Nxënësit e kolegjit ‘Turgut Özal’ përfaqësojnë Shqipërinë në Texas

Nxënësit e kolegjit ‘Turgut Özal’ përfaqësojnë Shqipërinë në Texas

Shkolla Turgut Özal i nxit nxënësit e saj të marrin pjesë në konkurse dhe olimpiada të ndryshme të përvitshme.

Një nga to është dhe Panairi Shqiptar i Shkencës dhe i Inxhinierisë (ASEF), i organizuar në Shqipëri nga kolegjet Turgut Özal dhe Gülistan. Ky panair prodhon çdo vit dhjetëra ide inovative, ndërsa më të mirëve u mundësohet pjesëmarrja në konkursin më të madh botëror mbi energjitikën, mjedisin dhe inxhinierinë (ISWEEEP) që zhvillohet në Texas të SHBA-ve.

Vendet e para për këtë vit i zunë dy projekte mjaft interesante me titull ‘Biokarburanti nga algat’ dhe ’Pozicionimi optimal i paneleve diellore’

Projekti ‘Biokarburanti nga algat’ përfaqësohej nga dy nxënëse të klasës së 11-të, Sara Muçollari dhe Megi Berberi. Nxënëset shprehen plot entusiazëm për përfaqësimin që do t‘i bëjnë vendit të tyre në SHBA, por shfaqen edhe mjaft të vendosura që t’i shërbejnë njerëzimit me studimin e tyre.

‘Ishte një eksperiencë e bukur dhe shumë interesante’ – shprehen dy nxënëset -‘që bashkë me punën e vazhdueshme na dha fitoren dhe mundësinë për të përfaqësuar Shqipërinë. Me ndihmën e profesorit tonë Bulent Yener Eksi, mundëm të përmirësonim dhe të kompletonim idetë tona deri në detaje. Projekti quhet Biokarburant nga algat.

Ky projekt trajton një nga problematikat kryesore të botës moderne, atë të energjisë. Na është dashur të bëjmë kërkime të shumta mbi algat, prodhueshmërinë e tyre më të lartë madje dhe mënyrat si mund të përftojmë prej tyre lëndën djegëse, me kosto minimale. Algat që ne kemi përdorur janë marrë nga Durrësi dhe Pogradeci. Ne përftuam lipide prej algave, me anë të elementit kimik hekzan. Produkti vajor që u përftua mund të përdoret në atë gjendje si formë energjie, ose mund të rafinohet edhe më tej.

Algat kanë disa karakteristika të veçanta që i bëjnë të shfrytëzueshme për këtë studim, i cili është një zgjidhje alternative mbi konsumin e lëndëve të djegshme. Kjo zgjidhje është miqësore me ambientin dhe është një alternative më ekonomike për energjinë e rinovueshme.’

Projekti i dytë titullohet ‘Pozicionimi optimal i paneleve diellore’ dhe u prezantua nga Iris Gjevori dhe Xhulio Çollaku, të dy nxënës të klasës së 10-të.

Irisi dhe Xhulio na tregojnë:

‘Projekti që na dha vendin e parë trajton një temë që prek kohën tonë, çështjen e burimeve të energjisë. Ne nuk jemi marrë me zbulimin e ndonjë burimi të ri, por jemi përqendruar te ata që kemi, konkretisht në pozicionimin e paneleve diellore, në mënyrë që të përftojmë sa më shumë prej energjisë që na vjen nga dielli. Për realizimin e këtij projekti kemi përdorur vetëm rërë detare, 4 termometra ambienti, 2 kuti të holla kartoni dhe një busull. Projekti në vetvete ka si synim që të mund të zhvillohet lehtësisht nga çdo kush me një kosto sa më të ulët. Ne kemi mbajtur shënim ecurinë e të gjithë punës, në ditë dhe muaj të ndryshëm, në mënyrë që të mund të nxirrnim një përfundim të saktë në fund. Ky projekt është zhvilluar në kohë dhe vende të ndryshme për të rritur shkallën e saktësisë dhe për të përftuar konkluzionet e duhura.

Pjesëmarrja në panairin shkencor të Asefit ishte një eksperiencë e vlefshme dhe e kënaqshme sidomos kur çdo projekt merr vëmendjen dhe vlerësimin e duhur.

Jemi shumë të lumtur që do të prezantojmë vendin tonë në konkursin e Texas-it dhe po punojmë fort që të bëjmë një përfaqësim të denjë. Falenderojmë mësuese Edlira Bengasin për drejtimin dhe ndihmën e palodhur si dhe shkollën Turgut Özal që na ofroi këtë mundësi.’

Please publish modules in offcanvas position.