Sedat Peker publikon videon e nëntë: Gjyqtarë, prokurorë, çfarë po bëni në hotelin e të kërkuarit?

Sedat Peker, njeriu kryesor i mafisë turke, po vazhdon të publikojë video teksa flet për përfshirjen e njerëzve të pushtetit në krime të ndryshme.

Njeriu i momentit që po trondit Turqinë, Peker ka publikuar edhe videon e nëntë, e cila brenda 24 orëve është shikuar rreth dhjetë milionë herë në YouTube.

Në videon e re, 49-vjeçari ka pohuar se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, fenë po e shfrytëzon për popullizëm duke dhënë disa shembuj me Palestinën dhe shtetet e Ballkanit, transmeton Telegrafi.

Peker tregon sesi investimet kryesore të shtetit turk janë në vendet që kanë kryer krime kundër myslimanëve, si në rastin e Serbisë gjersa fjalimet e tij publike janë sikur të ishte lider i botës islame.

“Vendet e Ballkanit i kam vizituar fshat më fshat. Njerëzit e shteteve myslimane po më thonë, ‘Si është e mundur që të gjitha ndihmat dhe investimet i keni ndaluar për ne ndërsa ato i keni dërguar tek shteti që na ka përdhunuar dhe masakruar, Serbia. Shtetet ballkanike më nuk po e konsiderojnë më lider të ummetit (myslimanëve). Gjithashtu edhe tek arabët e ka humbur besimin”, tha ai.