Pas tetë vitesh hapen dy pika të reja kontrolluese midis Qipros së Veriut dhe të Jugut

Pas tetë vitesh hapen dy pika të reja kontrolluese midis Qipros së Veriut dhe të Jugut

Dy pika të reja kontrollouese, Derinia dhe Lefka – Apliki, për herë të parë pas tetë vitesh, janë hapur sot midis pjesës veriore dhe jugore të Qipros.

 

Këtë hap e përshëndeti, Elizabet Spehar, përfaqësuese e posaçme e KB-së dhe shefe e forcave paqësore të KB-së në Qipro.

“Sot është një ditë e mirë për Qipron. Këto vendkalime do të luajnë rol të rëndësishëm në ndihmën që të rriten kontaktet midis njerëzve, me çka do të kontribuojë për ndërtimin e besimit aq të nevojshëm dhe besimit midis bashkësive në ishull”, thuhet në kumtesën e zyrës së saj.

Mediat greke njoftojnë se dhjetëra grekë qipriotë, me lot në sy e kanë kaluar linjën e kufirit dhe u drejtuan drejt fshatit Kato Derinia i cili është braktisur në tërësi pasi ra nën pjesën turke të Qipros. Megjithatë, ata nuk kanë mundur të hyjnë në të, pasi vendi ndodhet në zonë ushtarake.

Si gjest simbolik, turqit qipriotë i pritën grekët qipriotë me degë ulliri. Nga pjesa veriore e ishullit, gjithashtu, ka kolonë automjetesh të cilët duan ta vizitojnë pjesën greke të ishullit. Para hapjes së pikës pati edhe një grup protestuesish, të cilët vlerësojnë se ajo paraqet shkelje ndaj autoriteteve në Qipron e Veriut.

Interesim më të vogël shkaktoi hapja e pikës tjetër kontrolluese Lefka – Apliki.

Hapja e dy pikëve kontrolluese ishte dakorduar në takimin e liderëve të grekëve qipriotë dhe turq, Nikos Anastasiadis dhe Mustafa Akinxhi, i cili u mbajt në fund të tetorit në Nikozia.

Please publish modules in offcanvas position.