Kurti e Vuçiq ftohen në Bruksel

Kurti e Vuçiq ftohen në Bruksel

Kryeministri Albin Kurti si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë ftuar në Bruksel nga kryediplomati evropian, Josep Borrell. Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano. Të dy janë ftuar për të gjetur një zgjidhje për ngërçin e krijuar në veri të vendit.

Stano tha se nuk komenton raportimet e mediave për arritjen e ndonjë marrëveshjeje ndërsa Bashkimi Evropian po bën punën që i është ngarkuar, atë të lehtësuesit të dialogut mes të dy vendeve.

Ai tha se nuk komenton as proceset që janë duke vijuar dhe ndërveprimet me shtetet pasi janë procese diplomatike që zhvillohen në konfidencialitet.

“Kur është fjala për situatën e përshkallëzuar, situatën e krizës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të kujtoj dhe të theksoj se puna e Bashkimit Evropian si lehtësues, është duke vazhduar. Dhe ne presim me padurim një sjellje evropiane që çon në një zgjidhje evropiane. Siç tha përfaqësuesi i lartë Borrell, pasi u diskutua çështja këtë të hënë mes ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së në Këshillin e Punëve të Jashtme. Tani kemi ftuar presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti që të vijnë në Bruksel për një takim të nivelit të lartë dhe shpresojmë që ky takim të bëhet shumë shpejt”, tha Stano.

Ditë më parë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi qëndroi në Bruksel në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave dhe pas situatës së krijuar pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës. Mirëpo, u tha se nuk ka pasur asnjë marrëveshjeje.

Pikërisht, duket se kjo është arsye, që Borrell kërkon një zgjidhje para datës 21 nëntor, datë kjo kur fillon shqiptimi i gjobave për serbët që nuk kanë targat RKS e për të cilin veprim, strukturat paralele dhe Lista Serbe kanë paralajmëruar “rezistencë”.

“Siç thashë, ajo çka është e re është fakti se ne i ftuam të dy të vijnë në Bruksel urgjentisht për të gjetur një zgjidhje evropiane, një rrugëdalje evropiane nga situata aktuale që është një nga situatat më serioze që po shohim që nga viti 2013, dhe pikërisht ky është qëllimi, të vijnë në Bruksel për të diskutuar me për një zgjidhje. Dhe siç thashë, i ftuam në Bruksel. Shpresojmë se do të mund të vijnë shumë shpejt që të mund të merremi me këto çështje, siç tha edhe përfaqësuesi i lartë para datës 21 dhe jo më pas”, përfundoi Stano.

BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, me qëllim shmangien e tensioneve. Mirëpo, Kosova vendosi për zbatimin shkallë-shkallë të këtij vendimi. Më 1 nëntor është periudha e qortimit, ndërsa nga e hëna e gjobitjes me nga 150 euro.

 

Lajmet e fundit

Zaman Maqedoni

ZAMAN.MK ©
1994 - 2020 - TË GJITHA TË DREJTAT JANË TË REZERVUARA.
Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren pa lejen paraprake të redaksisë.