MAQEDONIA VERIORE, NATO, BE  DHE ZGJEDHJET PRESIDENCIALE

MAQEDONIA VERIORE, NATO, BE DHE ZGJEDHJET PRESIDENCIALE

Maqedonia Veriore, tashmë zyrtarisht është emri i ri i shtetit me kryeministër Zoran Zaev. “Shteti i Ri” menjëherë do të ballafaqohet me shumë sfida, duke filluar nga vënia e të gjitha mbishkrimeve në institucionet e vendit, konsullatat dhe përfaqësitë diplomatike, komunikimi jo vetëm më mediet, por edhe me organizatat ndërkombëtare do të bëhet me emrin Maqedonia Veriore.

Në skenën ndërkombëtare tashmë ka filluar ofensiva diplomatike e cila do të depërtojë deri në OKB ku pasi të informohen për emrin e ri kjo organizatë emrin e Maqedonisë, apo FYROM siç ka qenë deri më tani do ta zëvendësojë me emrin e ri.

Njëjtë do të veprohet edhe në institucionet tjera evropiane si BE-ja, Këshilli i Evropës, OSBE dhe institucionet tjera. Ky emër do të jetë udhë rrëfimi i parë drejt integrimi në NATO dhe më vonë në Bashkimin Evropian. Integrimi në strukturën euroatlantike NATO, duket shumë më i lehtë në krahasim me atë të Bashkimit Evropian. Në NATO mjafton vetëm një ftesë e 29 vendeve dhe votat e të gjithë përfaqësuesve të këtyre shteteve për tu bërë pjesë e kësaj strukture. Pothuajse janë tejkaluar të gjitha barrierat dhe anëtarësimi është çështje muajsh.

Zyrtarët më të lartë të NATO-s kanë pohuar se do ta përshpejtojnë integrimin e Maqedonisë Veriore , pasi tashmë nuk ka bllokadë nga Greqia apo nga Bullgaria dy vende me të cilat janë zgjidhur të gjitha kontestet. Në planin e brendshëm zyrtarët e vendit ndjehen shumë optimist dhe të përgatitur për tu bërë pjesë e institucioneve më relevante në botë. Sfida e dytë në planin ndërkombëtar është fillimi i bisedimeve për tu integruar në Bashkimin Evropian, një rrugë kjo shumë më e vështirë se ajo e NATO-s. Në radhë të parë BE-ja është një familje evropiane ku sundon ligji i së drejtës dhe demokracia, ku normat juridike dhe ato qytetare janë në vend të parë. Reformat në sistemin e drejtësisë, në administratë dhe liria e medieve deri tani janë parë më mjaft skepticizëm nga zyrtarët evropian të cilët nuk kanë qenë të kënaqur me reformat në fushën e drejtësisë.

Në përgjithësi edhe qeveria e re e kryesuar nga Zoran Zaev, duket se në këtë drejtim është duke dështuar duke e lënë nën hije edhe Prokurorinë Publike Speciale. Rastet e fundit dhe amnistia për njerëz të përfshirë në krime dhe afera të ndryshme korruptime duket se filluan të rrënojnë sistemin edhe ashtu të brishtë të drejtësisë në Maqedoni, ndërsa administrate mbetet ende një ndër sektorët më të ndjeshëm në vend. Përshpejtimi i reformave në drejtësi dhe në administratë po kërkohet me ngul nga zyrtarë të BE-së, por kjo po has në vështirësi tek organet e Maqedonisë Veriore të cilat nuk janë të gatshme sa duhet për të luftuar këtë fenomen. Testi i parë për qeverinë e Maqedonisë Veriore do të jenë zgjedhjet për kryetar të shtetit të cilat do të mbahen në fillim të muajit Prill. Gjorge Ivanov, do të jetë president ii parë i cili do të ushtrojë profesionin e tij për pak ditë në shtetin e ri dhe i pari president që do të largohet mes shumë polemikave për shkak të qëndrimit kontradiktor ndaj Ligjit të gjuhës shqipe dhe Marrëveshjes së Prespës.

Do të jetë presidenti i parë i Maqedonisë Veriore që humbi kredibilitetin para diplomacisë botërore dhe asaj të brendshme. Por kush do të jetë presidenti i parë që do të nënshkruajë anëtarësimin në NATO- duke u bërë kështu presidenti histori pritet të shohim se çka do të ndodh në zgjedhjet e Prillit. Partitë më të mëdha të koalicionit qeverisës LSDM dhe BDI po mendojnë për një kandidat të përbashkët, por ende mbetet vetëm në rrafshin e spekulimeve dhe debateve që po zhvillohen. Beteja kryesore për postin numër një të shtetit do të jetë në mes pozitës dhe opozitës maqedonase LSDM dhe VMRO. E para do të tentojë të rris elektoratin e dyta do ta testojë veten sidomos pas këtyre ndryshimeve që nuk i përkrahu.

e-max.it: your social media marketing partner

Please publish modules in offcanvas position.