Shqipëria e përshëndet formimin e ushtrisë së Kosovës

Shqipëria e përshëndet formimin e ushtrisë së Kosovës

Presidenti Ilir Meta zgjodhi rrjetin social Fejsbuk për të uruar politikën e Kosovës që bëri të mundur formimin e ushtrisë së saj.

Edhe presidenti, ashtu sikurse kryeopozitari Basha, përshëndeti ende pa u miratuar në tërësi të tre projektligjeve për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur.

“Vendimi historik i krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës dëshmon qartë që Kosova është e aftë të marrë përgjegjësi të reja në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe për të kontribuar vendosmërisht për paqen, stabilitetin e rajonit dhe fqinjësinë e mirë. Fryma euroatlantike qëndron në themel të këtij ndryshimi historik”, shkruan kreu i shtetit në Fejsbuk, njofton Top Channel.

Edhe kryeministri Edi Rama priti edhe miratimin e ligjit të dytë në rendin e ditës, atë që kishte drejtpërdrejt lidhje me transformimin e FSK-së në ushtri e Kosovës, pas miratimit të transformimit të Ministrisë për FSK-në në Ministri e Mbrojtjes së Kosovës, për të përshëndetur votimin e zhvilluar këtë të premte historike në Kuvendin e Kosovës.

Rama zgjodhi pikërisht foton e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili doli me uniformë ushtarake një ditë më parë teksa vizitonte kazermën “Adem Jashari”, duke i shtuar fjalën urime tri herë, shoqëruar me flamujt e Kosovës, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Ka uruar edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha për formimin e ushtrisë.

“Urime Kosovë për Ushtrinë! Pas Pavarësisë, ngjarja e dytë e përmasave kombëtare dhe historike. Me ushtrinë e saj, Kosova do të jetë më e sigurt, rajoni më në paqe, kombi shqiptar i integruar dhe më i fortë. Nderim të rënëve për liri, mirënjohje miqve të mëdhenj që na mbështetën!”, shkruan Basha në Tuiter.

Please publish modules in offcanvas position.