Jashari: Zoti dhe natyra po ruajnë Kompleksin Memorial në Prekaz

Jashari: Zoti dhe natyra po ruajnë Kompleksin Memorial në Prekaz

Pasardhësi i familjes Jashari, Bekimi Jashari ka shprehur pakënaqësitë e tij për përkujdesjen e institucioneve të Kosovës ndaj kompleksi memorial “Adem Jashari”, duke thënë se janë vonuar për t’u kujdesur për këtë kompleks në Prekaz.

 

Sipas tij, edhe investimet që janë bërë deri tani kanë qenë të pakta dhe janë kryer mbrapsht.

 Djali i Hamëz Jasharit për KosovaPress thotë se ka marrë zotime nga krerët e shtetit se do merren seriozisht me këtë monument historik.

“Si familje as nuk kemi bërë kërkesë, as nuk jemi përzier asnjëherë që nga qershori apo korriku i 99-ës, kur ka qenë Qeveria e përkohshme e Kosovës që e ka marrë nën mbikëqyrje të qeverisë, kompleksin dhe aq sa kam hise unë si djalë i Hamëz Jasharit, aq keni hise edhe ju, edhe gjithë qytetarët që aty vijnë. Si kryetar komune kam bërë kërkesë dhe kam kërkuar që të merren më seriozisht. Ligji ka kaluar fatmirësisht në Kuvendin e Kosovës, pas bisedimeve që i kam pasur edhe me kryetarin e parlamentit, Kadri Veseli dhe po ashtu zëvendëskryeministrin, Fatmir Limaj dhe kryeministrin Haradinaj po ashtu. Më kanë thënë se me fillim të viti të ardhshëm do fillojnë menjëherë dhe viti 2019, do jetë vit i mbarë për atë vend. Janë vonuar shumë të them të drejtën, në ato kulla nuk është që nuk është investuar në kompleks, kanë investuar por është investuar mbrapsht e para e punës që është dashur të konservohen ato kulla sepse është duke i ruajtur vetëm Zoti dhe natyra për mos shembjen e tyre”, ka shtuar Jashari.

Duke folur për qeverisjen lokale në Skenderaj, Bekim Jashari, i cili është në krye të kësaj komune, thotë se është ballafaquar me sfida të shumta për shkak të kërkesave të shumta të qytetarëve dhe mundësive të pakta të komunës.

Por atë shpirtërisht e ka plotësuar përfundimi i disa projekteve në vitin e parë të qeverisjes së tij.

“Që mua më ka bërë me u ndier më së miri shpirtërisht është rivarrimi i dëshmorëve në Marinë, kompleksin memorial të UÇK-së, 158 dëshmorëve, tre komandanti të brigadave, projekti i parkut të biznesit, inicimi i projektit madhor por edhe jetik jo vetëm për Skenderajn, por edhe për Drenicën, penda e Kuqicës dhe shumë rrugë që kanë qenë në vazhdim e sipër nga viti i kaluar i kemi vazhduar këtë vit nëpër fshatra, rrugë, kanalizime, ujësjellës, shtrirja e gypave të ujësjellësit. Tani jemi duke u munduar me i rehabilitua disa rrugë të tjera nëpër fshatra”, ka thënë kreu i komunës.

Sipas tij, brenda këtij viti komuna i ka rritur të hyrat vetanake dhe buxheti për vitin 2019, kap shumën 3 milionë e gjysmë investime kapitale.

Për të parin e Skenderajt, sfidë kryesore mbetet punësimi, për të cilin edhe ka plan konkret se si do të mund ta zvogëlojë.

‘Sfida ime kryesore është punësimi, zhvillimi ekonomik i vendit, jo vetëm në komunën tonë por në nivel të vendit në Kosovë …04;17 Plani im konkret është vetëm parkut të biznesit që unë kam pasur me investitorët të ndryshëm të shteteve të Bashkimit Evropian, por dhe më larg Bashkimit Evropian që janë të gatshëm me investuar por që fatkeqësisht legjislacioni në fuqi, kjo burokracia tek ne, rregullimi i dokumentacionit, kam filluar qysh prej shkurtit të këtij viti me parkun e biznesit që ende nuk kemi arritur me përfunduar aq shkoi një vit”, ka deklaruar kreu i Skenderaj.

Në vitin e parë të qeverisjes, Bekim Jashari u ballafaqua me kundërshtime të forta opozitare, të cilat madje sollën edhe përleshje në Kuvendin komunal të Skenderajt.

Por sipas Jasharit, situata tani është përmirësuar.

Prioritetet kryesore për këtë vit, Jashari thotë se mbeten vazhdimi i projekteve në infrastrukturë rrugore, kanalizime, ujësjellës, arsim e shëndetësi.

I pari i Skenderajt për këtë vit premton se do të sigurojë kulm mbi kokë për të gjitha familjet e pastreha në këtë komunë. Këtë ai thotë do ta arrijë falë marrëveshjeve që ka nënshkruar me shoqatën “Jetimat e Ballkani”, dhe Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

Falë këtyre bashkëpunimeve, Jashari thotë se më shumë 45 shtëpi do ndërtohen për këto raste sociale.

e-max.it: your social media marketing partner

Please publish modules in offcanvas position.