Kriza politike në Maqedoni, gjithnjë e më shumë po thellohet ndërsa partitë politike si ato shqiptare po ashtu edhe maqedonase nuk kanë ndonjë agjendë për zgjidhjen e krizës politike.
Partitë politike edhe përkundër presionit ndërkombëtar nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre në lidhje me datën e mbajtjes së zgjedhjeve dhe Ligjit për media. Tashmë edhe ndërkombëtarët kanë hequr dorë nga vendi për shkak të dallimeve ndërmjet dy partive më të mëdha maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM-së të cilët nuk i përmbahen Marrëveshjes së Përzhinos. Në anën tjetër partitë politike shqiptare BDI dhe PDSH, nuk kanë ndonjë agjendë për zgjidhjen e krizës politike, por vazhdojnë të mbesin në qëndrimin se zgjedhjet duhet të mbahen më 24 prill ashtu sikurse është nënshkruar në Përzhinë, dhe në të njëjtën kohë të bëhet pastrimi i listës zgjedhore. Si duket linjën që zgjedhjet të mbahen në këtë datë e mbajnë edhe përfaqësuesit e BE-së, të cilët tërthorazi kanë deklaruar se nuk ka rëndësi data, por zgjedhjet të jenë fer dhe demokratike dhe rezultati të pranohet nga të gjithë liderët politik.
Retorika nacionaliste e ish kryeministrit Gruevski, në kongresin e grave të partisë që e drejton ai VMRO-DPMNE-së ka lënë të kuptohet se zgjidhja është shumë larg dhe se nuk do të pranojë asnjë kompromis që do ta dëmtonte politikën e drejtuar nga ai. Largimi i tij nga posti i kryeministrit në opinion nuk ka ndikuar fare, pasi ai vazhdon të jetë i pranishëm në çdo aktivitet që organizohen nga institucionet e vendit, kurse kryeministri i ri Emil Dimitriev, si duket akoma nuk mund të besojë se është ulur në kolltukun e kryeministrisë dhe se ai është figura kryesore e Maqedonisë, që duhet të nxjerr vendin nga kriza dhe të jetë përballë diplomacisë evropiane dhe asaj amerikane. Deri më tani kryeministri i ri nuk është parë pothuajse në asnjë takim zyrtar apo vizitë në ndonjë vend tjetër. Ka shumë të ngjarë që ai 100 ditët do t’i kalojë duke u munduar të kuptojë se si ka mundur të vijë në këtë post, dhe çfarë duhet të bëjë për të ulur rivalët politik në një tavolinë dhe të çojë vendin drejt zgjidhjes së krizës. Në anën tjetër kritikat e ashpra të ish kryeministrit Gruevski në adresë të prokurores special Katica Janveva, kanë marrë edhe goditjet e para nga vetë kreu i këtij institucioni. Prokurorja special Katica Janeva, si kundërpërgjigje ndaj këtyre kritikave fillimisht kërkoi siguri për anëtarët e saj dhe më pas shkarkoi edhe dy prokuror një shqiptar dhe një maqedonas. Shtrohet pyetje se pse ajo shkarkon një prokurore shqiptare Lejla Kadriun, e cila vjen nga prokuroria e Tetovës, dhe cili është qëllimi i saj. Ajo në vend që të vazhdojë luftën kundër krerëve të politikës shtetërore për çka është emëruar në këtë post falë mbështetjes së ndërkombëtarëve, ajo vazhdon të luftojë me ekipin e saj duke mos dhënë detaje për këtë veprim.
Parashtrohet pyetja se si do të funksionojë kjo prokurori në rast se vazhdon të ketë mosmarrëveshje Brenda ekipit dhe sa do të jetë e besueshme për opinionin në rast se nuk respektohet përfaqësimi i shqiptarëve në këtë prokurori. Nëse prokurori special nuk respekton përfaqësimin adekuat atëherë besimi ndaj këtij institucioni do të jetë i njëjtë sikurse ndaj institucioneve tjera të drejtësisë. Edhe në raportet e fundit të BE-së kritikat të ashpra janë drejtuar ndaj sistemit të drejtësisë dhe gjykatave të cilat vazhdojnë të mbesin si organe më pak të besueshme në opinion. Në lidhje me këtë veprim të Janevës dhe të retorikës nacionaliste të ish kryeministrit Gruevski, nga partitë politike shqiptare vazhdon heshtja. Zyrtarisht as BDI e as PDSH-ja si dy parti që kanë nënshkruar marrëveshjen e Përzhinos, ku parashihet formimi i prokurorisë special nuk kanë komentuar në lidhje me këtë.
Ndoshta ata tashmë janë të preokupuar me fushatën zgjedhore dhe me pastrimin e listave zgjedhore që duhet të bëhet nga KSHZ. Kanë mbetur edhe pak ditë deri në fillimin e fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, ndërkohë që palët ende nuk kanë hartuar programet për tu prezantuar ara opinionit. Gjithçka pritet të bëhet e qartë pas gjysmës së muajit shkurt kur në Maqedoni, do të vijë për vizitë komisionari i BE-së, Johanes Han për të përcaktuar ose jo datën e zgjedhjeve.