Televizioni dhe interneti prishin ekuilibrin psikik të fëmijëve

Televizioni dhe interneti prishin ekuilibrin psikik të fëmijëve

Është konstatuar se televizioni dëmton ekuilibrin psiko-fizik të fëmijëve, gjuhën, fjalorin, komunikimin dhe aftësitë motorike. Qëndrimi i gjatë përpara televizorit shkakton te fëmijët efekte negative në zhvillimin e tyre psikologjik, mental dhe fizik. Ashtu siç është i rëndësishëm zhvillimi i fëmijës deri në moshën 2 vjeç, po aq i rëndësishëm është edhe zhvillimi i trurit të tij.

Fëmijët kanë nevojë për një komunikim aktiv me fëmijët e tjerë, për lojëra interaktive, për një zhvillim të shëndetshëm të trurit.

Nisur nga ky fakt, familjet duhet të flasin shpesh me fëmijët, të komunikojnë direkt me ta, të vishen me rroba shumëngjyrëshe, për të ngjallur interesin e fëmijëve dhe rritjen e përqendrimit të tyre. T’i marrin fëmijët në krahë dhe t’i puthin shpesh. Të mos i lënë me orë të tëra para televizorit, vetëm me mendimin se kështu nuk bëjnë zhurmë. Për një zhvillim më të shëndetshëm emocional dhe social sugjerohet rritja dhe edukimi i fëmijëve me metodat tradicionale dhe në një mënyrë sa më të hapur.

Në ç’masë prindërit bëjnë kontrollin e fëmijëve sa i përket shikimit të televizionit dhe përdorimit të internetit? Si duhet bërë ky kontrollim?

S’do mend se mediumet luajnë një rol të madh në shoqëri dhe se ato janë të involvuara në çdo shtresë të shoqërisë dhe në çdo familje. Nëse merren parasysh kushtet dhe rrethanat në të cilat jetojmë sot dhe zhvillimin tekniko-teknologjik të shoqërisë apo shoqërinë informative, padyshim që njerëzit e veçanërisht të rinjtë sot kanë fituar varshmëri të skajshme nga mediumet, sidomos  nga interneti.

Nëse kihet parasysh fakti se sa kanë ndikim mediumet, televizioni dhe interneti, pa hezitim mund të thuhet që ato aq sa kanë ndikim pozitiv po aq kanë edhe ndikim negativ në shoqëri.

Shpesh herë ndikimi negativ është  me përmasa shumë më të larta, veçanërisht te gjeneratat e reja, atëherë kur ato nuk e kanë nivelin e duhur edukativ-arsimor, si dhe kur keqpërdoren nga të rinjtë. Roli i familjes duhet të jetë tepër i madh ndaj fëmijëve, sidomos në fazën e pubertetit të tyre.

Në këtë rast vjen në shprehje funksioni edukativ-arsimor, gjegjësisht socializues i familjes, e cila e ka për detyrë edukimin dhe ngritjen profesionale të tyre. Familja ka obligim që fëmijët e vet t’i përgatisë për përvetësimin e roleve të reja në shoqëri, që ata të integrohen në dhe të bëhen pjesë e funksionalitetit të shoqërisë. Padyshim që familja duhet të ketë një kontroll ndaj fëmijëve kur vjen në shprehje ndikimi mediatik, por jo  në kuptimin represiv patriarkal dhe autoritar, porse në kuptimin e kultivimit të personalitetit dhe vlerave humane të fëmijëve si ardhmëri e shoqërisë.

Përveç familjes, edhe mediumet shërbejnë si burim i socializmit të tyre. Ky lloj socializimi mund të jetë në kontekst pozitiv, por edhe negativ. Ana pozitive e mediumeve ka të bëjë me emetimin e programeve televizive, të cilat kanë përmbajtje edukative dhe arsimore dhe bëjnë ngritjen dhe avancimin e vlerave të mirëfillta, të cilat do të bëhen pjesë përbërëse e personalitetit të fëmijës. Kurse, ana negative e mediumeve ka të bëjë me ekspozimin e vlerave të dyshimta, të cilat ndikojnë që te bota fëmijërore të paraqitet shmangia apo devijimi si dukuri sociopatologjike.

Gjithsesi se familja duhet të ketë qasje fenomenologjike në kontrollimin e fëmijëve të tyre, duke marrë parasysh që  ata janë pjesë e projektit të planifikimit familjar. Ky kontrollim duhet të zbatohet veçanërisht në fazën e adoleshencës apo të pubertetit, atëherë kur fëmija është në kërkim të identitetit, kërkesa këto të cilat vijnë si pasojë e ndryshimeve psiko-fizike dhe fiziologjike.

Sa ka nevojë për zbatimin e rregullave restriktive të shikueshmërisë së TV-së, dëgjimit të radios dhe përdorimit të internetit në familje?

metush sulejmaniNë çdo familje ka nevojë që të vihen rregulla në përcjelljen e mediumeve e sidomos të televizionit dhe internetit, por jo në kuptimin represiv dhe diskriminues, e cila vjen nga familjet patriarkale,  disfunksionale dhe jo kohezive. Sot shumë familje nuk kanë qasje në kontrollimin e fëmijëve të tyre, çka do të thotë që fëmijëve iu jepet një liri skajshmërisht e madhe ndaj mediumeve, ku vjen edhe deri te keqpërdorimi i tyre.

Përkundrazi, prindërit janë ata që duhet ta menaxhojnë çështjen e përdorimit të mediumeve. Mediumet shpeshherë demonstrojnë akte dhune përmes filmave aksionale dhe luftarake, dhunë e cila në personalitetin e fëmijës shkakton traumë, e cila më vonë do të ketë edhe reperkusione tjera të dëmshme për shëndetin mental të tij.

Edhe eksperimentet shkencore i kanë vërtetuar këto të dhëna se nëse fëmija një kohë të gjatë i ekspozohet dhe është nën ndikimin e filmave, ku demonstrohet terrori dhe dhuna ekstreme, një pjesë bukur e madhe e tyre më vonë do të merren me zbatimin praktik të kësaj dhune. Raste të këtilla janë të shumta psh. shpeshherë ka ndodhur që një adoleshent me aktivitet të armatosur të shkaktojë krim dhe masakër qoftë në shkollë, në rrugë e gjetiu.

Në anën tjetër, edhe përdorimi i internetit pa kontroll dhe “pa censurë” nga ana e fëmijëve ka pasoja të mëdha negative dhe atë në dy kuptime: në njërën anë i riu –fëmija i cili e përdor pa kufi internetin do të fitojë një varshmëri psikologjike, e cila përveç pasojave shëndetësore, ka edhe efekte negative në procesin arsimor në shkollë, kurse në anën tjetër mund të vjen deri te keqpërdorimi i internetit siç është pornografia, filma me përmbajtje erotike, që nuk janë në përputhje me moshën e tyre.

Shkencëtarët që merren me patologji sociale kanë vërtetuar që pornografia është hyrje në kriminalitet. Si rezultat i këtyre pasojave negative të mediumeve, me të cilat po ballafaqohet shoqëria njerëzore në tërësi e po ashtu edhe shoqëria jonë, familja ka rol primar në programimin e veprimtarisë  mediatike ndaj fëmijëve, me qëllim që këta fëmijë të edukohen dhe arsimohen drejt, në frymën e vlerave të mirëfillta.

Nëse nuk bëhet kontrolli, çfarë pasojash mund të ketë fëmija

Nëse nga ana e familjes nuk ka kontroll në kuptimin e bashkëpunimit, qortimit, sugjerimit, me qëllim që këta fëmijë të mos devijojnë nga fryma e rregullave dhe sistemit normativ, atëherë pasojat mund jenë të paparashikueshme dhe të dëmshme, si për vetë adoleshentin, familjen e tij, ashtu dhe për shoqërinë në tërësi.

Si pasojë e këtyre aktiviteteve destruktive të mediumeve, e veçanërisht të televizionit dhe internetit, fëmija shumë lehtë i nënshtrohet botës së krimit. Shpeshherë fëmijët e lënë pas dore në aspektin edukativ dhe socializues, fillojnë të merren me praktikimin e sjelljeve devijonte, siç janë prostitucioni, alkoolizmi, narkomania, vetëvrasjet, kriminaliteti etj.

Çfarë shoqërie mund të presim në këto rrethana, nëse kemi një mangësi në kontrollimin e gjërave te gjeneratat e reja?

Nëse vazhdohet me mangësi të përhershme në kontrollimin dhe mbikëqyrjen e fëmijëve në përgjithësi, e veçanërisht në aspektin medial, atëherë do të kemi dhe do të kultivojmë një shoqëri me përmbajtje anarkike, anemike dhe disfunksionale. Kjo do të thotë që familjet me vetëdije vazhdojnë të prodhojnë antivlera, me të cilat iu hapet rruga dukurive sociopatologjike, të cilat e brejnë shoqërinë nga brenda, duke i dhënë asaj tendenca të fuqishme dekadente në kuptimin aksiologjik.

Jo rastësisht thuhet që fëmijët apo rinia është ardhmëria e çdo shoqërie, prandaj familjet dhe shoqëria në tërësi kanë obligim moral dhe atdhetar që të kujdesen për këtë grupmoshë, e cila edhe i ka specifikat e veta të veçanta. Këto elemente dekadente janë prezent dhe vërehen edhe praktikisht në mjediset e theksuara shoqërore. Hulumtimet shkencore e vërtetojnë këtë fenomen, duke e shprehur edhe përmes të dhënave statistikore, ku vërehet që një pjesë bukur e madhe e rinisë sot merret me përdorimin e alkoolit, të substancave narkotike e deri te format më të lehta apo më të rënda të kriminalitetit.

Këto dukuri sociopatologjike te rinia sot kanë filluar të praktikohen në moshë edhe më të hershme, që është një indikator dhe alarm se shoqëria është në rrezik që të ruajë funksionalitetin dhe ekuilibrin shoqëror. E gjithë kjo flet mjaft se nëse vazhdohet me këtë apati shoqërore, e cila fillon që nga familja e deri te institucionet relevante shtetërore, atëherë nuk mund të kemi shoqëri të shëndoshë.

Telenovelat thuajse në çdo shtëpi janë prezent dhe shikohen nga e gjithë familja, çfarë mendoni për këto?

Është e vërtetë që telenovelat sot janë prezent dhe vazhdojnë të kenë një kontinuitet të shikueshmërisë në shoqërinë tonë. Këto telenovela që importohen nga vendet e huaja, kanë një shikueshmëri tepër të madhe, sa që mund të thuhet që familjet tona kanë fituar një varshmëri të theksuar nga këto seriale. Përgjegjësia ndaj këtyre vlerave të dyshimta të këtyre telenovelave iu bie si institucioneve shtetërore, ashtu edhe vetë familjeve.

Çdo telenovelë që prodhohet është rezultat i frymës dhe vlerave kolektive të çdo vendi, të cilat edhe i pasqyrojnë këto vlera. Para se të bëhet emetimi i tyre është e nevojshme që nga ana e ekspertëve të studiohen përmbajtjet e këtyre telenovelave, si nga ana pedagogjike, morale, arsimore, sociologjike, ashtu edhe nga ana etnopsikologjike.

Shpeshherë këto seriale nuk janë kompatibile me frymën e vlerave të një populli, që do të thotë se në këtë rast shkaktojnë disproporcionalitet aksiologjik.

Shoqëritë njerëzore, në aspektin ekonomik, social, politik dhe kulturor, sado që janë identike, megjithatë nuk janë të njëjta dhe dallohen nga njëra-tjetra. Secila shoqëri dallohet me vlerat e veta kulturore, të cilat e shprehin mentalitetin dhe mënyrën e të jetuarit të atyre shoqërive.

S’do mend se këto vlera kulturore pasqyrohen edhe përmes këtyre telenovelave, të cilat kur depërtojnë në një vend apo shoqëri që ka vlera kulturore specifike, atëherë bie ndesh me vlerat vendore dhe shkaktojnë çoroditje në aspektin moral, psikologjik dhe shoqëror.

Rritja e numrit të divorceve a është  pasojë e fenomenit të telenovelave?

Mund të thuhet që përmbajtja kulturore e këtyre telenovelave mund të shkaktojë nxitje apo motivim për divorce, por kjo nuk është në nivel të njëjtë në tërë vendin, sepse një shoqëri nuk është njëjtë e zhvilluar në nivelin global. Ky fenomen mund të ndodh veçanërisht te të rinjtë dhe në ato vende dhe familje të cilat kanë qenë të izoluara nga vlerat qytetëruese. Kur këto telenovela shikohen vazhdimisht për një kohë të gjatë, padyshim që ato do të kenë efekt negative në jetën e të rinjve, sepse kjo kategori e të rinjve dalëngadalë heq dorë nga vlerat vendore dhe fillon t’i përqafojë vlerat e huaja, duke e identifikuar veten pikërisht me ato vlera.

Nëse thellohet përdorimi i rrjeteve sociale, a mendoni se mund të kemi një gjeneratë të asocializuar?

Është shumë e vërtetë se ky lloj sistemi medial që është tepër dinamik dhe i hovshëm, veçanërisht te të rinjtë, do të ndikojë që mos të fitojmë një gjeneratë të socializuar sipas kërkesave të shoqërisë sonë. Faktikisht, mediumet si burim i socializimit kryejnë efektin e vet socializues, por këta të rinj do të socializohen sipas sistemit të vlerave të vendeve të huaja, kurse sa i përket shoqërisë sonë, ky socializim do të jetë me plotë mangësi.

Ky defekt socializues përfundon me dezintegrim të të rinjve në shoqëri, te të cilët paraqitet një lloj nën-kulture apo kundër-kulture,  e cila do të jetë në konflikt me kulturën vendore dhe e cila vazhdimisht do të nxisë tensione të vlerave, të cilat më vonë do të shërbejnë si hyrje në botën e dukurive sociopatologjike.

Cila do të ishte, sipas jush, alternativa për zbutjen e këtij fenomeni?

Alternativa më efikase do të jetë angazhimi institucional i shoqërisë për edukimin dhe arsimimin e të rinjve, ku rol primar ka institucioni i familjes, shkolla, ministria e arsimit dhe institucione tjera adekuate për problemin në fjalë.

Ky koordinim mes këtyre institucioneve duhet të jetë dialektik, përmbajtjesor dhe me përgjegjësi për socializimin e të rinjve, me qëllim që ata më lehtë të integrohen në shoqëri dhe të bëhen pjesë funksionale e shoqërisë.

Kjo alternativë duhet të fillojë që nga familja, ku prindërit me përgjegjësinë më të madhe duhet të angazhohen për edukimin e fëmijëve të tyre dhe ku edukimi vazhdon në shkollë përmes kurikulave, teksteve shkollore dhe kuadrit arsimor.

Çfarë pasojash negative mund të sjellë në një shoqëri zhvillimi i shpejtë teknologjik, nëse nuk ndërmerren masa kontrolluese?

Zhvillimi i shpejtë teknik-teknologjik i shoqërisë ka anën pozitive, por edhe atë negative. Sado që ky zhvillim teknologjik ka të bëjë me shoqërinë informative dhe të dijes, megjithatë ky zhvillim ka edhe mangësitë e veta, të cilat ndërlidhen me tjetërsimin e qenies njerëzore. Sa më tepër që zhvillohet shoqëria aq më tepër rriten ndjenjat egoiste te njerëzit dhe njeriu shndërrohet në një objekt të zhveshur nga vlerat e veta humane.

Sa më tepër që zhvillohet shoqëria, aq më tepër zbehen vlerat morale dhe solidariteti mes njerëzve. Në shoqëritë e zhvilluara nuk fetishizohet qenia humane e njeriut, por paraja dhe bizneset fitimprurëse.

Prandaj çdo shoqëri duhet të niset nga një moto filozofike se asgjë njerëzore nuk duhet të jetë e huaj, e anashkaluar dhe e nëpërkëmbur nga të tjerët.

Please publish modules in offcanvas position.