Edhe dy çmime ndërkombëtare për “Jahja Kemal”

Edhe dy çmime ndërkombëtare për “Jahja Kemal”

Zehra edhe Edita, dy nxënëset e kolegjit “Jahja Kemal” që tashmë kanë fituar çmime në SHBA dhe Holandë, presin mbështetje edhe nga Ministria e Arsimit e Maqedonisë për të vazhduar me sukseset e radhës.

Dy nxënëse të kolegjit “Jahja Kemal” kanë arritur të marrin pjesë në garat ndërkombëtare që janë zhvilluar në Evropë dhe Amerikë. Të dyja kanë marrë vendin e parë. Zehra Qufliju është viti i fundit në shkollën e mesme, ndërsa ka shënuar suksese të shkëlqyeshme jo vetëm në mësime, por edhe në garat republikane në vend. Madje, ajo ka arritur të thyej kufijtë, ku edhe ka marrë vendin e katërt në “ISËEEP”, në SHBA dhe vendin e parë në “INESPO” të Holandës. “Deri tani kam marrë pjesë në vitin e parë dhe të dytë – në garat e gjuhës shqipe, maqedonase dhe angleze, si fillim. Por, me kalimin e kohës, kur u njoftova me garat e tjera, në lëmit e ndryshme të garave në botë, pra ndërkombëtare, fillova të bëj një projekt në lëmin e bio-kimisë së bashku me shoqen time, Njomza Selmani, edhe ajo gjithashtu ishte në kolegj. Bëmë një projekt në lidhje me pastrimin e oqeaneve prej naftës, duke përdorur materiale natyrore. Dhe, më të suksesshmen e kishim eksperimentin e koçanit të misrit”, thotë Qufliju. Ajo ka marrë materiale nga “google schooler”, ku në këtë faqe ka konkurse dhe informacione të ndryshme, ndërsa të dhënat merren nga enciklopedi të fushave të ndryshme. Nxënësja thotë se kanë qenë të parët që e kanë përdorur këtë ide, ndërsa për realizimin e këtij projekti, për herë të parë kanë marrë pjesë në Justin në Texasit, ku edhe kanë marrë vendin e katërt, si edhe janë vlerësuar me “Çmim Nderi”.

Ndërsa, në Holandë kanë arritur vendin e parë, ku kanë fituar medalje të artë. “Ishte medalja e parë e artë për Maqedoninë. Ne, jo vetëm që përfaqësuam vendin tonë, por edhe shkollën, ku u përkrahëm nga profesori i kimisë, në këtë rast mentorja jonë, por një përkrahje financiare na u mundësua po nga shkolla. Në laboratorin e shkollës, ne arritëm të bëjmë të gjitha eksperimentet”, thotë për KOHA, nxënësja Qufliju. Ajo ka synim të vazhdojë me projekte të këtilla, gjë që kërkon shumë eksperimentime, por vazhdimin e fakultetit do ta bëjë në Evropë. “E kam zgjedhur Holandën që të studioj, ndoshta sepse e shikova këtë shtet me mundësinë e garës së projektit, por përherë kam ëndërruar të studioj në një vend evropian. Kam konkurruar në dy universitete në top 100 e universiteteve më të mira në botë dhe u pranova në të dyja. Megjithatë, zgjodha ‘Groningen Utrecht University’, i cili renditet i 65 institucion arsimor më i mirë në botë”, thotë Qufliju.

Ajo do të vazhdojë në drejtimin Biznes-Ekonomi dhe thotë se, edhepse sukseset e garave i ka arritur në lëmin e bio-kimisë, projekti nëse shihet në zbatimin e saj – e ka suksesin te menaxhmenti, pra edhe te mënyra e paketimit dhe shitjes së projektit. Nga ana tjetër, edhe nxënësja Edita Bytyqi, ka arritur sukses në SHBA. Ajo ka marrë pjesë në gara që në shkollën fillore. “Në klasën e tetë, në gara shtetërore isha në dhjetëshen e nxënësve më të mirë në lëmin e kimisë, ku edhe mu mundësua një bursë 30 për qind për të hyrë në kolegj, por më pas arrita bursën e plotë në provimin pranues, kur atëherë u takova me profesoreshën Sameti, të kimisë ku edhe më inkuadroi në projekte të kësaj lëmie”, thotë nxënësja Bytyqi.

Si nxënëse e kolegjit “Jahja Kemal”, asaj do t’i mundësohet që të bëhet pjesë e hulumtimeve në lëndën e kimisë, ku edhe më vonë do ta përfaqësojë shkollën e saj në gara ndërkombëtare, e cila më pas kthehet me medalje të artë.

“Projektin e kreva me një shoqen time Nura, e cila e ka kryer kolegjin. Projekti kishte të bëjë me filtrimin e ujit, gjegjësisht me anë të glinës, për shmangien e amoniakut, nitrateve dhe nitritëve. Me këtë projekt u kualifikuam në garat e Holandës, në vitin 2014, ku morëm mirënjohje. Ndërsa, në vitin e dytë, arrita të bëj projektin vet, ku ishte e njëjta temë – për filtrimin e ujit, por kësaj radhe me përdorimin e gështenjave të egra dhe lakrës së egër, të cilët i kemi në Maqedoni, por nuk dimë se ku ti përdorim. Në Evropë, lakra e egër përdoret shumë në kozmetikë. Me këtë projekt u kualifikova në Texas, ku edhe mora medalje të artë. Pas asaj, në vitin e tretë përsëri vazhdova me hulumtim për filtrimin e ujit, ku profesoresha Emel Sherif-Miftari, mentore e projektit të dytë, më informoi për konkursin e juniorëve në Amerikë, ku edhe realizohej për herë të parë”, thotë Bytyqi.

Ajo shton se e fitoi të drejtën të përfshihet në Akademinë e të rinjve dhe pas katër muajve trajnim për metodën shkencore, ku bashkëveproi me dy studentë nga SHBA një tjerë nga Skotlanda, me mentor nga India, bashkërisht kanë arritur të bëjnë një filtër “Aqua Vitae”, ku kanë arritur të renditen në vendin e parë. Bytyqi thotë se po me këtë ekip do të vazhdojë edhe një projekt për ujin, të cilët tashmë janë në proces. Ajo, po ashtu është një nga studentet e dalluara të kolegjit “Jahja Kemal” në Shkup, kolegj ky që njihet për rezultatet e saj edhe në garat e debateve, ku ka arritur që të asistojë edhe profesorët në mësimdhënie në Akademinë “STIM”. Bytyqi është pranuar të ndjek studimet e mëtejshme në Universitetin Kolumbia, në SHBA. Zehra edhe Edita kanë fituar bursa, por njëkohësisht presin përkrahjen edhe nga Ministria e Arsimit e Maqedonisë për të vazhduar me sukseset e radhës, në studime.

Please publish modules in offcanvas position.