MAShT: Shkollat turke respektojnë sistemin arsimor të Kosovës

MASHT: Shkollat turke respektojnë sistemin arsimor të Kosovës

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk do të mbyllë asnjë shkollë turke që ushtron aktivitetin në përputhje me sistemin arsimor në Kosovë.

Në përgjigje të paralajmërimeve se Kosova, për shkak të presionit që bën pushteti turk, do të mbyllë disa institucionet arsimore, Faton Fetahu, asistent i ministrit Arsim Bajrami, ka thënë se MASHT-i inspekton tërë procesin arsimor në vend dhe se shkollat turke deri tash kanë ushtruar veprimtarinë në pajtim me ligjet e Kosovës.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, përmes mekanizmave të saj, në kuadër të përgjegjësive ligjore, inspekton dhe monitoron procesin edukativo-arsimor që zhvillohet në të gjitha shkollat e vendit. Deri më tani, nga raportet që kemi, konstatohet se shkollat turke kanë respektuar sistemin arsimor të Republikës së Kosovës, duke përfshirë licencimin dhe rilicencimin, zbatimin e politikave nacionale si Korniza e Kurrikulës së Kosovës, planprogramet dhe tekstet shkollore, vlerësimet e jashtme, inspektimet, dhe në tërësi organizimin dhe funksionimin e tyre në bazë të legjislacionit arsimor të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Fetahu./ koha.net

Please publish modules in offcanvas position.