Unifikimi i Alfabetit të gjuhës shqipe ishte orientim drejt Evropës

Unifikimi i Alfabetit të gjuhës shqipe ishte orientim drejt Evropës

22 Nëntor 1908, Kongresi i Manastirit solli vendim për një alfabet të vetëm unik të gjuhës shqipe.

Kongresi i Manastirit (apo Kongresi i Alfabetit) është tubimi i dijetareve shqiptarë më 14 nëntor - 22 nëntor 1908 në Manastir, për përcaktimin e alfabetit të gjuhës unike shqipe. Gjatë zhvillimit të letërsisë shqipe u hartuan disa alfabete të ndryshme. Një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stamboll. Megjithatë, mendimi i përgjithshëm ishte se shkronjat jolatine nuk ishin aspak të pranueshme për prodhimin e letërsisë shqipe dhe gjuhës kombëtare shqipe.

Për këtë arsye, shoqëria aktive dhe idealiste ‘'Bashkimi'' në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. Prandaj më 14 Nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit.

Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjypt, Amerikë etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit. Mithat Frashëri, në atë kohë ishte redaktor i dy revistave që botoheshin në Selanik: Liria dhe Dituria. Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigori Cilka, nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë. Në atë Kongres merrnin pjesë shqiptare te fese myslimane, katolike, ortodoksë, protestant, njerëz të ditur dhe te gjithë erdhën së bashku të bashkuar si vëllezër për një qëllim të madh kombëtar.

Kongresi me votë unanime vendosi të lenë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, dhe që përdoret deri më ditët tona. Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë, në një gjuhë të njësuar shqipe.

Në Manastir u hap dhe shtypshkronja, e cila financohej nga një grup tregtarësh atdhetar myslimanë shqiptar. Shtypshkronja e Manastirit shpejtë u bë e njohur në të gjithë Shqipninë si shpërndarëse e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe. Në këtë punishte ishin të punësuar 17 vetë, të cilët punonin me një makinë të re që vihej në lëvizje me dorë, për të shtypur gazetën e përjavshme “Bashkimi i Kombit” si dhe abetaret shqipe dhe tekstet shkollore.

Klubi i Manastirit u caktua si qendra për krijimin e një Federate të Klubeve Shqiptare në Shqipni dhe në kurbet. Qëllimi i Klubeve ishte përhapja e gjuhës dhe arsimit shqip, pa u përzier me politik. Klubi korçar ‘'Përparimi'' u caktua si qendra financiare, që do të administronte ndihmat dhe shtimin e shkollave të ditës dhe të natës. Përgjegjësia kryesore dhe preokupimi i madh ishte mbajtja e Shkollës Normale të Elbasanit. Kongresi i Elbasanit nxiti të gjithë shqiptarët të futnin gjuhën shqipe në shkollat e huaja, të përhapura anembanë Shqipërisë. Më 18 Nëntor 1909 u bë thirrja haptazi, ‘'Përmbajtjen e Shkollës Normale të Elbasanit duhen, para, para e më shumë para''. Mirëpo, me ose pa mjetet e përshtatshme, Shkolla Normale Elbasanit, vazhdoi të përgatiste pionierët e arsimit për Shqipninë që po rilindte. Drejtori i parë i Normales ishte, Luigj Gurakuqi që vite më vonë kjo shkollë u pagëzua me këtë emër. Shkolla Normale u hap më dhjetor të 1909, me 143 nxënës. Nga kjo shkollë kanë dalë edhe shumë mësues të cilët më pas kanë vazhduar të japin mësim në shkollat e Tetovës, Shkupit, Dibrës, Strugës dhe të qyteteve të tjera.

Në Manastir, në qytetin e konsujve ku u vunë themelet e alfabetit të gjuhës shqipe para dy viteve me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së mëvetësisë së shtetit shqiptar u përurua shtëpia e alfabetit të gjuhës shqipe. Në këtë shtëpi para 106 viteve u mbajt Kongresi i Manastirit, ku u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe, që do të thotë se ata që sollën këtë vendim në atë kohë ishin vizionarët më të mëdhenj të popullit shqiptar të cilët edhe përcaktuan fatin e popullit tonë që të orientohet drejt Evropës.

Please publish modules in offcanvas position.