Tahiri: Kosova ndër të parat në rajon që bëhet me Kod Civil

Tahiri: Kosova ndër të parat në rajon që bëhet me Kod Civil

Drafti i Kodit Civil të Kosovës është finalizuar dhe së shpejti pritet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për të marrë sugjerimet e fundit, që më pastaj të miratohet.

 

Kështu është bërë e ditur në aktivitetin “Rruga drejt një Kodi Civil modern të Kosovës”, organizuar nga projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”, i cili ka mbështetur Ministrinë e Drejtësisë.

 

Me këtë rast, është thënë se Kodi Civil prek qytetarët e Kosovës në jetën e tyre të përditshme, siç janë kontratat dhe marrëveshjet e tyre, duke përfshirë të drejtat e tyre pronësore. Po ashtu, ndikon në mënyrën se si regjistrohet jeta familjare dhe atë se cilat të drejta trashëgimore mund t’i ketë njeriu.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se Republika e Kosovës ndër të parat në rajon po bëhet me Kod Civil, e kjo sipas tij vije falë punës më shumë se 2 vjeçare të profesionistëve të kësaj fushe që për muaj të tërë kanë bërë debate se si duhet të rregullohet fusha e të drejtave civile në vend.

I pari i Drejtësisë është shprehur se me të marrë detyrën e ministrit ka pasur tri prioritete, sundimin efikas të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe qasje efikase në drejtësi. Kjo e fundit sipas tij është e lidhur pikërisht me Kodin Civil.

Krahas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, Tahiri tha se Kodi Civil ka qenë dhe është prej prioriteteve të tij dhe të ministrisë që e drejton.

Tahiri ka treguar edhe hapat që i kanë ndërmarrë gjatë hartimit të draftit të Kodit Civil, ku ka përmendur se Kushtetuta e Kosovës ka qenë udhërrëfyesi themelor.

Ndërkaq, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se është bërë një punë e madhe në hartimin e këtij drafti, teksa është shprehur se mezi pret që të miratohet në Kuvendin e Kosovës.

Please publish modules in offcanvas position.