Lutfiu: Kurorëzojmë edhe një sukses të ri me hapjen e shkollës në Saraj

Lutfiu: Kurorëzojmë edhe një sukses të ri me hapjen e shkollës në Saraj

Në mënyrë solemne sot u hap shkolla e re e mesme në Saraj. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti, ministri i Arsimit Pishtar Lutfiu, zëvendëskryeministri Fesim Halili, ministri i Ekologjisë Bashkim Ameti, kryetari i komunës së Sarajit Bekim Murati dhe zyrtarë tjerë partiak të BDI-së.

Ja fjalimi i plotë i ministrit të Arsimit, Pishtar Lutfiu:

"Sot në Republikën e Maqedonisë hapen dyert e shkollave fillore dhe të mesme për të filluar vitin e ri shkollor 2016/17, vit që gjeneratave të reja do t’ju sjellë dije dhe horizonte pa fund.

Si ministër i Arsimit dhe Shkencës kam kënaqësi të veçantë që sot jemi të pranishëm në komunën e Sarajit, në fillimin e Vitit të ri shkollor për të kurrorizuar edhe një sukses të ri me hapjen e shkollës së mesme për nxënësit e kësaj ane.

Objekti i ri shkollor në Saraj është një investim i Qeverisë, gjegjësisht i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, me një investim prej 48 milion denarësh. Për fillim, në drejtimin e gjimnazit do të regjistrohen 166 nxënës dhe 56 nxënës në drejtimin ekonomik.

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, të nderuar të pranishëm, do të doja të them disa fjalë për rolin e shkollës në zhvillimin e shoqërisë. Nevoja për shoqëri të dijes po vazhdon të jetë pjesë e pandashme e jetës sonë arsimore dhe shoqërore. Sot, dija konsiderohet kapitali më i rëndësishëm për gjenerim të ideve të reja dhe të zhvillimit.

Më lejoni që nga kjo shkollë, të bëjë një urim të përgjithshëm për fillimin e vitit shkollor, duke besuar në traditën e mirë, së pari, uroj Mësuesit që të shprehin gatishmëri dhe besimin e plotë që edhe në këtë vit shkollor do të shënohen të arritura me të cilat do të krenohemi si shoqëri e dijes dhe aftësimit të brezit të ri për të qenë konkurrentë në tregun e dijes dhe përgatitjes profesionale.

Të dashur mësues, roli juaj është jetik në realizimin e objektivave arsimore, ndaj dhe mbështetja jonë në drejtim të forcimit dhe mbrojtjes së dinjitetit të mësuesit do të jetë parësore. Jeni ju, të dashur Mësues, që gjërat e vështira i bëni të duken të lehta për nxënësit, sepse shkolla vlen aq sa vlen arsimtari i saj.

Më një emocion të veçantë ju drejtohem fatosave te rinj që sot nisni një jetë të re, jëtën shkollore në klasën e parë. Me urimet më të mira, por dhe me garancinë se rruga e dijes do të jetë e sigurtë, uroj të jetë sa më e paharrueshme kjo ditë, e cila shënon fillimin e rrugës së bukur të dijes.

Duke mos i harruar edhe prindërit e nxënësve, ata të cilët kanë barrën kryesore por edhe emocionet më të veçanta per suksesin e fëmijëve të tyre, i uroj që të kenë një vit sa më të mbarë!

Suksese, fat dhe urime për shkollën e re.

Please publish modules in offcanvas position.