Dy fëmijët e lënduar nga aksidenti i autobusit serb në Bullgari janë në gjendje të rëndë, por stabile

Fëmijët të cilët janë lënduar më rëndë në aksidentin e autobusit serb në autostradën Thrakia mbeten në trajtim intensiv. Natën e kanë kaluar relativisht qetë, tha drejtori i spitalit “Pirogov”, dr. Valentin Dimitrov.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Sofja, sipas Dimitrovit, sot duhet të bëhen ekzaminime me specializim të lartë njërit prej fëmijëve nga Serbia për të saktësuar dhe vendosur diagnozën përfundimtare.

Fëmija tjetër do t’i nënshtrohet një operacioni të rëndë për të stabilizuar frakturat e legenit. Dy fëmijët e lënduar nga Serbia ndodhen në Repartin e “Reanimacionit të Fëmijëve” në spitalin e Sofjes.

“Nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për jetën, por ata janë në gjendje të rëndë, koha është shumë e shkurtër që të kemi ndonjë ndryshim të madh”, tha Dimitrov.

Drejtori i spitalit “Pirogov” dje është takuar me familjarët e fëmijëve të lënduar dhe me drejtuesen e përkohshme të Ambasadës së Serbisë në Bullgari, Sllavica Paniq, për t’i informuar për trajtimin e ndërmarrë.