Maqedonia në moment të fundit i shmanget krizës politike, zgjedhjet më 5 qershor

Maqedonia në moment të fundit i shmanget krizës politike, zgjedhjet më 5 qershor

Gjithçka është vendosur vetëm pak minuta para afatit ligjor, ndërkohë që partitë politike druanin nga skenarët e mundshëm që mund të vinin në shprehje pas orës 24 të datës 23 shkurt.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, do të mbahen më 5 qershor, kështu kanë vendosur deputetët e Maqedonisë, të cilët vetëm pak minuta para se të skadojë afati i shpërbërjes së kuvendit me shumicë votash parandaluan shpërbërjen e kuvendit. Gjithçka është vendosur vetëm pak minuta para afatit ligjor, ndërkohë që partitë politike druanin nga skenarët e mundshëm që mund të vinin në shprehje pas orës 24 të datës 23 shkurt.

Më 23 shkurt brenda një dite janë shënuar shumë akrobacione politike, ndërsa liderët e katër partive politike janë gjendur nën një presion të faktorit ndërkombëtar të cilët kërkonin prolongimin e datës së zgjedhjeve.

Qëndrimet e partive politike ishin diamterialisht të kundërta, kurse partitë shqiptare publikisht u pozicionuan në krah të faktorit ndërkombëtar duke dëshmuar se prioritet i shqiptarëve mbetet perëndimi dhe SHBA, pavarësisht pasojave që mund të kishte vendi. Partia e Ahmetit, BDI dhe ajo e Menduh Thaçit, PDSH- ishin në kërkim të votave për të parandaluar shpërbërjen e kuvendit, kurse opozita maqedonase e cila kërkonte shtyrjen e zgjedhjeve nuk u rreshtua në anën e subjekteve politike shqiptare duke i lënë ata të vetme.

Por në politikë më së shumti përfiton ai që kap momentin dhe kjo i shkoi përshtati partisë së Gruevskit, e cila pas takimeve me ndërkombëtarët doli në mbështetje të nismës së deputetëve shqiptar që zgjedhjet të mbahen më 5 qershor. Analistët dhe njohësit e mirë të çështjeve politike në vend, vendimin e Zaevit që të mos votojnë për datën e re të zgjedhjeve e cilësuan si një gabim politik që do të ndikojë në rejtingun e partisë. Këtu vjen në shprehje edhe faktori ndërkombëtar që tha se kushtet për zgjedhje ferr dhe kredibile nuk janë krijuar për më 24 prill, por duhet një datë e re, datë kjo që nuk u mbështet nga opozita maqedonase. Pra sërish kemi një marrëveshje, por pa pëlqimin e të gjithë liderëve politik. Informacionet e fundit që qarkullojnë në opinion se edhe më 5 qershor nuk do të ketë zgjedhje janë shumë pak të besueshme për dy arsye. E para ishte vetë LSDM e cila kërkoi datë të re për zgjedhje, dhe e dyta kjo marrëveshje u arrit me propozimin e ndërkombëtarëve të cilët detyruan VMRO-DPMNE të ndryshojë datën e zgjedhjeve.

Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily në një konferencë për gazetarët ka theksuar se arritja e marrëveshjes për zgjedhjet është lajm i mirë. Nëse të gjithë punojnë me përkushtim dhe i përmbahen rregullave, zgjedhjet mund të jenë të besueshme duke thënë se qëndrimi i tyre është se të gjitha partitë duhet të marrin pjesë në zgjedhje. Ky ishte një sinjal i qartë për partitë që po hamenden të shkojnë në zgjedhje apo t’i bojkotojnë ato. Për këtë marrëveshje është prononcuar edhe ndërmjetësi në bisedimet mes partive politike nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos, Piter Vanhaute, ka komentuar vendimin për anulimin e shpërbërjes së Kuvendit. Ai në rrjetin social ka shkruar: “Edhe një tjetër vendim i njëanshëm dhe pa reforma”, duke mos atakuar asnjërën parti politike. I fituar nga prolongimi i datës së zgjedhjeve ka mbetur kryeministri Dimitriev i cili do të qëndrojë në këtë post edhe për tre muaj të tjerë. Ai edhe pse mbetet nën hijen e ish kryeministrit Gruevski, të paktën në biografinë e tij do të shënojë se për gjashtë muaj ka qenë kryeministër i Maqedonisë.

Ai, nuk ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, por ka qenë i preokupuar me punë të tjera në vendlindjen e tij.

Please publish modules in offcanvas position.