Akademi solemne dhe manifestime kulturore me rastin e 7 marsit - Ditës së arsimit shqip

Akademi solemne dhe manifestime kulturore me rastin e 7 marsit - Ditës së arsimit shqip

Universiteti i Tetovës sot organizon Akademi solemne me rastin e 7 Marsit - Ditës së arsimit shqip.

Me këtë rast do të ndahen edhe çmimet për esenë më të mirë kushtuar mësuesit, organizuar nga Shoqata "Arsimi" nga Zvicra dhe Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti Filozofik.

Edhe Komuna e Çairit organizon një programin festiv me rastin e 130 vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe. Fillimisht do të ketë një manifestim të organizuar nga ana e shkollave fillore të Komunës së Çairit në Çarshi të Vjetër të Shkupit, para objektit Çifte Hamam dhe më pas do të vijojë manifestimi nën organizimin e shkollave të mesme në Teatrin e fëmijëve në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Më 7 Mars të vitit 1887 në Korçë u hap Mësonjtorja e Parë Shqipe, një ngjarje me rëndësi madhore në përpjekjet e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare. Hapja e shkollës së parë shqipe, kurorëzoi me sukses një nga detyrat kryesore të lëvizjes sonë kombëtare, atë të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare, për të cilën dhanë kontributin e tyre edhe vëllezërit Sami e Naim Frashëri.

Shkolla kishte si detyrë që nëpërmjet përhapjes së gjuhës shqipe të ndihmonte në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, në rritjen e përpjekjeve të shqiptarëve për autonomi. Shkolla pati ndikimin e vet jo vetëm në Korçë, por në të gjithë vendin. Vetëm 7 ditë pas saj, u çelën shkolla shqipe në qytetin e Pogradecit, në Ersekë e në Ohër, si dhe u shtuan përpjekjet për çeljen e tyre në krahinat e tjera.

Në 23 tetor të vitit 1891, në Korçë u çel Shkolla e Vashave, e cila krijonte mundësi për të marrë arsim në gjuhën amtare dhe femra shqiptare dhe që si një forcë e madhe shoqërore të hynte në rrugën e përparimit.

Mësonjtorja shqipe e Korçës, bëri që shkolla të hynte në histori si pionierja e arsimit tonë kombëtar dhe dita e çeljes së saj të bëhet festë kombëtare. Mësues dhe drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Edhe pse në kushte të vështira, kur ndalohej mësimi i gjuhës shqipe, ajo qëndroi e hapur për 15 vjet.