Haradinaj për AFP: Mund të ketë marrëveshje me Serbinë këtë vit, por pa korrigjim të kufijve

Haradinaj për AFP: Mund të ketë marrëveshje me Serbinë këtë vit, por pa korrigjim të kufijve

“Një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë është e mundur të ndodh këtë vit, por duke mos përfshirë ndryshimin e kufijve”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë një interviste dhënë AFP-së, duke paralajmëruar se këmbimi i territoreve mund të ringjallë demonët e vjetër në Ballkanin e luftës.

 

Ideja që Kosova dhe Serbia të mund t’i japin fund problemeve kishte filluar të qarkullojë që nga viti i kaluar, kur dy presidentët ai i Kosovës, Hashim Thaçi dhe i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, filluan të përkrahën idenë që në tavolinë të diskutohet ideja e “korrigjimit” të kufijve, transmeton Telegrafi.

 Por, ky propozim është refuzuar kategorikisht nga kryeministri Haradinaj, dhe që nga ajo kohë bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja midis dy presidentëve janë ndalur.

Duke folur për AFP-në nga zyra e tij në Prishtinë, Haradinaj ka thënë se beson se marrëveshja është “ende e arritshme madje këtë vit”, por pranoi se nuk lëshon pe kur është në pyetje çështja e shkëmbimit të territoreve.

“Të hapni temën për territoret dhe kufijtë do të thotë të hapni të kaluarën, të kaluarën tragjike”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.

Kufijtë “ishin subjekt i luftërave të kaluara”, shtoi ai, duke iu referuar pjesërisht luftës gjatë viteve 1998-1999 që në mënyrë efektive ndau Kosovën. Në këtë luftë u vranë më shumë se 13 mijë persona, shumica shqiptarë.

“Ndryshimi i kufijve sërish do të ishte i rrezikshëm dhe nuk na afron drejt një marrëveshje, përkundrazi nga largon nga ajo”, ka shtuar Haradinaj.

Kundërshtimet kategorike të Haradinajt ndaj ndryshimeve kufitare e vënë atë edhe publikisht kundër presidentit Hashim Thaçi, që po merr pjesë në bisedimet e udhëhequra nga BE-ja me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq.

Edhe pse asnjëri nga presidentët nuk e kanë shpjeguar plotësisht propozimin për shkëmbim territoresh, mediat lokale dhe analistët besojnë se pjesa veriore e Kosovës që banohet kryesisht nga shumica serbe do t’i kalojë Serbisë, në këmbim që një pjesë e Luginës së Preshevës t’i bashkohet Kosovës që gjithashtu banohet nga shumica shqiptarë.

Sidoqoftë, diplomatët perëndimore, në veçanti SHBA-të, duken të jenë më shumë të hapura ndaj propozimit sesa ndaj të kaluarës, kur rishkrimi i kufijve të Ballkanit konsiderohet si tabu pas luftërave të përgjakshme në Jugosllavi.

Siç raporton AFP, Haradinaj është i etur që të rifillojnë bisedimet, por pengesa kryesore po vlerësohet të jetë tarifa 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina të cilën e ka vënë qeveria e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar. Të premten e kaluar, SHBA kanë ripërsëritur kërkesën për heqjen e menjëhershme të tarifës.

“Haradinaj tha për AFP se tarifa ishte një përgjigje ndaj “arrogancës” së zyrtarëve serbë, të cilët i akuzon për sabotimin e përpjekjeve të Prishtinës për t’u pranuar në organizatën ndërkombëtare të policisë në Interpol gjatë vitit të kaluar.

“Beogradi prej kohësh ka bërë fushatë për ta mbyllur Kosovën jashtë organizatave ndërkombëtare përfshirë këtu edhe OKB-në”, ka shtuar Haradinaj.

E derisa Haradinaj fillimisht kishte deklaruar se tarifa nuk do të hiqet derisa Beogradi nuk e njeh Kosovën, nga ajo kohë ai ka zbuluar paksa qëndrimin e tij, duke thënë se do ta hiqte taksën nëse përpjekjet do të bëhen me besimin e mirë për të rifilluar dialogun.

“Nëse bisedimet do të ishin më serioze, nëse do të organizohej ndonjë konferencë ku gjithçka që do të përgatitej do të na shpinte diku, do t’i jepnim një shans procesit. Por nëse Serbia thotë se kurrë nuk do ta njeh Kosovën, përgjigja ime në kurrë nuk do ta heqim tarifën”, ka shtuar për AFP, Haradinaj.

Please publish modules in offcanvas position.