“Katimerini”: Rivaliteti mes Sofjes dhe Maqedonisë së Veriut krijon plasaritje të re në krahun juglindor të NATO-s

Insistimi i Bullgarisë që ta bllokojë fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, paraqet rrezik për krijimin e edhe një plasaritje të krahut juglindor të NATO-s, në kushte kur ekzistojnë ndarje të thella mes të dy anëtareve të tjera në Paktin e rajonit – Greqia dhe Turqia, vlerëson edicioni elektronik i gazetës greke “Katimerini”.

Sipas gazetës, mes Sofjes dhe Shkupit po krijohet një përplasje e re “për shkak të kontroversës së vjetër dy shekuj në bazë etnike”.

“Edhe Bullgaria edhe Maqedonia e Veriut janë anëtare kyçe të Aleancës në rajon. Bullgaria me rolin e saj si supervisor mbi Detin e Zi dhe në jug të Rusisë, ndërsa Maqedonia e Veriut si tampon zonë kundër përhapjes së mëtutjeshme ruse në zemrën e Ballkanit. Të dyja vendet shumë fuqishëm i ndjejnë pasojat nga konflikti amerikan – rus për ndikim”, shtoi gazeta. 

Sipas “Katimerinit”, deri më tani duket se rivaliteti mes Sofjes dhe Shkupit nuk ndikon ndaj NATO-s, e cila është në qëndrimin se bëhet fjalë për “çështje evropiane të cilën duhet ta zgjidhin vendet anëtare të BE-së”.

“Edhe po të jetë ashtu, bllokada e Bullgarisë për hyrje të Maqedonisë së Veriut në BE nuk del nga kriteret për anëtarësim, si nevoja për përforcim të demokracisë ose çrrënjosjen e korrupsionit, por ajo bazohet në pohimet historike të cilat e nxisin nacionalizmin e të dyja palëve dhe kjo së shpejti do të mund të kishte ndikim edhe ndaj NATO-s, nëse këto dallime nuk tejkalohen”, shtohet në komentin e gazetës athinase.

“Katimerini” vlerëson se të gjitha këto ngjarje i rrisin “ethet antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, ndërsa qëndrimet e Shkupit drejtë Sofjes bëhen më agresive.

Gazeta thekson se autoritetet në Shkup e refuzuan kërkesën e Sofjes që të marrë pjesë në kontrollin e NATO-s në hapësirën ajrore mbi Maqedoninë e Veriut dhe u tërhoqën nga pjesëmarrja në projektin për centralin bërthamor bullgar “Belene”, duke e mbështetur në vend të tij projektin për gaz natyror në portin verior grek Aleksandropolis.