“Dita e hapur” në UT i tuboi mijëra maturantë nga vendi dhe më gjerë

“Dita e hapur” në UT i tuboi mijëra maturantë nga vendi dhe më gjerë

Organizimi i “Ditës së hapur” në Universitetin e Tetovës i bëri bashkë maturantët nga të gjitha qytetet e Maqedonisë së Veriut dhe jashtë saj. Paralelisht me organizimin e “Ditës së hapur” në sheshin e Universitetit u organizua Panairi i biznesit dhe Panairi i teknologjisë ushqimore, ku kompani të njohura i ekspozuan produktet e tyre.

Shtandet e trembëdhjetë njësive akademike të Universitetit të Tetovës, që i promovuan programet studimore për maturantët dhe shtandet e kompanive pjesëmarrëse në panaire i vizitoi edhe Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti bashkë me ekipin e tij. Për maturantët dhe studentët e pranishëm në këtë veprimtari arsimore – shkencore, performoi artistja e njohur nga Shqipëria, Jonida Maliqi me këngën e saj “Ktheju tokës” me të cilën do të garojë për Shqipërinë në “Eurosong 2019”. Prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili, organizimin e “Ditës së hapur” e vlerësoi si një mundësi shtesë për çdo maturant, që për së afërmi t’i vizitojë ambientet e universitetit dhe të njihet drejtpërsëdrejti me ofertën akademike të studimeve. “Maturantët kanë mundësi që gjatë kësaj dite t’i vizitojnë njësitë akademike dhe të njihen me programet studimore, të cilët janë në kuadër të 13 fakulteteve të Universitetit tonë. Për maturantët, të cilët sot ishin të pranishëm në Universitetin e Tetovës, në çdo fakultet u organizua pritje, ku në detaje u informuan nga stafet akademike të secilit fakultet, me të gjitha kushtet dhe mundësitë që ne i ofrojmë. Për këtë vit, Universiteti ynë si risi për maturantët që do t’i ndjekin studimet në vitin e ardhshëm akademik 2019/2020, me propozim – konkursin që është dorëzuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ne sërish planifikojmë të bëjmë rihapjen e programeve të disperzuara në Shkup dhe Kumanovë, me disa programe studimore të Fakultetit Juridik dhe Fakultetit Ekonomik dhe me këtë presim të kemi një rritje të konsiderueshme të numrit të studentëve të rinj”, tha Prof. Dr. Reshat Qahili. Udhëheqësja e Zyrës për menaxhim dhe ndërlidhje me bizneset e Universitetit të Tetovës, Mr. Sc. Vjollca Hasani – Limani u shpreh se në kuadër të Panairit të biznesit janë ftuar kompani të shumta që operojnë në vendin tonë, me qëllim që të afirmohet bashkëpunimi i ngushtë që Universiteti Tetovës e ka krijuar me ato. “Kjo bazohet edhe në takimet e shumta që ne kemi pasur me kompanitë gjatë kohëve të fundit, me qëllim që plan – programet tona studimore të përshtaten me tregun e punës dhe me kërkesat e kompanive. Njëkohësisht, sot studentët kanë mundësi të njihen me kompanitë, të njihen me mundësitë e punësimit, apo të kryerjes së punës praktike nëpër kompani, ashtu që të diplomuarit tanë dhe studentët të drejtohen dhe të kërkojnë punë në sektorin privat, sepse ky sektor është ai i cili gjeneron më së shumti vende të reja pune. Prandaj, në kemi për qëllim që studentët tanë t’i përgatisim dhe të jenë të gatshëm që nesër kur të diplomojnë të jenë punonjës të mirë dhe të përgatitur për këto kompani”, u shpreh Mr. Sc. Vjollca Hasani – Limani. Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezahir Idrizi, i falënderoi të gjitha kompanitë pjesëmarrëse në Panairin e teknologjisë ushqimore. Sipas tij, Panairi i teknologjisë ushqimore tani më për të tretin vit me radhë organizohet dhe është shndërruar në aktivitet tradicional. “Sot ishte kënaqësi për ne si fakultet që të shohim në shtandet e kompanive studentë të fakultetit tonë. Një pjesë e të diplomuarve në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, sot janë sipërmarrës ose bartës të proceseve teknologjike në kompani të ndryshme. Ne si universitet, vazhdojmë të fokusohemi më shumë në drejtime që janë deficitare, në rastin konkret të drejtimeve të teknologjive informatike etj. Unë si dekan, por bashkë edhe me prorektorin për Arsim dhe rektorin, shpesh i kontaktojmë këto ndërmarrje që merren me prodhime ushqimore dhe zakonisht kërkesa është në atë drejtim, d.m.th., ata kanë nevojë për teknologë dhe ne më së shumti fokusohemi në përgatitjen e këtyre kuadrove dhe e them me mburrje se mbi 60 % e të diplomuarve, sot janë menaxhues ose janë bartës të proceseve teknologjike pikërisht në këto ndërmarrje që i përmendëm”, potencoi mes tjerash Prof. Dr. Xhezahir Idrizi.

Please publish modules in offcanvas position.