Shpërthimi i dronit në Kroaci, dalin detajet nga hetimi

Shpërthimi i dronit në Kroaci, dalin detajet nga hetimi

Zyra e Prokurorit të Shtetit në Kroaci, ashtu si edhe ekspertët ushtarakë dhe policorë paraqitën rezultatet e hetimeve në rastin e përplasjes së një droni të kohës sovjetike në pjesën jugore të Zagrebit, më 10 mars.

Sipas tyre, hetimet kanë treguar se droni bartte një mjet të improvizuar shpërthyes.

Gjithashtu, në ngjyrën e kuqe të yllit në krahun e dronit, ai që e ka lëshuar, ka vënë ngjyrat e flamurit të Ukrainës: të verdhë dhe të kaltër. Droni i ka nisur manovrat e uljes jo shumë larg Zagrebit, por ekspertët thanë se nuk kanë mundur të konfirmojnë se Zagrebi ka qenë objektivi.

Ekspertët supozuan se për ndonjë arsye, mund të ketë ndodhur ndonjë gabim gjatë uljes. Jurica Illiq, nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, tha se ky hetim është fokusuar në shkaqet e rrëzimit të dronit, ndërsa hetimi se kush e ka nisur atë dhe nga ka ardhur saktësisht, vazhdon. Droni, gati gjashtë tonë i rëndë, i prodhuar në vitet 1980 në Bashkimin e atëhershëm Sovjetik.

Nga hetimet u konstatua se bëhet fjalë për një dron zbulues TU-141, i cili deri në rënien e tij në Kroaci, ka kaluar në hapësirat ajrore të dy vendeve anëtare të NATO-s: Rumanisë dhe Hungarisë. Pas hyrjes në hapësirën ajrore të Kroacisë, droni ka fluturuar shtatë minuta, me një shpejtësi prej 700 kilometrash në orë dhe në lartësi prej 1,300 metrash, përpara se të rrëzohej.

 

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.