ÇËSHTJA EMRIT DHE LIGJI PËR GJUHËN SHQIPE  KUSHT PËR NË BE DHE NATO

ÇËSHTJA EMRIT DHE LIGJI PËR GJUHËN SHQIPE KUSHT PËR NË BE DHE NATO

Çështja e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, dhe ligji për gjuhën shqipe vazhdojnë të mbeten dy nga çështjet më të nxehta në skenën politike të cilat janë kyçe për inkuadrim në strukturat euro atlantike. Në anën tjetër Bashkimi Evropian ka kërkuar nga të dyja vendet që sa më shpejt të zgjidhin këtë çështje për të përmbushur kështu kushtin kryesor para samitit të NATO që pritet të mbahet në muajin qershor. Sinjalet nga pala greke dhe ajo maqedonase për një zgjidhje të përhershme janë pozitive pasi tashmë nga ana e qeverisë së Maqedonisë janë bërë edhe hapat e parë siç është ndërrimi emrit të Aeroportit të Shkupit dhe të autostradës në drejtim të Greqisë.

Në këtë mes partitë politike shqiptare po duken më të rezervuara. Deklarata e kryeministrit të Greqisë, Aleksis Tsipras se zgjidhja e çështjes me Maqedoninë është një “dritare mundësie” dhe deklarata e homologut të tij maqedonas Zoran Zaev në lidhje me “mundësinë për të arritur një zgjidhje në gjysmën e parë të vitit 2018”, tregon për atmosferën pozitive në lidhje me problemin. Zëvendëskryeministri i Maqedonisë Bujar Osmani, i cili së fundmi vizitoi Athinën, e cilësoi vitin 2018 si “vit historik”, duke shtuar se në gjysmën e parë të vitit do të arrijnë një pikë kthese.

Nëse pika e kthesës nuk arrihet këtë vit atëherë mund të kemi një situatë të re gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor e cila do të largojë edhe më shumë vendin nga strukturat euroatlantike. Lëvizjet e fundit të Maqedonisë drejt Turqisë, janë një sinjal jo edhe aq i mirë në kohën kur pala greke po tenton të bind nacionalistët dhe kishën greke se kontesti me Maqedoninë për çështjen e emrit duhet të zgjidhet. Në anën tjetër diplomacia evropiane dhe ajo amerikane intensivisht po punojnë që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e NATO- dhe BE për të larguar ndikimin rus nga kjo zonë e nxehtë. Në politikën e brendshme Zaev po përballet edhe me opozitën maqedonase e cila jo vetëm që është kundër ndryshimit të emrit, por ka penguar edhe miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.

Ligji i gjuhës shqipe njëjtë sikurse çështje e emrit është një ndër çështje nga e cila varet edhe e ardhmja e vendit. Nëse Ligji për gjuhën shqipe nuk miratohet atëherë vendi sërish mund të futet në një krizë të thellë politike sikurse para dy viteve dhe të gjitha strategjitë e hartuara për në NATO dhe BE do të binin poshtë. Partia shqiptare në pushtet BDI-ja, e drejtuar nga Ali Ahmeti ka bërë të qartë se nuk do të lejojë të ketë asnjë në ndryshim në përmbajtjen e Ligjit të gjuhëve dhe se ky ligj duhet të miratohet në afat sa më të shkurtër. Për miratimin e Ligjit të gjuhës shqipe nevojitet shumicë e thjeshtë, por parashtrimi i numrit të madh të amendamenteve nga ana e partisë maqedonase opozitë VMRO në kuvend akoma nuk ka filluar debate. Kjo e fundi ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me LSDM për çështjet që kanë të bëjnë me reformat tjera, ndërsa për gjuhën shqipe nuk ka kompromis.

Madje këta kanë shkuar aq larg duke bojkotuar punën e parlamentit, por kur është në shprehja gjuha shqipe ata kthehen në parlament vetëm e vetëm për të penguar kalimin e ligjit. Pritet që këtë javë lideri i BDI-së Ali Ahmeti të bind kryetarin e sapozgjedhur të VMRO-DPMNE, Mickovskin që edhe ky i fundit të mbështet miratimin e Ligjit të gjuhës shqipe si një mundësi e vetme që vendi të futet në agjendën e BE-së dhe të NATO-së, sepse në të kundërtën pasojat do të jenë shumë të mëdha si në aspektin politik po ashtu edhe në atë ekonomik. Ka ngelur edhe pak kohë për të parë se nga do të shkojë Maqedonia dhe cila do të jetë strategjia e BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Please publish modules in offcanvas position.