Vuçiç:  E ardhmja jonë evropiane varet nga negociatat me Prishtinën

Vuçiç: E ardhmja jonë evropiane varet nga negociatat me Prishtinën

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të enjten se, dështimi për të ringjallur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të destabilizojë rajonin e Ballkanit Perëndimorë. Ai i bëri këto komente në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, duke folur për procesin e pezulluar të bisedimeve, vazhdimi i të cilave kushtëzohet me anulimin e tarifave ndaj mallrave serbe që janë vendosur nga qeveria e Kosovës.

“Çdo ditë e zvarritjes, çdo ditë dhe çdo javë e zvarritjes, mund të krijojë mundësi në të cilat një shkëndijë mund t’i fusë flakën tërë rajonit. Vendet perëndimore, që e përdhelin Prishtinën, duhet ta dinë këtë shumë mirë”, tha ai. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë. Por, ajo është përfshirë në një proces të gjatë bisedimesh me Kosovën, meqë normalizimi i marrëdhënieve, është kusht për integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian. “E ardhmja jonë evropiane varet nga negociatat me Prishtinën dhe nëse ndonjë ditë do të jemi në gjendje të arrijmë ndonjë marrëveshje. Përndryshe, askush nuk do të na lejojë në Bashkimin Evropian dhe qytetarët e Serbisë duhet ta dinë këtë”, tha ai, duke nënvizuar se një marrëveshje është ende e largët.

Please publish modules in offcanvas position.