E Maqedonisë E Pafuqishme Përballë Universitetit Të Tetovës

Qeveria E Maqedonisë E Pafuqishme Përballë Universitetit Të Tetovës

Kronologjia e mbylljes dhe rihapjes se Fakultetit të Shkencave të Zbatuara

Qeveria e Maqedonisë në mbledhjen e zhvilluar në fund të muajit qershor ka anuluar vendimin e mëparshëm për mbylljen e gjashtë programeve studimore të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara,duke e kthyer sërish vendimin e mëparshëm për hapjen e këtyre programeve studimore.

Me këtë vendim pritet që në Universitetin e Tetovës në afatin e parë të regjistrimit që do të mbahet në muajin gusht të hapen edhe konkurset për regjistrim në këto drejtime. Ky Fakultet me drejtimet Inxhinieri, mekatronike, arkitekturë, gjeodezi, komunikacion dhe inxhinieri ndërtimi është konsideruar si një ndër Fakultetet më me perspektivë për gjeneratat e reja të cilat tashmë po orientohen nga drejtimet teknike për të cilat ka nevojë më së shumti shoqëria jonë. Ministrat shqiptar në qeverinë e Maqedonisë të cilët edhe janë kuadër i këtij institucioni të lartë arsimor janë shprehur optimist dhe kanë insistuar që vendimi i mëhershëm të anulohet dhe UT-së t’i kthehet Fakulteti i Shkencave të Zbatuara.

Ky vendim i qeverisë do të kalojë në Kuvendin e Maqedonisë duke u bërë kështu i plotfuqishëm. Në anën tjetër dy ankesat e dërguara më herët në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me kushtetutshmërinë e vendimit për mbylljen e programeve studimore tashmë do të bien poshtë për shkak se Gjykata nuk ka nevojë që t’i shqyrtojë ankesat e palës. Njëra ankesë vinte nga vetë organet drejtuese të UT-së të cilët kishin angazhuar një grup ekspertësh për këtë çështje sipas të cilave vendimi për mbyllje cenonte autonominë e universitetit dhe ndërhyn në punët e këtij institucioni. Ankesa tjetër ishte dërguar nga një grup intelektualësh të cilët kërkonin që gjykata kushtetuese të hedh poshtë vendimin e qeverisë për mbylljen e këtij fakulteti.

Me këtë vendim pritet të zgjidhet edhe çështja e një numri të madh të studentëve të cilët ishin regjistruar në këtë fakultet si dhe kuadrit mësimdhënës të cilët kishin mbetur pezull për shkak të mbylljes së fakultetit dhe hapjes së drejtimeve të reja në Shkup në universitetin e ri “nëna Terezë”. Megjithatë tashmë gjithçka ka marrë formën e duhur dhe përfundimtare duke zgjidhur një ndër çështjet më delikate të arsimit të lartë të shqiptarëve në Maqedoni.

Paraprakisht UT-ja kishte filluar përgatitjet për hapjen e konkursit ne këtë Fakultet

Universiteti i Tetovës, ende pa u anuluar vendimi i i një vitit më parë kishte filluar të bëjë përgatitjet për regjistrim të studentëve e afatin e parë në ciklin e parë të studimeve në Universitetit Shtetëror të Tetovës në vitin akademik 2016/2017. Afati i parë i regjistrimit do të jetë në gjysmën e dytë të muajit Gusht, kurse më pas do të vijojë edhe afati i dytë dhe afati i tretë në ato drejtime ku nuk do të plotësohet numri i nevojshëm i kandidatëve, Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, tashmë janë bërë pothuajse të gjitha parapërgatitjet e nevojshme si dhe plani për hapjen e konkursit të parë që do të jetë në muajin gusht. Në ditën e hapur të Universitetit të gjithë të interesuarit janë informuar me drejtimet dhe kapacitete që ofron UT-, si dhe kushtet tjera që i ofron ky universitet. Edhe këtë vit në Universitetin e Tetovës, do të regjistrohen kandidat në Fakultetin e Shkencave Aplikative, në të gjitha drejtimet si në : Arkitekturë, Mekatronikë, Ndërtimtari, Inxhinieri Mekanike, Gjeodezi, Gjeo informatikë Inxhinieria e Komunikacionit dhe Transportit. Nga UT-ja, bëjnë të ditur se në të gjitha këto drejtime do të hapet konkursi për regjistrim dhe kjo është paraparë në plan programin e universitetit. Kjo vërtetohet edhe në materialet që u janë shpërndarë të gjithë maturantëve në ditën e hapur të universitetit. Burimet tona nga UT-ja bëjnë të ditur se ne jemi institucion i pavarur dhe autonom dhe nuk merremi me universitete tjera se cilat drejtime do të hapin ato duke aluduar në universitetin e ri në Shkup, “Universitetin Nëna Terezë”. UT-ja sot si institucion me traditë të konsoliduar arsimore veprimtarinë e tij e zhvillon në tre cikle të studimeve, studimet themelore, të magjistraturës dhe të doktoraturës. Drejtuesit e këtij institucioni thonë se janë angazhuar pa reshtur për reformimin e përgjithshëm, rritjen e cilësisë së shërbimeve akademike, përsosjen e nivelit të mësimdhënies dhe të kërkimeve shkencore, komunikimin e drejtpërdrejtë dhe të frytshëm me studentët dhe kuadrin mësimdhënës.

Fakulteti i Shkencave të Zbatuara daton që nga viti 2008/2009

Fakulteti i Shkencave të Zbatuara, si fakultet i veçantë në kuadër të Universitetit Shtetëror të Tetovës, është akredituar dhe ka filluar me punë në vitin akademik 2008/2009, në bazë të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, ,,Gazeta zyrtare e RM”, nr. 81/08, e datës 7.07.2008.

Fakulteti i Shkencave të Zbatuara, si njësi e veçantë organizative në kuadër të Universitetit Shtetëror të Tetovës, është akredituar si vazhdimësi e Qendrës për Studime Politeknike, e cila ka funksionuar si shkollë e lartë profesionale në kuadër të këtij Universiteti, në bazë të nenit 1, alineja 6, të Ligjit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, ,,Gazeta zyrtare e RM”, nr. 8, e datës 23.02.2004.

Pas miratimit të Ligjit të ri, nr. 226, të datës 25.12.2015, me të cilin Universitetit Shtetëror të Tetovës, përveçse i ndryshohet emri, nga USHT në Universiteti në Tetovë, me çka i relativizohet edhe statusi shtetëror i tij, i ndërpritet puna Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, njëri nga fakultetet më atraktiv dhe me perspektivë për përgatitjen e kuadrove shqiptarë nga fusha e shkencave teknike dhe teknologjike, si kudër tepër i nevojshëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe rajonit. Duke parë të gjitha këto zhvillime qeveria e ballafaquar me kritika dhe vendimet që pritej të merreshin ngf Gjykata Kushtetuese vendosi që këtij institucioni të lartë t’i kthehen të gjitha programet studimore të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara.

Please publish modules in offcanvas position.