Raporti i Ban Ki-moon për Kosovën: Të shqetësuar me dhunën e opozitës

Raporti i Ban Ki-moon për Kosovën: Të shqetësuar me dhunën e opozitës

Raporti i fundit per Kosoven i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, shpreh shqetësimin për dhunën e opozites, duke vlerësuar se ky zhvillim ka kontribuar në shtyrjen e disa aspekteve të marrëveshjes në mes të Beogradit dhe Prishtinës, sidomos në krijimin e Asociacionit.

Ai shprehet se, e vlerëson angazhimin e Beogradit dhe Prishtinës për të vazhduar takimet në nivel të lartë në kuadër të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së, transmeton lajmi.net.

Raporti i përgatitur nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon përfshin periudhën nga 16 tetori 2015 deri më 15 janar të këtij viti, dhe do të diskutohet gjatë këtij muaji Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë ka mbetur përgjithësisht e qëndrueshme gjatë kësaj periudhe përkundër dhunës politike gjatë protestave, thuhet ndër të tjera në raportin e siguruar nga agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Raporti vë në dukje se periudha është shënuar me ndërhyrje të vazhdueshme në pengimin e funksionimit të parlamentit të Kosovës nga ana e deputetëve të opozitës, të cilët po protestonin pjesërisht për shkak të marrëveshjes së miratuar në gusht të vitit 2015 në kuadër të dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës, me ndërmjetësimin e BE-së.

"Përdorimi i vazhdueshëm i dhunës dhe retorikës nxitëse nga ana e opozitës është arsye për shqetësim serioz. Veprime të tilla janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në një shoqëri demokratike, dhe ato mund të kenë ndikim negative për Kosovën”", ka thënë Ban Ki-moon.

"Unë i bëj thirrje të gjitha palëve që të dyfishojnë përpjekjet e tyre në interes të të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë. Unë e vlerësoj angazhimin e Prishtinës dhe Beogradit që të vazhdojnë takimet e nivelit të lartë në kuadrin e dialogut me ndërmjetësimin e BE-së në të ardhmen e afërt", shton ai.

Sipas tij, duke treguar angazhim të konsiderueshëm ndaj sundimit të ligjit në Kosovë kërkohet veprim i shpejtë dhe vendimtar për të siguruar vendosjen e plotë dhe funksionalizimin e Gjykatës Speciale dhe në këtë drejtim ka mirëpritur njoftimin e qeverisë holandeze më 15 janar se selia e institucionit është vendosur të jetë në Hagë.

"Unë pres që të gjithë pjesëmarrësit të punojnë në mënyrë efektive në drejtim të përfundimit të hapave të mbetur në përputhje me vendimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015", thotë Ban Ki-moon.

Please publish modules in offcanvas position.