Rushiti: S’ka bazë ligjore për mbylljen e “Jahja Kemal”

Mbyllja e shkollave “Jahja Kemal” mund të ndodhë me një vendim politik, por jo edhe juridik. Ish-ministri i Arsimit Sulejman Rushiti thotë për Alsat se bëhet fjalë për një çështje shumë komplekse që kërkon hapjen e një debati më të gjerë. Sipas Rushitit Inspektorati Shtetëror i Arsimit nuk ka asnjë vërejtje në lidhje me procesin arsimor të këtyre kolegjeve.

“Bëhet fjalë për firma të regjistruara në Republikën e Maqedonisë konform ligjeve dhe statuti është konform ligjeve. Kurikulat janë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe janë miratuar nga organet e kësaj ministrie, kontrolli është bërë nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit në mënyrë permanente dhe nuk ka pasur asnjë paralajmërim respektivisht nuk ka pasur asnjë ankesë deri më tani nga ky inspektorat, pra për sa i përket ligjeve të RM-së absolutisht është e pamundur që të merret një vendim për mbyllje. Nga ana tjetër qeveria mund të marrë përgjegjësinë e saj për të mbyllur shkollën, megjithatë kjo më tepër do të ishte vendim politik sesa vendim i bazuar ligjor”, deklaroi Sulejman Rushiti, ish-ministër i Arsimit.

Ndërkohë nga LSDM kanë kërkuar nga qeveria që të jetë më konkrete në vendimet që merr dhe të mos jetë e dyzuar në atë që thotë.

“Por ajo që Maqedonia duhet të ketë shumë kujdes, është ajo nëse çfarëdolloj kompanie, universitetet apo organizata të ngjashme a veprojnë në përputhje me ligjet e vendit apo jo, sidomos është shumë e ndjeshme sfera e arsimit dhe nëse bëhet fjalë për shkolla apo universitete dhe qeveria duhet të ketë kujdes për fatin e fëmijëve dhe studentëve që janë pjesë e këtyre institucioneve arsimore. Megjithatë atë që ministri e tha nuk e konfirmoi, apelojmë deri te qeveria që ta publikojë vendimin që të mund të konkretisht të prononcohemi për këtë”, tha Damjan Mancevski, LSDM.

Ndërkaq mënyra e vetme për të marrë një vendim për mbylljen e këtyre shkollave është që së pari të verifikohet se a ka bazë financiare të saj me organizatën “Feto”, dhe së dyti, kjo organizatë të shpallet si terroriste nga shteti maqedonas, ashtu siç ka bërë Turqia. Më pas, duke u nisur nga parimet që flasin për mbrojtjen dhe luftimin e terrorizmit, mund të realizohet mbyllja e këtyre shkollave.


www.alsat-m.tv

Please publish modules in offcanvas position.