Maturantët ndërpresin bojkotin, do të presin vendimin e Kuvendit

Pas 12 ditësh bojkot, i cili filloi në ditën e parë të gjysëmvjetorit të dytë, sot maturantët e organizuar nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme po kthehen në mësim. Kuvendi i Përgjithshëm i Unionit të enjten vendosi të pezullojë bojkotin dhe të presë Kuvendin për të gjetur zgjidhje, pasi grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së e parashtroi Propozim ligjin për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për arsimin e mesëm.

Javën e kaluar, përfaqësuesit e Unionit patën takime me të gjitha grupet parlamentare dhe presin që do të mbështetet propozimi për të ndryshuar ligjin, i cili do të përmbushë kërkesat e tyre për shkurtimin e provimit të maturës shtetërore dhe në vend të katër, të japin provimin në dy lëndë – gjuhë amtare dhe lëndë në fushën që maturanti planifikon të studiojë.
Kryetari i Unionit të Shkollave të Mesme Blendi Hodai për MIA konfirmoi se maturantët që bojkotuan, sot do të kthehen në mësime. Ai tha se deri në fund të shkurtit ata do të ndjekin mësimin dhe do të presin që Kuvendi të pranojë dhe të votojë kërkesën e tyre, ndërsa nëse kjo nuk ndodhë, ai paralajmëroi se ata do të vendosin tenda para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

“Po kthehemi në mësim për t’i lënë hapësirë deputetëve për të gjetur një zgjidhje. Ne po presim që Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Sport të shqyrtojë Propozim ligjin. Pas takimeve që kemi pasur në Kuvend, Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme është i sigurt se ka mbështetjen e më shumë se 70 deputetëve. Nëse kërkesat tona nuk pranohen dhe votohen deri në fund të muajit, ne do të fillojmë kampingun përpara Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Bojkoti ynë është pasojë e mos dëgjimit për problemet, indikacionet, argumentet dhe propozimet tona konkrete për ndryshimin e provimit të maturës shtetërore të këtij viti. Unioni u lë institucioneve kohë dhe mundësi për të pranuar dhe zbatuar kërkesat tona”, tha Hodai.