Bullgaria do të “shpërblej” qytetarët që vaksinohen kundër koronavirusit

Bullgaria do të “shpërblej” qytetarët që vaksinohen kundër koronavirusit

Bullgaria po e shqyrton mundësinë që të ofrojë stimuj, për të inkurajuar qytetarët që të vaksinohen kundër koronavirusit, tha të dielën kryeministri i përkohshëm, Stefan Yanev.

Bullgaria është në mesin e pak shteteve që u ofrojnë mundësinë qytetarëve që të zgjedhin me cilën vaksinë duan të vaksinohen. Aktualisht, në këtë shtet, qytetarët kanë në dispozicion që të zgjedhin në mesin e katër llojeve të vaksinave kundër koronavirusit.

Sipas të dhënave, deri më tani 14.5 për qind e popullsisë së rritur në Bullgari janë vaksinuar plotësisht, që e bën një prej shteteve me nivelin më të ulët të vaksinimit në Bashkimin Evropian.

Një prej arsyeve kryesore të mosbesimit në vaksina në Bullgari përmendet frika e qytetarëve ndaj produkteve të reja mjekësore. Një arsye tjetër është se rreth 400.000 qytetarë tashmë e kanë kaluar virusin dhe kanë fituar imunitet.

“Ne nuk planifikojmë që ta detyrojmë askënd (që ta marrë vaksinën). Por, ne jemi duke e shqyrtuar mundësinë që njerëzit që marrin dozën e dytë, të fitojnë disa kuponë”, tha Yanev.

Sofja ka hapur njësi të veçanta të vaksinimit në parqe, me qëllim që njerëzit të mund të vaksinohen më shpejt dhe po ashtu po planifikon fushata vaksinimi në lagjet e banuara nga romët, me qëllim që të bindë pjesëtarët e këtij komuniteti për përfitimet nga vaksinat.

Nëse dështojnë që të përshpejtojnë fushatën e vaksinimit, autoritetet bullgare do të mund të detyrohen që të hedhin vaksinat, të cilat kanë afat të skadimit.

Yanev tha se Bullgaria mund të përballet me një rrezik të tillë deri në fund të gushtit dhe se po punon me BE-në për të parë mundësitë e dhurimit të rreth 150.000 dozave të vaksinave për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Qeveria e përkohshme bullgare do të qëndrojë në detyrë deri në formimin e një qeverie të re, pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, të planifikuara për 11 korrik.