Nxënësit kthehen në mësim, nis viti shkollor 2022/2023

Nxënësit kthehen në mësim, nis viti shkollor 2022/2023

Rreth 255 mijë filloristë dhe nxënës të shkollave të mesme sot e fillojnë vitin shkollor 2022/2023 në të cilin mësimi, pas dy viteve pandemi, fillon pa protokolle antikovid dhe maska mbrojtëse.

Për nxënësit e klasave të para, të dyta, të katërta dhe të pesta janë përgatitur programe të reja mësimore për lëndët, në pajtim me Konceptin për arsim fillor i cili prej vitit të kaluar zbatohet në etapa dhe sipas planit, duhet të rrumbullakohen për pesë vite në tërë arsimin nëntëvjeçar.

Librat shkollorë sipas programeve të reja mësimore janë në fazë të ndryshme të miratimit dhe derisa t’i marrin, nxënësit e këtyre klasave do të mësojnë nga materiale adekuate në të cilat janë përpunuar përmbajtjet e tremujorit të parë. MASH-i bindë se nuk bëhet fjalë për skripta, por materiale të cilat janë cilësore dhe kreative dhe nxënësit i marrin pa pagesë.

Ministri Jeton Shaqiri dje në konferencë për shtyp theksoi se MASH-i është shumë më i përgatitur nga vitet e kaluara sepse në ditën e parë të shkollës do të ketë për të gjithë nxënësit – materiale për mësim për klasën e parë, të dytë, të katërt dhe të pestë dhe libra shkollorë për klasat e tjera të arsimit fillor dhe të mesëm.

Mësimdhënësit, ndërkaq, me rrogën e shtatorit do të kenë rritje prej 15 për qind, të dakorduar mes MASH-it dhe SASHK-ut pas grevës së organizuar në pranverë. Sindikata e pavarur e arsimit, shkencës dhe kulturës dje e publikoi Marrëveshjen e nënshkruar për rroga më të larta në arsimin fillor dhe të mesëm.

Në Marrëvehsje, të nënshkruar nga lideri i SASHK-ut, Jakim Nedellkov dhe ministri Shaqiri, qëndron se rroga më e ulët për kompleksitetin më të ulët për të punësuarit në shkollat fillore është 16.973 denarë dhe se do të zbatohet me pagesë për shtatorin 2022 dhe më tutje.

Dialogu me sindikatën, siç deklaroi Shaqiri, do të vazhdojë në mënyrë që të definohen dhe nënshkruhen edhe marrëveshje të reja kolektive për arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe për politika për përmirësim të cilësisë së arsimit.

“Rreth 32 500 të punësuar, prej të cilëve 25 000 mësimdhënës, marrin motivim shtesë për punë dhe investim personal në avancimin e cilësisë së sistemit nacional arsimor. Së bashku me rritjet e deritanishme prej 21 për qind, të punësuarit në arsim marrin mbështetje më të madhe historike”, kumton MASH.

Pas dy viteve shkollore në të cilat organizimi i mësimit ishte kushtëzuar nga gjendja epidemiologjike me KOVID-19, sistemi arsimor në këtë vit shkollor do të jetë para sfidës për përballje me krizën energjetike.

Qeveria i detyroi institucionet shtetërore për ulje të konsumit të energjisë elektrike dhe ngrohëse. Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve se cili është plani për ngrohjen e shkollave, Shaqiri dje u përgjigj se më me rënësi është ato të mbeten të hapura dhe se në MASH është formuar grup i punës për koordinim me ministritë e Ekonomisë dhe Financave dhe me institucione të tjera kompetente.

“Presim të kemi shkolla të hapura, të bashkëpunojmë mirë, pushteti qendror me vetëqeverisjet lokale, t’i menaxhojmë irë shkollat dhe më e rëndësishmja – ato të mbeten të hapura”, tha ministri i resorit.