​Moti i keq, Shqipëri: Policia thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar në trafik

​Moti i keq, Shqipëri: Policia thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar në trafik

Policia e Shtetit shqiptar ka bërë të ditur se ndodhet në gatishmëri të plotë për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve në raste nevoje, si pasojë e motit të keq, në disa qarqe të vendit, ndërkohë që ka apeluar për një kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në trafik.

Shërbimet e Policisë së Shtetit gjatë gjithë ditës së sotme, për shkak të reshjeve të shumta, në disa qarqe të vendit, janë angazhuar maksimalisht në operacionet e kërkim-shpëtimit, evakuimit të qytetarëve, si dhe monitorimit të akseve rrugore.

Grupet e drejtimit, të ngritura në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe, kanë monitoruar në vazhdimësi situatën duke bashkëpunuar me emergjencat civile në nivel qarku dhe bashkie, me qëllim ardhjen në ndihmë të qytetarëve në nevojë, si pasojë e situatës së krijuar nga moti i keq.

Deri në këto momente, bazuar nga raportimet e punonjësve të Policisë në terren, konstatohet se në disa akse rrugore nacionale dhe ato kryesore rurale, ka vështirësi të qarkullimit për shkak të prezencës së ujit dhe të inerteve në disa akse rrugore, si pasojë e motit të keq.

Në qarkun e Tiranës në rrugët kryesore ka prezencë uji, por situata nuk është problematike. Në qarkun Durrës, segmenti Thumanë - Rinas ka prezencë uji, qarkullimi vijon normalisht. Autostrada Durrës - Tiranë, në të dy krahët ka prezencë uji, lëvizja e mjeteve është normale.

Unaza Shkozet - Plepa - Shkëmbi i Kavajës - Durrës ka prezencë uji, qarkullimi i mjeteve është i ngadaltë. Segmenti Autostrada "Royal Gaz"- Kryqëzimi i Stadiumit, ka prezencë uji, qarkullimi i mjeteve është normal.

Në qarkun Gjirokastër, në akset nacionale rrugore Kakavijë–Krahes, Qafë e Muzinës – Jergucat, Tuneli i Skërficës – Ura e Kardhiqit dhe Çarshovë – Ura e Leklit, nuk ka probleme për kalimin e mjeteve.

Akset nacionale dhe rurale në qarkun e Gjirokastrës janë të kalueshme, si dhe nuk ka pasur përmbytje.

Rrugët rurale janë të kalueshme, por në segmentin Kolonjë - Golem, ka prani të shtuar të inerteve në rrugë.

Në qarkun Shkodër, në hyrje te qytetit të Shkodrës, te Harku i Bërdicës ka prezencë uji dhe aksi është i kalueshëm vetëm për mjete te tonazhit të lartë. Shërbimet e Policisë Rrugore janë prezent duke monitoruar situatën e po orientojnë qarkullimin e mjeteve, nga rruga e vjetër.

Në qarkun e Lezhës, në aksin rrugor rural Grash - Zojs, në vendin e quajtur Ura e Zojsit, uji ka arritur nivelin e urës, por lëvizja e automjeteve vijon pa probleme deri në këto momente.

Në aksin rrugor Lezhë - Ishull Lezhë, nënkalimi është i mbuluar nga uji dhe në këtë vend, policia ka bllokuar lëvizjen e automjeteve dhe lëvizja ka vijuar nëpërmjet një rruge ngjitur me këtë aks rrugor.

Në qarqet Elbasan, Fier, Vlorë, Berat, Korçë, Kukës e Dibër lëvizja e mjeteve vijon normalisht, në të gjitha akset rrugore.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe të motomjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të moderojnë shpejtësinë, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të mos përdorin aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit apo të mos drejtojnë automjetet nën ndikimin e alkoolit dhe të vendosin rripin e sigurimit.

 

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.