Tiranë, Kuvendi voton pro kërkesës për shkarkimin e Metës dhe ngritjes së Komisionit Hetimor

Tiranë, Kuvendi voton pro kërkesës për shkarkimin e Metës dhe ngritjes së Komisionit Hetimor

98 deputetë votuan pro kërkesës së mazhorancës për të shkarkuar nga detyra presidentin Ilir Meta, me motivacionin se ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës para dhe gjatë zgjedhjeve të 25 prillit.

5 deputetë votuan kundër, ndërsa 2 abstenuan. Gjithashtu, 97 deputetë votuan pro ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit, 6 votuan kundër dhe 1 abstenoi.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, renditi arsyet se përse kjo mazhorancë duhet të shkarkojë Metën, ndërsa i bëri thirrje edhe kreut të opozitës, Lulzim Basha, që ta mbështesë këtë nismë.

“Po si i drejtohet Presidenti popullit ndërkohë që përfaqëson unitetin e kombit: t’i mprehin sëpatat, sfurqet, t’i kenë gati për të dielën…! ‘Të kemi frikë nga Amerika se ka raketa, ka edhe Rusia, ka edhe ky koreano-veriori. Kurrë institucioni i Presidentit nuk është përdhunuar në mënyrë kaq banale sa ky. Kemi pasur president që i ka shpallur luftë popullit apo president që ka shkaktuar debat për mustaqet, por kurrë si ky.

Ne nuk po shkarkojmë Ilir Metën se duam të vendosim një përfaqësuesin tonë. Procedura për shkarkimin e Ilir Metës është një detyrim sa moral, aq edhe Kushtetutës. T’ia heqim menjëherë turpin në derë Shqipërisë për t’ia lënë turpin Ilir Metës. Thirrja jonë shkon edhe për Lulzim Bashën. Tashmë PD-ja ka në këtë sallë deputetët që garuan në listat e saj më 25 prill. Do ishte në nderin e tyre të na bashkoheshin në këtë nismë”, tha Balla.

Disa nga deputetet e opozitës parlamentare kanë kundërshtuar procesin e shkarkimit të presidentit. Sipas Ralf Gjonit, nuk i takon opozitës aktuale që të votojë mbi procedurën, por atij të zgjedhur më 25 prill.

“Nuk na takon ne detyra e shkarkimit të presidentit. Nuk kemi më ne si deputetë legjitimitet moral dhe për rrjedhojë dhe kushtetues për t’u marrë me shkarkimin e presidentit të Republikës. Kjo ndërmarrje kaq e madhe dhe e rëndësishme i takon parlamentit të ri”, tha Ralf Gjoni.

Ndërsa Myslim Murrizi tha se kjo nismë është shashka e radhës e mazhorancës që këtë herë ka gjetur bashkëpunimin e Partisë Demokratike.

“Jam në atë komision pasi edhe unë desha të shihja çfarë mëkati, zullumi, tradhtie, shkelje të Kushtetutës, pickim, ka realizuar ky president”, u shpreh Murrizi.