Kriza politike, korrupsioni, konflikti i armatosur në Kumanovë, afera e përgjimeve e karakterizuan MaqedoninË në vitin 2015

Kriza politike, korrupsioni, konflikti i armatosur në Kumanovë...

Kriza politike, korrupsioni, konflikti i armatosur në Kumanovë, afera e përgjimeve, falsifikimi i procesit zgjedhor, prokurori special, ndotja dhe krimi i organizuar, dështimi drejt integrimit në strukturat euroatlantike janë çështjet të cilat e karakterizuan vendin gjatë vitit 2015.

Ky vit për qytetarët e Maqedonisë, ka qenë një ndër vitet më të këqija që nga pavarësia e shtetit për shkak se qeveria nuk ka mundur të shënojë progress në asnjë sferë.

Në muajin shkurt opozita maqedonase e drejtuar nga lideri i LSDM-së, filloi publikimin e të ashtuquajturave “bomba” përmes të cilave u dëgjua se qeveria ka montuar shumë procese gjyqësore, ka ndikuar në përzgjedhjen e gjykatësve, ka ndërhyrë në punën e gjyqësorit, ka fshehur krimet dhe afera të tjera. Ky skandal do t’i paraprinte edhe shumë skandaleve të tjera të cilat e çuan vendin drejt një krize të thellë politike e cila si duket do të vazhdojë të ketë efekt edhe në vitin tjetër. Publikimi i aferave shkaktoi pakënaqësi sidomos tek popullata shqiptare për shkak të montimit të rastit “Monstra” dhe disa rasteve tjera.

Në anën tjetër kur opinion priste që ky epilog të përfundojë në Lagjen e Trimave në Kumanovë, më 9 maj ndodhi konflikti i armatosur mes një grupi të armatosur shqiptarë dhe forcave speciale të policisë së Maqedonisë. Nga ky konflikt 8 pjesëtarë të MPB mbeten të vrarë, 14 pjesëtarë të grupit dhe mbi 20 të tjerë u arrestuan dhe akuzohen për terrorizëm. Ky incident nuk lëkundi marrëdhëniet ndërmjet partive të koalicionit BDI dhe VMRO-DPMNE, e as marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës. Pasojat nga ky konflikt ishin fatale pasi një lagje e tërë u shkatërrua, shumë familje mbeten pa kulm mbi kokë, kurse tmerri dhe frika që përjetuan këta banor akoma mbesin të pashlyeshme nga kujtimet e tyre. Faktori ndërkombëtar për të mos u përkeqësuar akoma më shumë situate u vu në lëvizje, madje duke dërguar edhe përfaqësues special në Maqedoni për të zgjidhur krizën politike.
Në muajin qershor përfaqësuesi i BE-së, Johanes Han, i uli në një tavolinë të katër liderët e partive më të mëdha politike atë të BDI, PDSH, LSDM dhe VMRO_DPMNE për të nënshkruar marrëveshjen e Përzhinos, e cila do t’i jepte fund krizës politike, por në fakt zgjidhja akoma mbeten në horizont. Liderët u zotuan se në ë vend të parë do ta vendosin interesin e shtetit dhe konfirmojnë përkushtimin e tyre ndaj procesit Euro-Atlantik dhe parimeve demokratike. Për herë të parë u pa se liderët shqiptarë Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi kanë qëndrime të ngjashme sa i përket krizës politike në vend. Në interesin e të gjithë qytetarëve dhe të gjitha komuniteteve në vend, partitë pajtohen mbi hapat për ta tejkaluar krizën aktuale. Të zbatojnë në tërësi Marrëveshjen e Ohrit, të krijojnë një qeveri teknike e cila do të organizojë zgjedhjet e parakohshme, kryeministri i vendit të jep dorëheqje 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve , të miratohet ligji për media dhe ligjin për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, të krijohet një qeveri teknike e cila do të ketë për detyrë të sigurojë një proces ferr dhe demokratik të zgjedhjeve. Ndërsa publikimi i materialeve të përgjuara do të ndërpritet. Mirëpo vetëm pak ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Përzhinos, palët filluan të taktizojnë me interpretimet e ndryshme dhe me shkeljen e afateve.

Ishte paraparë që deri më 31 korrik 2015, përbërja e Komisionit Shtetëror Zgjedhor do të shqyrtohet dhe modifikohet. Komisionit Shtetëror Zgjedhor do t’i jepen kompetenca të shtuara që të sigurojë zgjedhje të lira dhe fer si dhe fushë të barabartë loje për të gjitha partitë. Të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR do të zbatohen, përfshirë edhe shqyrtimin e listës së votuesve në përputhje me një metodologji të re dhe të dakorduar. Para zgjedhjeve të ardhshme, Qeveria do të kërkojë monitorim të përforcuar afatgjatë dhe afatshkurtër nga OSBE/ODIHR. Ky komision është kompletuar me vonesë madje falë presionit të ndërkombëtarëve. Goditjen e parë liderët politik e morën nga Këshilli i Evropës i cili në raportin e fundit nuk ka dhënë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE dhe ka qenë mjaft kritik, ndërsa Samiti i NATOS- i zhvilluar në Budapest, as që ka përmendur Maqedoninë si kandidat i mundshëm për anëtarësim në këtë strukturë euroatlantike.

Kjo ishte goditja më e fuqishme që morri vendi gjatë vitit 2015 nga faktori i jashtëm. Në skenën e brendshme përkundër krizës politike dhe ekonomike qytetarët drejtpërsëdrejti u preken nga ndotja e cila në disa qytete arrinte pikat më të larta. Tetova u shpall si qyteti më i ndotur në botë. Edhe pse kanë mbetur edhe pak ditë deri në përfundim të vitit 2015, duket se kriza politika do të në përcjell edhe vitin e ardhshëm për shkak të ngecjeve në fushën e medieve, të prokurorit special e cila akoma nuk ka shqyrtuar asnjë proces, në mos definimin e qartë të kompetencave të KSHZ, të ministrave dhe zëvendësministrave të opozitës etj. Por çfarë mund të presin qytetarët në vitin 2016 është e vështirë të supozohet.

Pritet që shumë çështje të sqarohen pas zgjedhjeve të muajit prill të vitit 2016 kur do të dihet se kujt populli do t’ia jep mandatin që të qeveris edhe për katër vite. Beteja vazhdon.

Please publish modules in offcanvas position.