Veliaj takon Ahmetin: Gurë dhe pllaka nga Kosova për sheshin Skënderbej

Veliaj takon Ahmetin: Gurë dhe pllaka nga Kosova për sheshin Skënderbej

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka takuar homologun e tij nga Prishtina, Shpend Ahmeti, ku është folur ndër të tjera për krijimin e një linjë bashkëpunimi mes dy qyteteve.

Veliaj u shpreh se, shumë shpejt gurët dhe pllakat për sheshin e ri Skëndërbej do të vijnë nga Kosova, në një projekt që do të përfshijë pjesë dhe copëza nga të gjitha vendet ku ka shqiptarë, në mënyrë që sheshi të simbolizojë një unitet simbolik kombëtar. “I shpreha planet tona për Sheshin Skënderbej, shumë shpejt s’do kemi parasysh këtë trafik e zhurmë, kam nisur edhe porositë për pllakat dhe gurët që do vijnë nga Kosova, për një shesh që përfaqëson unitetin tonë kombëtar”, tha Veliaj. Shpend Ahmeti tha se, Tirana dhe Prishtina kanë se çfarë të shkëmbejnë dhe mësojnë nga njëra tjetra. “Të shohim mundësinë e bashkëpunimi dhe të mësojmë nga njëri-tjetri. Kemi çfarë shkëmbejmë. Ka shumë gjëra që mund t’i mësojmë nga njeri-tjetri. Mundemi bashkë me Tiranën të aplikojmë për fonde evropiane. Është mirë që kuvendet komunale të bashkëpunojnë dhe të na e bëjnë punën më cilësore dhe kualitative. Tash e tutje do të kemi vetëm projekte konkrete bashkëpunimi", tha Ahmeti.