MAQEDONIA PARA DILEMËS HAMLETIANE ”TË JESH A TË MOS JESH”

MAQEDONIA PARA DILEMËS HAMLETIANE ”TË JESH A TË MOS JESH”

Maqedonisë i duhet një emër i ri për të hyrë në NATO- dhe për të nisur bisedimet për inkuadrimin në Bashkimin Evropian, në të kundërtën vendi do të shënojë progres të pariparueshëm për shumë gjenerata. Vendi ndodhet para dilemës Hamletiane “Të jesh a të mos jesh”.

 

Të ndërrojmë emrin për të qenë ose të mos e ndërrojë emrin për të mos “qenë”. Fillimisht Greqia dhe Maqedonia duhet të çlirohen nga nocionet gjeografike dhe faktet historike të cilat në gjeopolitikën e re të Ballkanit, pothuajse nuk kanë fare rëndësi. Klima pozitive që ekziston mes dy qeverive jep shpresë se kontesti i çështjes së emrit në vitin 2018 do të përmbyllet, dhe vendi do të shkojë drejt NATO-së duke shmangur kështu trajektoren lindore ose të ashtuquajturin boshtin ruso-turk.

Kryeministri Zoran Zaev dhe faktori shqiptar janë të gatshëm të marrin përgjegjësi historike e cila në fillim do të duket si e pamundur, por pas disa viteve mund të cilësohet si një ndër marrëveshjet më të mira që ka nënshkruar vendi pas pavarësisë. Premisat për një marrëveshje historike me Greqinë janë në sfond, sidomos pas asaj me Bullgarinë për fqinjësi të mirë dhe marrëveshjeve me Shqipërinë dhe Kosovën. Tashmë po bëhen përgatitjet që zgjidhja e kontestit të emrit të pranohet edhe nga qytetarët e të dyja vendeve të cilët në disa raste kanë shprehur një farë doze të pesimizmit. Kjo dozë më e theksuar është tek pala greke të cilët kanë pretendime territoriale ndaj Maqedonisë, dhe kanë kërkuar që termi Maqedoni të mos futet në Marrëveshjen e Re, por kryekëput të jetë një emër tjetër pa referencën Maqedoni. Klima pozitive që ditëve të fundit u krijua nga kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë lidhur me emrin, është zbehur nga paralajmërimet për protesta të reja nacionaliste në Athinë dhe Selanik si dhe nga deklarata e Mitropolitit të Selanikut, Protesta ka edhe në Maqedoni, por me një mbështetje fare të vogël. Për fatin e Maqedonisë do të vendos populli në një referendum që pritet të organizohet pas përfundimit të bisedimeve Maqedoni-Greqi me ndërmjetësimin ndërkombëtar.

Në anën tjetër takimi i fundit në Davos mes dy kryeministrave Zaev dhe Cipras përcolli mesazhin se të dyja qeveritë janë në rrugë të mbarë për ti dhënë fund çështjes së emrit e cila po mban peng të dyja vendet për më shumë se 20 vite. Kryeministri Zoran Zaev, pas takimit me kryeministrin grek në Davos, deklaroi “ Me qëllim që të tregojmë konkretisht se jemi të përkushtuar në procesin e gjetjes së zgjidhjes, paralajmëroj se Qeveria do ta ndërrojë emrin e aeroportit dhe të autostradës. Autostrada do të quhet “Miqësi”. Kjo është dëshmi për faktin se nuk kemi aspirata territoriale ndaj fqinjit tone”. Ndërsa kryeministri grek Aleksis Cipras, pas takimit deklaroi” Duhet doemos të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura, me qëllim që të realizohet ajo që e dëshiron fqinji jonë, anëtarësim në BE dhe anëtarësim në NATO. Prandaj, duhet doemos të gjejmë zgjidhje të përbashkët të pranueshme erga omnes. Prandaj, vendosëm të intensifikojmë procesin negociator i cili është duke u zhvilluar nën patronazhin e OKB-së dhe të gjejmë zgjidhje për emrin”.

Dy kryeministrat konsiderojnë se ka ardhur koha të hapet një kapitull i ri në marrëdhënies jo vetëm mes Greqisë dhe Maqedonisë dhe në fokus të jetë agjenda e miqësisë dhe bashkëpunimit, duke u dhënë fund tensioneve dhe nacionalizmave që e rëndonin rajonin në të kaluarën. Greqia, siç paralajmëroi kryeministri grek dëshiron të jetë lider rajonal, që do të ndihmojë stabilizimin, sigurinë, prosperitetin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Zgjidhja e çështjes së emrit kërkon një konsensus të gjerë nacional në Maqedoni, dhe kjo pritet të diskutohet edhe në shtëpinë e Zhan Monesë, në Francë ku në muajin mars do të takohen liderët e partive politike. Jo zyrtarisht mësojmë se nën presionin ndërkombëtar liderët e partive më të mëdha politike të Maqedonisë do të bien dakord me propozimet e ndërkombëtarëve në lidhje me çështjen e kontestit të emrit. Ky takim ka për qëllim që asnjëra palë të mos ketë përgjegjësi historike për këtë çështje, por të gjitha së bashku edhe me qytetarët e këtij vendi të marrin përgjegjësinë për ndërrimin e emrit të shtetit.

Please publish modules in offcanvas position.