Kosova pranon vaksina Pfizer, dhuratë nga SHBA-ja

Kosova pranon vaksina Pfizer, dhuratë nga SHBA-ja

Në Kosovë të premten arriti kontingjenti i parë i vaksinave Pfizer, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky kontingjent prej 35.100 dozash të vaksinës kundër koronavirusit, është në kuadër të donacionit prej mbi 500.000 vaksinave që SHBA-ja do të dhurojë për Kosovën, përmes programit COVAX, që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave për shtetet e varfra.

Në ceremoninë e organizuar në Prishtinë, pas arritjes së këtij kontingjenti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se në mars i kishte shkruar presidentit amerikan, Joe Biden për t’i kërkuar që të dërgojë në Kosovë vaksina.

Ajo falënderoi SHBA-në për dhurimin e këtyre vaksinave dhe tha se vlera e këtij donacioni “shkon përtej numrave”.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se pavarësisht se Kosova ka qenë shteti i fundit në rajon që ka nisur procesin e imunizimit në fund të marsit, ky proces, sipas tij, është duke shkuar mirë dhe theksoi se deri në fund të vitit do të arrihet synimi i qeverisë, që të vaksinohet 60 për qind e popullatës.

“Po përballemi me një pandemi të vështirë, zgjidhja përfundimtare e së cilës është vaksinimi”, tha Kurti.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett rikujtoi se vendi i tij është donatori më i madh i COVAX-it ku ka kontribuar me 2 miliardë dollarë.

Ai porositi qytetarët e Kosovës që të marrin vaksinat, pasi tha se ato janë të sigurta.

Donacioni i ri i vaksinave nga SHBA-ja erdhi në ditën kur Kosova regjistroi numër rekord të rasteve të reja, përkatësisht 2.250 infektime brenda një dite dhe katër viktima.

Deri më tani, në Kosovë 227.581 persona janë vaksinuar plotësisht, me të dy dozat e vaksinës. Ndërkaq, numri i përgjithshëm i dozave të administruara është 666.476.