Kurti thotë se në Bruksel nuk pati marrëveshje, por dakordim

Kurti thotë se në Bruksel nuk pati marrëveshje, por dakordim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha para deputetëve të Kuvendit, se të mërkurën në Bruksel nuk ka pasur marrëveshje, por dakordim për targat. Sipas Kurtit dakordimi e vendos procesin e negocimit të planit evropian në parimin ku Serbia dhe Kosova janë palë të barabarta.

“Marrëveshja e mbrëmshme nuk është marrëveshje për targat. Ne u morëm vesh t’i ndalojmë veprimet reciproke, pra ne nuk do të bëjmë gjobitje për targat KM, dhe do t’i japim hapësirë negocimit të propozimit evropian, që më herët quhej franko-gjerman”, u shpreh Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Opozita në Kosovë tha se mirëpret dakordimin e arritur në Bruksel, por kërkoi më shumë transparencë nga Kurti për dialogun me Serbinë.

Ndërkohë presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se targat KM “do të mbeten dhe do të mbijetojnë” derisa negociatat janë duke vazhduar. Vuçiq po ashtu tha se përfaqësuesit serbë janë të gatshëm të kthehen në institucionet e Kosovës, pasi të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Unë kisha durim mbrëmë, që për ne është tejet e rëndësishme që të mos mund të na thonë nesër ti nënshkruaje këtë ndërsa Asociacionin e Komunave Serbe ta këmbejmë me njohjen. Jo. Fillimisht Asociacionin e Komunave Serbe që është firmosur para 10 vitesh, më pas diçka tjetër”, deklaroi Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

Shtetet e Bashkuara mirëpritën marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”. Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, përgëzohet marrëveshja e të dy vendeve “për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, të cilin Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë si “rrugën më e mirë për të çuar përpara të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës”. Një ditë më parë Kosova dhe Serbia arritën arritur marrëveshje për targat ilegale serbe, ku sipas BE-së, Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa me emra të qyteteve të Kosovës. Pas arritjes së marrëveshjes kryediplomati evropian, Josep Borell, paralajmëroi se në ditët në vijim do t’i ftojë liderët e të dyja shteteve në Bruksel për të diskutuar për “Propozimin e Brukselit”, të mbështetur nga Franca dhe Gjermania.