Haradinaj e paralajmëroi Thaçin se do të shkarkohet nëse nënshkruan për ndryshimin e kufirit

Haradinaj e paralajmëroi Thaçin se do të shkarkohet nëse nënshkruan për ndryshimin e kufirit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e paralajmëroi presidentin e shtetit, Hashim Thaçi se mund të shkarkohet dhe të përgjigjet për shkeljen e Kushtetutës dhe të ligjeve nëse në dialogun me Serbinë nënshkruan marrëveshje me të cilën do të shkelet territori i Kosovës, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

 

Haradinaj në një intervistë për televizionin T7 mbrëmë deklaroi se partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pa mëdyshje do të votojë për shkarkimin e Thaçit nëse pajtohet për ndryshimin e kufirit apo këmbimin e territoreve me Serbinë dhe se të njëjtën do ta bëjnë edhe me partitë e tjera parlamentare.

Kryeministri tha se ndryshimi i kufijve është skenar i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe se ky skenar nuk parasheh këmbimin e territoreve, gjegjësisht bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, siç pohon Thaçi.

“Ideja e Vuçiqit është Serbia ta marrë pjesën veriore të Kosovës, e pasur me burime minerale ndërsa në këmbim të kësaj Kosova nuk do të fitojë kurrfarë territori, por thjeshtë njohjen e pavarësisë nga Beogradi”, tha Haradinaj në emisionin “Presing” në T7.

Ai deklaroi se serbët i kanë ofruar edhe atij, në disa raste dhe përmes kanaleve të ndryshme, të bëhet pjesë e këtij skenari për ndarjen e Kosovës.

Haradinaj e vlerësoi si gabim takimin e Thaçit me presidentin rus, Vlladimir Putin, pasi, siç tha, Kosova i takon një zone tjetër të interesit.

“Ne jemi pjesë e zonës perëndimore, amerikane dhe evropiane. Ne nuk i takojmë një zone tjetër. Me Amerikën kemi aleancë në siguri, politikë, në planin ndërkombëtar. Rusia është jashtë kësaj zone. Agjenda e Rusisë në Ballkan është bllokuese dhe ne jemi në konflikt me zonën ruse të interesave”, deklaroi Haradinaj.

Ai megjithatë e la mundësinë Thaçi dhe Putin rastësisht të jenë takuar në ceremoninë në Paris për 100-vjetorin në fund të Luftës së Parë Botërore, pasi, siç tha “takime të tilla ndodhin në këto tubime të mëdha”.

Duke folur për mundësinë që Qeveria e tij të rrënohet, Haradinaj tha se është e sigurt se kjo nuk do të mund të ndodh për shkak të rritjes së taksës për produktet serbe të cilat importohen në Kosovë.

Sipas kryeministrit, nuk ka asgjë të çuditshme që Qeveria të ndërrohet për ndonjë arsye tjetër, duke mos e përjashtuar edhe dorëheqjen e tij por kjo sigurisht nuk do të ndodh për shkak të partisë së serbëve të Kosovës, Listës serbe (LS), deri tek opozita ta bëjnë atë së bashku.

Kryeministri i Kosovës paralajmëroi se “nëse Beogradi vazhdon me sjellje agresive dhe destruktive ndaj Kosovës”, taksat për produktet serbe mund të rriten edhe më tej.

Please publish modules in offcanvas position.