Në rajon borë, akull dhe erëra të stuhishme

Në rajon borë, akull dhe erëra të stuhishme

Borë, shi, erëra diku edhe me stuhi të fuqishme dhe temperatura në minus sërish i kanë përfshirë vendet e rajonit.

Në disa akse rrugore të qyteteve të Republikës së Shqipërisë gjithashtu janë vërejtur temperatura të ulëta, reshje të borës dhe erëra të fuqishme që e kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve.

Ministria e Transportit informon, në rajonin verior Shkodër, në shumicën e akseve qarkullimi i mjeteve bëhet pa zinxhirë.

Në segmente të caktuara rekomandohen zinxhirët, për shkak të erërave të forta, temperaturave të ulëta që shkaktojnë ngrica në rrugë.

Akset kombëtare në të gjithë vendin janë plotësisht të qarkullueshme dhe vetëm në ndonjë segment ka nevojë për përdorimin e zinxhirëve.

Punonjësit e emergjencave, Policia e Shtetit të Shqipërisë dhe gjithë strukturat e angazhuara për përballimin e situatës, gjenden në terren për t’iu gjendur pranë qytetarëve e mjeteve në vështirësi.

Në disa pjesë të Kroacisë sërish në fuqi është alarmi i kuq. Dalmacia tërësisht është shkëputur, fryn erë me shpejtësi 200 kilometra në orë dhe kështu qytetarët paralajmërohen pa nevojë të mos nisen në rrugë. Më keq është në Kvarner, Istra dhe Dalmacinë Veriore, transmeton Tanjug. Për shkak të borës, është dhënë alarm i verdhë në tërë Kroacinë, përderisa për Kvarner, Istra dhe Dalmacinë Veriore në fuqi është alarmi i kuq.

Meteoalarmi paralajmëron se në rajonin e Riekës pritet stuhi me goditje të stuhishme, ku shpejtësia e erës do të arrijë edhe deri në 145 kilometra në orë.

Për momentin nuk ka rrugë të kalueshme për automjete transportuese me dhe pa rimorkio drejt Dalmacisë dhe anasjelltas, si dhe për automjete të rënda transportuese nga brendësia drejt Istras, Riekës, bregdetit verior dhe anasjelltas.

Edhe në Bosnjë e Hercegovinë, në mëngjes bora dukshëm e ka vështirësuar zhvillimin e komunikacionit, ndërsa veçanërisht vështirë zhvillohet qarkullimi në pjesët malore. Temperaturat e ulëta mundësojnë formim të ngricave, veçanërisht në pjesët më të larta, si dhe në urat dhe në kalimet në tunele.

Për shkak të kushteve të këqija të motit në Mal të Zi, vendkalimi kufitar Deleusha është i mbyllur për automjete transportuese.

Edhe në Serbi për shkak të shtresës së re të borës komunikacioni zhvillohet në situatë të rëndë.

Në Greqinë Veriore dhe Qendrore sot po përballen me valë të re të reshjeve të borës, pas motit të ftohtë i cili i përfshiu rajonet gjatë javës së kaluar.

Shkollat në shumë pjesë të dy rajoneve mbeten të mbyllura, sepse bora dhe akulli e vështirësojnë qarkullimin në shumë pjesë të periferive të qyteteve edhe në vendet me nivel më të lartë detar.

Në ishujt Alonisos dhe Skopelos, autoritetet ende tentojnë t'i rregullojnë dëmtimet në rrugë, largpërçuesit dhe pompat për ujë të cilët janë dëmtuar në motin e lig me borë gjatë javës së kaluar, ndërsa në të njëjtën kohë përgatiten për reshje të reja të borës të paralajmëruara për këtë javë.