Abazoviç: Krimi i organizuar rregullon politikën

Abazoviç: Krimi i organizuar rregullon politikën

Mandati i Dritan Abazoviçit në krye të qeverisë së Malit të Zi përfundon pas mocionit të mosbesimit të miratuar nga 50 deputetë nga gjithsej 81 sa ka parlamenti malazez. Iniciativa ishte e partisë së presidentit Milo Gjukanoviç dhe katër grupeve parlamentare, edhe pse partia e Gjukanoviçit ishte ajo me ndihmën e të cilës Abazoviç u bë kryeministër në fund të prillit.

Pas rrëzimit ai fajësoi krimin e organizuar dhe shtoi se nëse formohet qeveria e re para zgjedhjeve, ai nuk do të marrë pjesë në to. 

“Përgëzoj koalicionin e ri të (Alekse) Beçiçit dhe Gjukanoviçit, jemi gati të pranojmë humbjen. Më vjen keq që krimi i organizuar në Mal të Zi vazhdon të përdorë tentakulat e tij për të rregulluar marrëdhëniet politike”, tha Dritan Abazoviq, kryeministër në largim i Malit të Zi.

Abazoviç kishte revoltuar dy javë më parë presidentin e vendit, sepse kishte nënshkruar një marrëveshje të kontestuar me kishën ortodokse serbe. Kjo marrëveshje është mjaft e debatuar në Malin e Zi, sepse i jep të drejta të veçanta kishës ortodokse serbe të kontrolluar nga Beogradi.

Qeveria e Abazoviçit ishte një koalicion shumë partiak i pakicës me partinë e tij URA, Të Gjelbrit, socialdemokratët, partitë etnike të shqiptarëve dhe boshnjakëve si edhe një partie proserbe. Abazoviç e gjeti veten në krye të shtetit pas zgjedhjeve të vitit 2020, kur përfundoi qeverisja tridhjetëvjeçare e Partisë Demokratike të Socialistëve Milo Gjukanoviq. Në qeverinë e mëparshme të Zdravko Krivokapiçit, ai ishte nënkryetar.

Abazoviç do të vazhdojë të drejtojë qeverinë në detyrë, deri sa të zgjidhet kryeministri i ri.

Rënia e Qeverisë hap mundësinë e formimit të një Qeverie të re, të tretë, bazuar në rezultatet zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të gushtit 2020. Nëse një grup i caktuar politik mbledh 41 nënshkrimet e deputetëve, ata do të mund t’i paraqesin kërkesë presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, për t’i dhënë mandatin për formimin e Qeverisë së re.