Milo: Për dalje nga kriza e thellë politike nevojitet takim liderësh

Milo: Për dalje nga kriza e thellë politike nevojitet takim liderësh

Profesori i njohur universitar Paskal Milo thotë se zgjidhja e krizës politike duhet të vijë nëpërmjet një tryeze politike, që duhet të shkojë paralelisht me një tryezë parlamentare. I ftuar në studion e lajmeve të RTV ORA, kreu i Partisë Demokracia Sociale u shpreh se deputetët e rinj në Parlament nuk janë përfaqësues të opozitës.

 

“Nuk besoj gjithashtu që ata përfaqësues që kanë hyrë në Kuvendin e Shqipërisë në emër të opozitës mund të luajë rolin e opozitës, sepse duhet të jemi të sinqertë dhe mos i gënjejmë shqiptarët. Ata deputetë që kanë vajtur atje në përputhje me ligjin, por ata nuk janë përfaqësues realë të opozitës. Opozita është në rrugë tani. Ata janë përfaqësues që kanë dalë nga partitë e opozitës, por vetë opozita, partitë i kanë përjashtuar dhe për rrjedhojë ata nuk e përfaqësojnë më opozitën. Këtu ka një ngërç të madh që duhet të zgjidhet me tryezë politike, që duhet të shkojë paralel me tryezën parlamentare. Forcat politike më të mëdha të vendit, duhet të afrohen në tryezë, duhet të bisedojnë. Duhet të gjendet edhe ndërmjetësi, që për fat të keq në Shqipëri ndërmjetësi është gjetur nga faktori ndërkombëtar”, tha Milo.

Largimin e opozitës nga Parlamenti, Milo e shikon si një riciklim të metodave të politike, që PD ka përdorur edhe herët e tjera kur ka qenë në opozitë.

“Duhet bërë një reformë zgjedhore përtej asaj që paraqitur PS në komisionin parlamentar, sepse ajo vetëm disa retushe do bëjë në kodin zgjedhor. Nuk është se do bëjë ndryshime thelbësore që duhen dhe janë të domosdoshme, sepse që nga viti 2008 kur është bërë ai ndryshim dramatik i kodit zgjedhor, që është një nga burimet kryesore të tensioneve politike që ka sot politika, është e nevojshme të këtë ndryshime”, nënvizon Milo.

Please publish modules in offcanvas position.