshta, kurse Keri zbardhi fakte të shumta për ta prezantuar rastin e tij. Bush ishte fitues i zgjedhjeve.

2008

  • Të tre ballafaqimet mes Obama dhe Xhon Mekejn i ndoqën afër 57.4 milionë shikues, më shumë se përqindja e të tre debateve që u zhvillua në vitin 2004. Senatori republikan, Xhon Mekejn, me shpinën të mbështjell në mur, përfaqësimin e tij më të mirë e tregoi në debatin e fundit, mirëpo senatori demokrat Barak Obama fitoi garën për tek Shtëpia e Bardhë.

2012

  • Në debatin e parë kundër kundërshtarit të tij republikan Mir Romni, Obama tregoi një paraqitje negative, gjë që ishte një surprizë e madhe dhe shqetësim për përkrahësit e tij. Mirëpo, në debatin e dytë, në pyetjen për rrogë të barabartë të të dyja gjinive, Romni deklaroi se ka një “fletore të mbushur me gra” si kandidate që do të punonin në kabinetin e tij. Kjo frazë u bë shumë popullore në rrjetet sociale, me tituj, ilustrime origjinale dhe grupe në Facebook, ku ish-guvernatori i Masaçusec ishte bërë mjetë shakaje. Edhe në këto zgjedhje fitues doli Obama.

GJERMANI: Nuanca të vogla të debatit përcaktojnë fituesin

Debatet televizive në Gjermani para zgjedhjeve parlamentare kanë një traditë të gjatë. Në vitet 1970-të dhe 1980-të ishte e zakonshme, që kandidatët kryesorë të të gjitha partive takoheshin në raunde bisedash televizive që zgjasnin deri në katër orë duke trajtuar temat e luftës elektorale. Kjo traditë megjithatë u ndërpre pas zgjedhjeve në vitin 1987. Konkurruesve në zgjedhje përgjatë viteve 1990-të u duhej të prezantoheshin pa raunde të tilla diskutimi.

Debati më i ndjekur në Gjermani ka qenë ai në mes kancelares Angela Merkel (Unioni Kristiandemokrat) dhe sfiduesi i saj Frank-Walter Steamier i Partisë Socialdemokrate, të cilët ishin të rezervuar në sulmet ndaj njëri-tjetrit.

Një nga temat e para të debatit ishte kriza ekonomike. Angela Merkel u shpreh për koordinim në nivel ndërkombëtar: "Ne kemi nevojë për rregulla në tregun ndërkombëtar financiar, nga njëra anë, dhe për eksportimin e parimeve të tregut social. Prandaj edhe unë jam për një rregulla ndërkombëtare për ekonomi të qëndrueshme," tha ajo.

Ndërsa rivali i saj Steinmeier u tregua më sulmues duke kujtuar padrejtësinë që ekziston për shkak të të ardhurave tepër të larta të menaxherëve dhe pagave tepër të ulëta të punonjësve të thjeshtë: "Prandaj, Zonja Merkel, nuk mjafton vetëm të përmirësojmë kontrollin në nivel ndërkombëtar, por ne duhet të fillojmë me ndryshime edhe brenda vendit, e kjo do të thotë, që t'u vëmë kufi të qartë rrogave të menaxherëve, boneve si dhe shpërblimeve kur ata largohen nga puna." Po ashtu Steinmeier u shpreh për vendosjen e kufirit të poshtëm të pagave, pasi shumë njerëz në Gjermani nuk janë në gjendje të jetojnë nga pagat e tyre dhe krahas rrogës marrin edhe ndihmë nga shteti.

Ata kishin qëndrime diametralisht të kundërta për tatimet

Në përgjithësi të dy kandidatët dolën që ishin në konsensus: Dallimet ishin në nuanca të vogla. Vetëm për një çështje ata u pozicionuan qartë në fronte të kundërta: Ndërsa Merkel është për uljen e tatimeve për ndërmarrjet, duke premtuar kështu më shumë rritje ekonomike si zgjidhje për të dalë nga kriza, Steinmeier-i thotë se kjo është e parealizueshme: "Në se ju do të kërkoni të ulni tatimet me 50 miliardë euro, atëherë për t'i re-financuar ato na duhet një rritje ekonomike prej 9 për qind, e këtë Gjermania nuk e ka pasur kurrë në historinë e saj," argumentoi ai.

Nuanca të vogla përcaktuan fituesin

Psikologët në mënyrë të hollësishme e kanë analizuar këtë debat dhe sipas tyre kanë mjaftuar dy moment kyç të cilët kanë përcaktuar edhe fituesin. Sipas tyre gjatë debatit -Walter Steinmeier kur i është ofruar kafeja ai nuk e ka pranuar në dorë, por i ka thënë që ta vendosin në tavolinë dhe ky moment nga psikologët është konsideruar si shenjë nervozizmi, dhe moment i dytë ka qenë se gjatë debatit disa herë atij i janë dridhur flokët si pasojë e shenjave të pasigurisë. Pra psikologët gjerman nuk janë ndalur në deklaratat e tyre, por thjesht tek siguria dhe qëndrimi i tyre gjatë debatit.

SHQIPËRI 2002

Debati: Nano dhe Berisha dolën publikisht në një debat televiziv në janar të vitit 2002, në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu. Të dy krerët e politikës shqiptare pranuan të ulen përballë njëri-tjetrit pas shumë viteve. Ka qenë pikërisht këmbëngulja e ndërkombëtarëve për të zgjedhur një president konsensual, e cila ka bërë që Nano dhe Berisha të debatojnë dhe të përplasin mendimet e tyre në lidhje me këtë çështje. Të dy kundërshtarët pranuan ofertën e gazetarit Blendi Fevziu, ndërkohë që ky ka qenë edhe takimi i parë i tyre që u hapi rrugën më pas takimeve të tjera dhe negociatave për zgjedhjen e presidentit konsensual në korrik të vitit 2002. Gjatë këtij debati të parë, fillimisht gjithçka nisi qetë, por më pas çdo gjë u acarua, pasi Nano ka përmendur vitet e burgut, për të cilat ai ka fajësuar Berishën dhe regjimin e tij. Për një farë periudhe marrëdhëniet mes tyre kaluan qetë deri në zgjedhjet që u zhvilluan në Elbasan, ku u zgjodh deputete Valentina Leskaj. Nano dhe Berisha ishin së fundi edhe në selinë e Presidencës ku firmosën Kodin e Etikës, por midis tyre nuk pati asnjë shtrëngim duarsh dhe as ndonjë përshëndetje. Viteve të fundit edhe në Shqipëri liderët e partive kryesore politike nuk pranojnë ballafaqim të drejtpërdrejtë në televizion.

Please publish modules in offcanvas position.