Kosova do të themeloj Institut për hulumtime të krimeve të luftës

Ushtruesja e detyrës ministre e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu nënshkroi sot vendimin për krijimin e ekipit të punës që do të përgatisë analizën për themelim të Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-99, transmeton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Njoftimin për e këtë e bëri vetë ministrja Haxhiu, në faqen e saj në Fejsbuk, duke theksuar detyrën e ekipit që do të jetë “përpilimi i një studimi të argumentuar për themelimin e mekanizmit, që do të merret me hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”.

Po ashtu, thotë Haxhiu, ky ekip “do të identifikojë edhe praktikat e mira të krahasueshme dhe të pasqyrojë elementet dhe specifikat që mund të përfshihen në rastin e Kosovës”.